Teatri Kombëtar, morali i së drejtës dhe morali i fuqisë

 

Klajd BYLYKU

Ekzistojnë vetëm dy mënyra për themelimin dhe mbarëvajtjen e raportit të forcave në shoqëri, ajo përmes moralit të së drejtës dhe ajo përmes moralit të fuqisë. Ndërtimi i marrëdhënieve shoqërore përmes moralit të së drejtës do të thotë që marrëdhëniet midis individëve apo grupeve shoqërore të përcaktohen nëpërmjet një standardi të përbashkët moraliteti, që do të thotë se trajtimi i të ngjashmit (moralisht, ligjërisht, politikisht) të kryhet në të njëjtën mënyrë siç ti do të dëshiroje të trajtoheshe prej tij. Ndërsa ndërtimi i marrëdhënieve shoqërore përmes moralit të fuqisë, konsiston në përdorimin e një standardi të dyfishtë. Një individ apo grup i caktuar shoqëror me një tjetër individ apo grup shoqëror sillet në varësi të raportit paraprak të forcave që ata gëzojnë; nëse pala përballë është më e dobët, atëherë përdoret morali i fuqisë dhe shfrytëzohet superioriteti i dhënë, por nëse pala përballë është më e fortë, atëherë bëhet e pamundura që në emër të moralit të së drejtës, pikërisht në emër të atij morali që në kushte superioriteti nuk merret në konsideratë, të bëhen të gjitha përpjekjet për t’u fituar e drejta e trajtimit përmes moralit të së drejtës dhe jo atij të fuqisë.

Kur kjo marrëdhënie kufizohet në konfliktin e dy individëve me njëri-tjetrin, edhe në rastin kur përcaktohen përmes moralit të fuqisë, situata është më e lehtë, për arsyen se institucionet përkatëse e kanë më të lehtë të ndërhyjnë për të vendosur drejtësi, ashtu siç dhe mundësitë për gjetjen e ujdisë janë shumë më të larta sesa në rastin e marrëdhënies midis dy grupeve. Kur konflikti konsiston në përplasjen midis dy grupeve, shkalla e vështirësisë rritet sepse nuk përjashtohet as mundësia e nuancave potenciale brenda grupeve dhe as shtrirja e ndikimit të tyre në sfera të tjera të shoqërisë. Sepse palët e reshtuara në grupe mund të udhëhiqen nga ideale (në rastin më të mirë), interesa (në mundësinë  e pranueshme), apo përfitime (në skenarin më të keq) të ndryshme. Një reshtim i tillë ka dobinë dhe dëmin e tij. Dobia është shpresa e lindjes së një frike reciproke nga të dy palët, frikë e cila pashmangshmërisht do të prodhonte respekt të dyanshëm (i vërtetë apo i stisur, nuk ka asnjë rëndësi) dhe do t’i detyronte grupet që të qëndronin në gjendje prehjeje, duke u përpjekur që të gjenin një zgjidhje të përbashkët të konfiktit, apo një zgjidhje që do të shpallte triumfin e njërës palë dhe dështimin e tjetrës, ku si rregull ajo që lëshon udhë është më e dobëta, nisur nga frika e përplasjes fizike dhe turpërimit përmes kapitullimit. Ndërsa dëmi qëndron në frikën e përplasjes, sepse në rastin kur asnjëra palë nuk lëshon udhë, pavarësisht qëllimeve nga të cilat udhëhiqen (ideal, interes apo përfitim), e kanë të pamundur që të mos përplasen. Në dritën e kësaj skeme do të përpiqemi të kuptojmë konfliktin e shumëdiskutuar të Teatrit Kombëtar.

