Indrit Vokshi – Nuk dua të jem deputet qyl..!

Nga Indrit Vokshi

Ju mendoni se unë jam kundër “Propocionalit Kombëtar” ngaqë dua të vazhdojë gjendja e tanishme politike e deputetëve qyl? Jo.

As jam pjesë e sistemit. As kam vjedhur me ndonjërin, as kam lek në banka të huaja dhe offshore, as i simpatizoj shumë deputetë kukulla dhe derdimenë si majtas e si djathtas. As jetoj me andrrën që të ma shënojë mua kryetari i partisë emrin në vend të sigurt dhe të dal deputet qyl, prandaj unë do mbroj ketë sistemin e sotëm që kemi.

Falë Zotit, jetoj përtej ktyne kufizimeve. Shtrihem thellë në histori, gjerë në aktualitet dhe gjatë në shikimin para.

Thjesht nuk mundem ta pranoj skuthllikun e argumenteve.

Nuk mundem që një budallik ta zëvëndësoj me një tjetër budallik. Falë Zotit përsëri, mendoj se i di dy gjana elementare mbi politikën dhe nuk di dymijë të tjera.

Elementarja është se nuk bëhet copy-paste në shtet. Të gjitha ligjet copy-paste kanë dështuar. Ekziston një disiplinë e cila quhet “Teknike Legjislative” dhe përveç shkrimit, mëson njeriun se një ligj, qoftë ky ligj elektoral, hartohet duke marrë parasysh realitetin e vendit përkatës.

Dhe të gjithë këta që thonë “Ta bëjmë kështu sepse kështu e ka x shtet”, janë njerëz të paditur. Është si të thuash që të sëmurit shqiptar, duhet t’i japim recetën e një të sëmuri norvegjez, se mjekët norvegjezë janë të aftë.

Nuk mundesh kështu, sado të aftë të jenë mjekët e Norvegjisë, i sëmuri shqiptar duhet vizituar dhe i duhet dhënë receta në përputhje me sëmundjen e tij, jo me sëmundjen e norvegjezit.

Prandaj në ketë pikë nuk lejoj të më fyhet dija ime krejt modeste.

Tjetra, qenia hileqar dhe skuth, argumentet skuthe, më acarojnë dhe kam qejf t’i çmontoj. Konkretisht, sistemi më përfaqësues është mazhoritari, “kokë më kokë”, Anglia, Franca, SHBA (meqë kanë qejf recetat e gatshme) a e kanë mazhoritar?

Pse nuk duan pleshtat politikë mazhoritar? Nëse do kandidohem ndonjëherë, do dëshiroja mazhoritar. Aty maten burrat dhe gratë, tek një rajon i caktuar, demokraci e drejtpërdrejt dhe e lidhur me komunitetet.

Pse nuk e ndjekim ketë filozofi të përfaqësimit? Nëse është për ta zëvëndësuar rajonalin me lista të mbyllura që kemi, sepse kufizon demokracinë, pse duam ta zëvëndësojmë me një sistem “Kombëtar” që abstragon me demokracinë, që përfaqësimin dhe komunikimin i transferon në studio televizive ngaqë deputeti nuk ka kohë të shkojë në gjithë Shqipërinë? Pse nuk e zëvëndësojmë me sistem që e afron edhe fizikisht deputetin me votuesin?

Mjaft keq jemi. Nuk kemi nevojë për budallik shtesë. Po qe e mundur, të jepen argumente të cilat i shërbejnë daljes nga degradimi, jo hutimit dhe kaosit. E vuna titullin ashtu, se fill dyshon shqiptari. Mendon; “Do të dalë vetë deputet qyl ky, ndaj mbron ketë sistem dhe kryetarin”.

Jo. Propozoni mazhoritar dhe shiheni që publikisht jam për mazhoritar edhe nëse kryetari është për propocional. Thjesht duhet të flasim me argument, jo me eufori.