Sociologu Mërtiri – Pse nuk dimë të protestojmë?

Nga Ergys Mërtiri, sociolog

Gjatë 28 viteve demokraci, shoqëria shqiptare nuk ka treguar ndonjë moment të rëndësishëm lëvizjesh për të sjellë ndryshime politike. Që prej lëvizjeve popullore të vitit 1990, dhe protestave që pasuan kundër qeverisë së Fatos Nanos, të shoqëruara me mosbindje civile mbarëkombëtare, nuk ka pasur asnjë protestë popullore masive, që të vijë si një reagim spontan, jo partiak, ndaj ndonjë qeverie. Ngjarje të tjera, si ato të vitit ’97, e më pas ato të vitit ‘98, kanë qenë në fakt një faqe e errët e historisë së paskomunizmit, të karakterizuara nga dhuna, lufta e egër politike dhe arbitrariteti i pushtetit. Gjatë këtyre tre dekadave kemi pasur shpesh dhe vazhdimisht protesta politike, por të organizuara nga partitë opozitare dhe jo reagime popullore në mbështetje të ndonjë kauze. Shoqëria shqiptare ka qenë vazhdimisht e fjetur dhe e paangazhuar kurrë në mbrojtje të interesave të vendit.

Arsyet përse shqiptarët nuk reagojnë mund të jenë të shumta, dhe kanë të bëjnë me një sërë arsyesh të natyrës psiko-sociale, por mund të themi se një prej arsyeve kryesore është një prirje mjaft e kudogjendshme për të mos patur interes mbi sferën publike. Të gjithë preokupimet e tyre mbarojnë tek sfera private, duke mos lënë asnjë ndjeshmëri për atë çfarë është e përbashkët. Kjo natyrisht që shpie në indiferencë shoqërore dhe pandjeshmëri kolektive për të patur reagim shoqëror.

Ky fenomen, i ka rrënjët në periudhën komuniste, tek mendësitë e krijuara në kushtet e një regjimi represiv, ku publikja imponohej me dhunë ndërsa sfera private shkelej egërsisht. Regjimi impononte pjesëmarrje të detyruar të individit në veprimtaritë shoqërore, duke propaganduar një shoqëri kolektiviste ku individualiteti shkrihej në trupin e shoqërisë. Zboret, aksionet, pastrimet e detyruara të lagjeve të djelave, zhdukja e pronës private dhe tregëtisë së lirë, deri tek ndërhyrjet e kolektivit të ndërmarrjes, lagjes apo strukturave të partisë në jetën private të çdokujt, ishin instrumentet e përfshirjes së imponuar të individit në shoqëri. Shoqëruar kjo me një propagandë bajate që predikonte jetën kolektive si themel të lumturisë së përbashkët në shoqërinë komuniste, publikja bëhet diçka e huaj dhe kërcënuese. Për rrjedhojë, shumë njerëz përftonin si reagim refleksiv, përçmimin ndaj jetës dhe pronës publike, të cilat vijojnë, në një masë të madhe, edhe sot pas tre dekadash, aq më tepër kur, individualizmi i sotëm nuk është se ofron forma të reja motivimi për një jetë sociale të angazhuar.

Është në natyrën e shoqërive totalitare të shkatërrojnë aftësitë e një shoqërie për t’u organizuar në funksion të një reagimi shoqëror. Sipas një perceptimi të përgjithshëm që vjen prej marksizmit, reagimi shoqëror bëhet i mundur kur pushteti e tejkalon masën me politikat shtypëse ndaj shoqërisë. Sipas Marksit, revolucionet shpërthejnë në momentet kur kushtet e klasës së shtypur përkeqësohen në mënyrë radikale. Nga kjo premisë, shumë njerëz besojnë se, nëse qeveria i shton padrejtësitë dhe keqqeverisjen, durimit të popullit do ti vijë fundi dhe ai do të ngrihet në revoltë për ta rrëzuar atë. Por në fakt, siç vëren Ralf Dahrendorf, një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të teorisë së konfliktit, kjo nuk ndodh asnjëherë. Shtresat më të shtypura janë edhe më letargjike sesa të tjerat dhe shtypja e skajshme në regjimet tiranike prodhon vetëm heshtje. Në këto kushte, sipas tij, ndryshimi mund të vijë vetëm kur shtypësit shfaqin shenja dobësie, duke krijuar shpresë se ai mund të bjerë.