Në rastin në fjalë në njërën anë kemi të reshtuar Qeverinë Shqiptare, e cila drejtohet nga Partia Socialiste e Shqipërisë, e përkrahur së fundmi nga Bashkia e Tiranës dhe Policia e Shtetit, ndërsa në anën tjetër qëndron Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Konflikti, tashmë i nisur rreth dy vjet e gjysmë më parë, është shprehi e fortë e dy qëndrimeve: Qeveria Shqiptare ka qenë vazhdimisht e qartë në qëndrimin e saj për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke arsyetuar se godina në fjalë nuk i përmbush më kushtet për të qenë një ndërtesë funksionale, e aq më pak për të shërbyer si teatër. Materialet e dobëta të ndërtimit dhe rrezikshmëria që ndërtesa paraqet në aspektin sizmiologjik kanë qenë dy argumentet më të përmendura nga pala në fjalë. Nga ana tjetër, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, arsyetonte ndryshe. Nëse godina e Teatrit ka dalë vërtet jashtë përdorimit dhe nuk mund të vlejë më si ndërtesë funksionale, atëherë le të mos prishet, le të ndërtohet një godinë tjetër e cila të vlejë si selia e re e Teatrit Kombëtar, por e vjetra të mos prishet, e kjo për njëmijë e një arsye, duke nisur nga ato arkitekturore e deri tek ato nostalgjike, mbështetur mbi arsyetimin se një ndërtesë disa dekada e vjetër, nuk është vetëm pronë ligjore apo shpirtërore e njërës apo tjetrës palë, por me doemos shndërrohet në pjesë të kujtesës historike dhe kulturore të qytetit dhe mbarë shoqërisë.

Për dy vite me radhë zgjidhje e përbashkët nuk u gjet dhe Qeveria Shqiptare u shpreh me një palëkundshmëri të vazhdueshme për ta prishur ndërtesën me çdo kusht, siç edhe ndodhi. Tashmë ajo u prish dhe nga godina e Teatrit nuk ka mbetur gjë prej gjëje, por konflikti ende nuk është zgjidhur, sepse çështja e raportit të forcave është një çështje ekzistenciale e rëndësisë së lartë dhe e tejkalon triumfin apo dështimin në kauzën e Teatrit. Kësisoj, të merremi me ligjshmërinë apo paligjshmërinë e kësaj ndërmarrjeje është e pavlerë për dy arsye; e para, sepse ndërtesa tashmë u prish dhe e dyta, sepse ky aspekt i rëndomtë dhe periferik zë ballin e vendit në të gjitha diskutimet publike mbi aksionin në fjalë. Ajo që na intereson ne, duke e gjykuar edhe si aspektin më të rëndësishëm të të gjithë debatit mes palëve, është se si pala triumfuese triumfoi dhe ajo humbëse dështoi dhe mbi të gjitha, përse ishte e pashmangshme që përfundimi do të ishte pikërisht ky?

Duhet thënë që në krye të herës se palët në konflikt u reshtuar në mënyrë jo të baraspeshuar. Kjo mungesë baraspeshe buron nga fakti se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u formua si kundërpërgjigje e qëndrimit qeveritar për prishjen e Teatrit. Raporti i forcave u përcaktua që në origjinë, premisat ishin të pabarabarta që në fillim. Që të gjitha lëvizjet që krijohen si kundërpeshë e një pike rëndese që rrezikon të shembë baraspeshën shoqërore apo t’i japë zgjidhje brutale një konflikti të caktuar, janë të dënuara të përballojnë inferioritetin fillestar të të qenit nën trysninë e faktit që prania e tyre është pasojë e sjelljes dhe tekave të palës kundërshtare, e cila për definicion është më e fuqishme. Nëse ajo vendos ta zbusë ashpërsinë dhe t’i reduktojë ritmet, nga njëra anë ngadalëson përmbushjen e qëllimit (së paku përkohësisht), ndërsa nga ana tjetër zhvlerëson rezistencën e palës kundërshtare, e cila ishte krijuar në mënyrë spontane dhe jo të paramenduar, si pasojë e nevojës për një ekuilibër forcash. Kësisoj, duke pasur në dorë edhe gurin edhe arrën, grupi që vepron, që do të thotë, grupi që merr i pari iniciativën për të ndërmarrë një nismë e cila nuk përkrahet nga një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik dhe grupeve shoqërore, ka në dorë matjen e pulsit të lëvizjeve të kundërshtarit.

