Në pranga kryeministri i Bosnjes, dyshohet se ka shpërdoruar fondet për të blerë respiratorë për covid-19

Kryeministri i Federatës së Bosnjë e Hercegovinës Fadil Novaliç, u arrestua të enjten brenda natës nga agjensia shtetërore e zbatimit të ligjit SIPA së bashku me kreun e Mbrojtjes Civile dhe pronarin e një kompanie private, si pjesë e një hetimi për blerjen e respiratorëve për përballimin e covid-19 me çmime më të larta se tregu.

Kryeministri Novaliç, Drejtori i Mbrojtjes Civile Fahrudin Solak dhe drejtori i kompanisë “Srebrena malina” Fikret Hoxhiç janë marrë në pyetje për disa orë mbrëmjen e djeshme për blerjen e 100 respiratorëve në vlerën e 5.25 milionë eurove. Solak dhe Hoxhiç gjithashtu u mbajtën në zyrat e SIPA-s, ndërsa sot pritet që SIPA t’i dorëzojë në Prokurorinë BeH-së.

Prokuroria e Bosnje-Hercegovinës mori raportin e ekspertizës në mesin e majit në kuadër të rastit “Respiratorët”. Në një prononcim më herët Prokuroria ka njoftuar se të gjithë respiratorët në këtë rast janë gjetur, regjistruar dhe është kryer ekspertiza.

“Raporti i ekspertizës gjeti se ventilatorët e blerë nuk plotësonin as karakteristikat minimale të nevojshme për trajtimin adekuat të pacientëve në repartin e kujdesit intensiv, përfshirë pacientët me COVID-19. Prandaj, përdorimi i këtyre ventilatorëve në repartin e kujdesit intensiv nuk rekomandohet”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Bosnje-Hercegovinës.