Një pikë e dytë që meriton vëmendje të posaçme, është origjina nga e cila burojnë idealet, interesat apo përfitimet e njërës dhe tjetrës palë. Edhe këtu, hierarkia tashmë e vendosur rikonfirmohet, sepse raportin fillestar të forcave e përcakton grupi që vepron i pari. Në rastin konkret, Qeveria Shqiptare me të gjithë burokracinë e saj, Bashkinë e Tiranës, Policinë e Shtetit, propagandën mediatike dhe të gjithë njësitet virtuale guerrilase që operojnë në Internet nëpër blogje, portale dhe gazeta, ka arritur që të rekrutojë një numër të madh njerëzish, në gatishmëri të plotë për t’u instrumentalizuar me deshirë, veprim ky me përfitim të dyanshëm; të rekrutuarit faktorizohen dhe fitojnë vlerë artificiale që u shërben për të mbushur boshllëkun tërësor nga i cili karakterizohen – pa këtë faktorizim, pa këtë vlerësim iluziv, boshllëku i tyre, i painstrumentalizuar, do të shndërrohej në nulitet dhe identitetet e rekrutuara do t’i kridheshin në një pavlerësi akoma dhe më të thellë, gjithnjë brenda pavlerësisë origjinare në të cilën ata paraprakisht ndodhen, ngase rekrutimi si proces shoqëror nuk bën asgjë tjetër përveçse krijon boshllëk dhe vakuum mendor deri në kufij të paimagjinueshëm, duke e zbrazur të rekrutuarin nga çdo vlerë dhe bindje individuale – por përveç kësaj vlere iluzive që e marrin nga brenda grupit nga i cili kanë pranuar të rekrutohen, ata vlejnë edhe si kundërpeshë për kundërpërgjigjen që vjen nga grupi përballë, i cili siç thamë, edhe ai ka shifrat e tij në njerëz; ndërsa përfitimi i pushtetit qëndron në alibinë publike se edhe ai ka popull që e përkrah, edhe ai ka shifra të çinteresuara përtej fuqisë së gjithanshme paraprake që zotëron. Në konfliktin në fjalë, të rekrutuarit janë të gjithë idiotët e forumeve rinore, të gjithë servilët e organizimeve partiake, të gjithë meskinët e pafundëm që u lëpihen pushteteve vendore dhe qendrore, e gjithë lukunia e industrisë së share-ve dhe like-ve nëpër Internet, të gjithë gazetarët e gjirizeve që shajnë, gënjejnë, shpifin dhe përligjin kot se koti dhe pa të drejtë, shpesh herë edhe pa asnjë interes, kauzën e gabuar krah së cilës janë reshtuar, të udhëhequr nga e njëjta pafajësi që karakterizon fëmijët për të mbështetur skuadrën më të fortë, vetëm e vetëm që përmes trofeve të saj të kreshpërojnë sedrën e tyre të çiltër. Kurse rekrutuesit qëndrojnë një shkallë më lart, ata janë të mikluar jo vetëm nga reshtimi në krahun e pushtetit, por ekzaltohen dhe ngazëllehen nga sukseset e vazhdueshme të tij, nga fitorja në fitore, siç do të shprehej Pushteti Popullor. Këta janë pjesa dërrmuese e publicistëve dhe analistëve të paneleve televizive, pronarët e mediave të shkruara apo audiovizive, drejtues shtëpish botuese apo pronarë universitetesh. Këta janë rekrutuesit e të rekrutuarve poshtë tyre, por në të njëjtën kohë janë të rekrutuarit e atij interesat e të cilit mbrojnë, pushtetit. Dhe ishin pikërisht këta ata që vepruan të parët, duke këmbëngulur me çdo kusht në prishjen e godinës, kur përgjatë dy viteve, e gjithë lukunia e sipërpërmendur u përdor në mënyrë të vazhdueshme, me uljet dhe ngritjet e saj, sipas nevojave dhe pulsit të komanduar nga Qeveria Shqiptare.

Grupi i dytë në konflikt, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, përbëhet nga artistët e teatrit (regjizorë, aktorë, producentë dhe të ngjashëm), nga gazetarë dhe analistë të lirë, nga individualitete të së ashtuquajturës Shoqëri Civile dhe sigurisht nga njerëz të thjeshtë të cilët nuk i përkasin ndonjë grupimi shoqëror dhe as karakterizohen nga ndonjë dhunti e veçantë, por thjesht e kanë gjykuar si të drejtë të reshtohen në anën e Aleancës, e cila siç e thamë, ideal të saj të vetëm kishte pengimin e prishjes së Teatrit, rezultat pas së cilit ishte e gatshme të negocionte çdo zgjidhje të mëtëjshme të situatës. Në dallim nga të rekrutuarit dhe rekrutuesit e palës përballë, numri i njerëzve që mbështet Aleancën është natyrisht më i vogël, por me një dallim themelor; së pari, ata nuk janë të rekrutuar sepse artistët dhe lëvizja në fjalë nuk kërkoi asnjë ndryshim, ata thjeshtë kërkuan që ndërtesa të mos prishej, duke e shndërruar këtë nevojë në një kauzë dhe ideal, dhe jo interes apo përfitim. Së dyti, duke qenë në mbrojtje dhe të detyruar të presin veprimet e kundërshtarit, ata ridëshmuan se nuk kishin asnjë qëllim tjetër përveç ruajtjes së godinës, duke krijuar kështu kushtet më të mira për inspirim qytetar, i cili është i kundërti i rekrutimit. Provë e kësaj është se në gjirin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, me kalimin e javëve dhe muajve, u bashkuan shumë qytetarë të lirë të cilët morën gjerësisht pjesë në diskutimet publike të mbajtura në sheshin e shndërruar në një agora të improvizuar. Nga ana tjetër, përpjekjet e Qeverisë për t’iu afruar godinës kanë vijuar vazhdimisht, me ulje ngritjet e natyrshme, gjykuar edhe nga numri i njerëzve pranë saj. Ka pasur tentativa për t’i larguar prej aty, veprime të cilave artistët dhe përkrahësit e tyre u janë kundërpërgjigjur me ngujim të detyruar duke kaluar edhe natën brenda ndërtesës. Ka pasur ultimatume, kërcënime, ndërprerje të energjisë elektrike, ofendime, shantazhe. Por akti përfundimtar ndodhi dhe nuk na mbetet tjetër gjë përveçse të përpiqemi të kuptojmë se përse ndodhi ashtu siç e pamë.

Mundësia për ta zgjidhur konfliktin me moralin e së drejtës dhe jo atë të fuqisë ka ekzistuar vazhdimisht, por nga ana e Qeverisë një vullnet i tillë nuk u shfaq asnjëherë. Si rregull, pala më e fortë ka detyrimin moral që të përkulet dhe të lëshojë udhë, qoftë edhe duke u ulur në bisedime, madje pranimi i dialogut është njëherazi shprehje respekti dhe fuqie, sepse përkulja e të dobëtit nuk është zgjedhje por pashmangshmëri, ndryshe nga ç’vlen për grupin e fortë, të cilin përkulja e nderon. Mungesa e këtij vullneti themeloi një marrëdhënie që sa erdhi dhe u ngurtësua; marrëdhënia e të dy grupeve prej kohësh kishte nisur të ishte marrëdhënia e dhunuesit me të dhunuarin. Deklaratat e vazhdueshme të Qeverisë se ajo është në të drejtën e saj, mbështetur në verdiktin e Institutit të Ndërtimit, u shoqëruan edhe me fyerje dhe etiketime të vazhdueshme të anëtarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit si individë që vepronin në shkelje të ligjit dhe uzurpues të pronës publike.

Marrëdhënia midis dhunuesit dhe të dhunuarit, që për hir të së vërtetës është marrëdhënia e vetme që ekziston sot midis Qeverisë dhe shoqërisë shqiptare, është dhurata më e rëndësishme që e majta historike i ka bërë ndonjëherë popullit shqiptar, marrëdhënie e cila u rikonfirmua mëngjesin e prishjes së godinës së Teatrit dhe pasditen e protestës. Duke përdorur arsyetimin e uzurpimit të pronës private dhe bllokimit të zhvillimit, sebep që na kujton incidentin e stisur të bombës së hedhur në Legatën Sovjetike në vitin 1951, nga ku më pas u mor shkas për pushkatin e njëzet e dy intelektualëve të pafajshëm, Qeveria Shqiptare e drejtuar nga Partia Socialiste nuk hezitoi së ushtruari dhunë të pastër karshi qytetarëve të pafajshëm dhe përfaqësuesve të pakët që gjendeshin atë mëngjes herët në godinën e Teatrit, por mbi të gjitha në reagimin e turpshëm që ajo pati karshi protestës që pasoi. Shpënia në vendngjarje që pa zbardhur mirë e disa qindra policëve nga Policia e Shtetit dhe dhjetëra Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të armatosur dhe me maska, pa numra identifikimi nëpër uniforma dhe të karakterizuar nga nje egërsi prej cubi, nuk është asgjë tjetër veçse shprehje e degradimit tërësor në të cilin është përfshirë Qeveria Shqiptare. Tërheqja zvarrë e regjizorit Edmond Budina, shoqërimi në komisariat i aktorit Neritan Liçaj, barbaria e treguar ndaj gazetarit Alfred Lela, dhuna dhe terrori i ushtruar ndaj dhjetëra qytetarëve të pafajshëm nga Policia e Shtetit, janë provat përfundimtare se propaganda e regjimit është në grahmat e fundit.

Sepse propaganda ka qenë gjithmonë mënyra e vetme përmes së cilës e majta e ka marrë pushtetin, ndërsa dhuna ka qenë instrumenti i vetëm që i ka shërbyer për ta mbajtur atë. E kundërta e propagandës, bllofi politik, nëse nga njëra anë është një lëvizje që nuk të garanton sukses dhe mundësia për dështim është gjithnjë e pranishme, nga ana tjetër nuk të detyron t’i qëndrosh besnik dhe të krijon mundësinë për të ndryshuar taktikë, liri kjo kostoja e së cilës është dështimi i bllofit të kuptuar dhe të neutralizuar nga kundërshtari. Ndërsa propaganda është katërçipërisht e kundërt; ajo kurrë nuk përfundon, asnjëherë nuk ka kufij, sa më shumë propagandë që të prodhohet, aq më pak duket se ka, sa më shumë të besohet, aq më e pasofistikuar rezulton, sa më shumë të përqafohet, aq më jobindëse tingëllon. Propaganda nuk është një virus, i cili mund të zbutet apo shuhet me ndërrimin e stinës, ajo nuk vjen për së jashtmi dhe nuk është mjet për mbërritjen e ndonjë qëllimi; propaganda është një kancer, ajo lind për së brendshmi, rrënjët e saj janë të thella po aq sa struktura politike të cilën përfaqëson dhe ndërrimi i stinës apo kalimi i kohës jo vetëm që nuk e largon, por e vendos në rrethana alarmi dhe në dritëhije të reja dyshimi, se mos vallë kundërshtarët i gjejnë pikat e dobëta apo se mos besnikët e përbetuar reshtin së besuari pagabueshmërinë e saj totale. Ndaj ajo ka nevojë të përditësohet, të rafinohet, të përpunohet në nivele të reja, duke thyer çdo parashikim dhe duke marrë përsipër të instrumentalizojë gjithçka. Thellimi i propagandës dhe transformimi i saj i vazhdueshëm në armën sistemike të pushtetit, lë pasoja edhe te ky i fundit.

Nëse në fillim është deklaruar se ai ka qenë mjet për përmirësimin e kushteve të përgjithshme shoqërore, zhvillimin ekonomik dhe përparimin e kombit, vjen një pikë të cilën mund ta quajmë pikën kur ai shkëput kontaktin me propagandën. Nëse në fillim të çdo qeverisjeje, ato shkojnë të dyja bashkë si dy drejtëza paralele, çelësi i një qeverisjeje të suksesshme (edhe pse jo dinjtoze) fshihet në ruajtjen e marrëdhënies së ekuilibruar midis tyre. Nëse propaganda përparon, pushteti e frenon duke pranuar disa dështime, nëse pushteti bën përpara, propaganda thellohet duke e sofistikuar përparimin, por në çastin kur qeverisja resht së qeni një veprimtari e përgjegjshme dhe e njerëzishme, propaganda përpara pushtetit paraqitet si mundësia e vetme për shpëtim: nëse heq dorë prej saj, pushteti bie, por nëse vendos që ta përdorë, atëherë është i detyruar ta ndjekë nga pas, pa pasur garancinë që ajo do të ndalet ndonjëherë.

Kështu, nuk mbetet vetëm pushteti ai që shndërrohet në qëllim në vetvete, por edhe propaganda, e cila ka vetëm një mënyrë për të siguruar jetëgjatësinë e saj: dhunën. Dhuna është instrumenti i fundit që pushteti ka në dorë për ta mbajtur propagandën gjallë dhe për ta zëvendësuar kur ajo nuk funksionon më, pikërisht si tejzgjatimin e saj final. Ç’është e vërteta, kur mbërrihet në pikën kur ushtrimi i dhunës pushtetit i shndërrohet në një veprimtari legjitime dhe të natyrshme kundër “bllokuesve të zhvillimit, marionetave politike, uzurpuesve të pronës publike,” është e vërtetë që kjo do të thotë se propagandës i janë shteruar të gjitha mundësitë, por njëherazi, fakti që është alternuar nga dhuna, mundësia e saj finale, është provë e përsosjes dhe sofistikimit të saj, gjë që i mundëson që ta rimarrë edhe një herë veten, kësaj radhe duke bërë lëvizjen më të papritur, duke legjitimuar vetë dhunën, duke e konsideruar atë përkohësisht të domosdoshme, duke e eklipsuar me gjithëpranishmërinë e saj e duke e zëvendësuar sërish! Ky është qerthulli ciklik në të cilin pushteti e ka të pashmangshme që të mos përfshihet, por përveç paturpësisë së jashtme, ky mekanizëm ka edhe një kosto të brendshme, ndoshta akoma dhe më të lartë, koston e besimit në të. Nëse deri në një pikë të caktuar pushteti arrin ta administrojë alternimin e propagandës me dhunën, në një moment të dytë ky administrim del jashtë kontrolli, sepse marrëdhënia e ngushtë midis tyre e mbyt pushtetin në vorbullën e pakuptimësisë dhe zbrazjes nga kuptimet, duke e detyruar kështu të zhvishet edhe nga çdo normë morale dhe të kalojë në gjendjen e pavetëdijshmërisë; tashmë nuk qeveris më pushteti si mjet për të mbërritur qëllimet për të cilat është votuar, por alternimi i natyrshëm dhe i vetëmjaftueshëm i propagandës me dhunën.

Vetëm në dritën e këtij arsyetimi mund të shpjegohet çfarë ndodhi mëngjesin e prishjes së Teatrit dhe pasditen e protestës. Duke qenë se operon gjithnjë me standarde të dyfishta, Qeveria Shqiptare ka reshtur prej kohësh së konceptuari pushtetin si mjet për të përmbushur qëllimet për të cilat kërkoi të votohej, sepse qëllime më nuk ka dhe kur këto nuk ekzistojnë, ka vetëm dy rrugë; ose dorëheqje pa kushte duke pranuar disfatën, ose denatyrim dhe pavetëdijshmëri, duke qeverisur përmes alternimit të propagandës me dhunën. Dhe sikur të mos mjaftonte dhuna, sikur të mos mjaftonte zgjidhja e konfliktit nëpërmjet moralit të fuqisë, ku banda e pushtetit terrorizoi dhe dhunoi dhjetëra qytetarë, gazetarë dhe artistë, propaganda ia ktheu nderin përmes diskursit të parapërgatitur e të mirëmenduar. Sepse si mund të shpjegohet ndryshe pederastia intelektuale e Kryebashkiakut të Tiranës teksa del dhe ngushëllon palën e dhunuar se ajo nuk duhet të bjerë pre e provokimeve të partive politike sepse ajo që iku, iku, dhe se tashmë është koha për bashkim dhe jo përçarje, a thua se kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi natyrore? Apo si mund të shpjegohet ndryshe racizmi kulturor që ai ka ndaj grupeve të ndryshme të shoqërisë, teksa kur u pyet për një prishje potenciale të xhamisë dhe sahatit, refuzoi duke arsyetuar se ato kanë themele, janë prej guri dhe kanë çelik, dhe jo se janë pjesë e pamohueshme e trashëgimisë historike dhe kulturore të qytetit! E njëjta logjikë vlen për të kuptuar sharlatanizmin djallëzor që karakterizon Kryeministrin, i cili pa asnjë fije turpi mohoi publikisht dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj qytetarëve në përgjithësi dhe gazetarit Alfred Lela në veçanti, duke u shndërruar në portretin e paturpësisë, teksa në cilësinë e xhelatit fajësonte viktimën se kishte tentuar pa të drejtë të prekte disa vajza police!

Por e njëjta mënyrë të vepruari duket e aplikuar kudo, me moralin e fuqisë tashmë të shndërruar në mënyrën e vetme të zgjidhjes së çdo konflikt. Arrestimet e shumta të të varfërve për mospagesë të energjisë elektrike, duke shkaktuar edhe vetëvrasje mes tyre, shpronësimet e padrejta dhe dëmshpërblimet e padenja, eleminimi nga lista e ndihmës ekonomike të qindra familjeve të kredhura në zi buke, dhjetëra rastet e turpshme të dhunës që Policia Bashkiake ka ushtruar gjatë gjithë këtyre viteve ndaj të varfërve, romëve, të pambrojturve, të pastrehëve, janë prova përfundimtare se klikës në pushtet i ka dalë situata jashtë kontrollit dhe se nëse nuk pranojnë të heqin dorë dhe të shporren, boshllëkun që prodhojnë me praninë e tyre të urryer mund ta mbushin vetëm përmes boshllëk ligjërimor, detyrë që Kryeministri e përmbush stilistikisht mirë, dhe me dhunën policore boshe të ushtruar nga banditët e improvizuar në policë të Ministrit të Brendshëm ndaj të varfërve dhe të pambrojturve, sepse dhuna e cila vetëm se konfirmon dhe thellon hendekun midis dhunuesit dhe të dhunuarit, nëse viktimës i sjell mjerim mbi mjerim, xhelatit nuk i prodhon asgjë më shumë sesa boshllëk mbi boshllë, shkumë mbi shkumë, zbrazëti mbi zbrazëti, të përdorura me gramaturë në cilësinë e dozës së fundit të mbetur të eliksirit politik.

Klajd BYLYKU

(MSc Studime Qytetërimore)