Kjo shpjegon edhe arsyet përse shqiptarët u ngritën të përmbysnin një regjim gjysëmshekullor në vitet ’90, ndërsa nuk e bëjnë këtë sot, kur liritë dhe mjetet për t’u organizuar në një revoltë popullore janë shumë herë më të mëdha. Rrëzimi një nga një i diktaturave në të gjithë bllokun komunist, ngjalli shpresë tek njerëzit, duke i bërë ata të besojnë se e njëjta gjë do të ndodhte edhe në Shqipëri dhe vendi do të hynte më në fund, në rrugën e zhvillimit si në çdo vend të Europës. Sot, shumica e njerëzve besojnë se të gjitha alternativat politike janë njësoj dhe askush nuk ka vullnetin të qeverisë në të mirë të shoqërisë.

Shumica e njerëzve nuk e kupton reagimin shoqëror si një mekanizëm që duhet ushtruar në mënyrë të vazhdueshme për të rregulluar sistemin, por si një instrument për përmbysjen e tij, i cili shtyhet në kohë vazhdimisht, përderisa asnjëherë nuk shfaqet një forcë e re politike, që ngjall shpresë për një sistem të ri. Sipas kësaj mendësie, reagimi shoqëror duhet ndërmarrë si një akt madhor, për të qenë një goditje finale për të instaluar një sistem definitiv, dhe jo si ushtrim i vazhdueshëm i përgjegjësisë qytetare në funksion të mbrojtjes së shoqërisë nga politikat e mbrapshta.

Hannah Arendt ka treguar sesi pushteti totalitar asgjëson plotësisht lirinë e individit nëpërmjet terrorit dhe ideologjisë duke e pamundësuar reagimin shoqëror. Ai e çrrënjos lirinë duke shkatërruar parakushtin themelor të saj: aftësinë e lëvizjes. Këtë e bën të mundur nëpërmjet ndërprerjes së lidhjeve dhe kanaleve të komunikimit midis individëve, nëpërmjet përjashtimit të tyre prej sferës publike dhe politike, si dhe nëpërmjet përpunimit ideologjik, duke i mbërthyer në morsën e logjikës së hekurt të ideologjisë totalitare. “Tirania e logjikës”, është instrumenti nëpërmjet të cilit individi shtyhet të heqë dorë nga liria e tij. Nëpërmjet pranimit të arsyetimeve të hekurta logjike të ideologjisë, individi pengohet nga të menduarit duke iu nënshtruar plotësisht bindjeve të kultivuara nga pushteti. Ndërsa terrori shkatërron lidhjet ndërmjet njerëzve, ideologjia shkatërron lidhjen e individit me realitetin, duke i bërë njerëzit të humbasin aftësinë e eskperiencës dhe mendimit, e për pasojë edhe aftësinë e lëvizjes.

Të dyja së bashku, pohon Arendt, terrori dhe ideologjia prodhojnë qenie të nënshtruara, e mbi të gjitha, të izoluara. Pushteti totalitar kërkon të ndërprejë bashkëveprimin midis individëve, duke e parë këtë si kërcënim për krijimin e pushteteve të reja që e rivalizojnë atë. Izolimi është një rrugë qorre, në të cilën njerëzit shtyhen kur sfera politike, ku ata veprojnë nën nxitjen e interesit të përbashkët, shkatërrohet. Njeriu i largohet sferës politike dhe asaj publike, duke u mbyllur në punët e veta. Ai ndërpret gjithashtu lidhjet me të tjerët duke humbur aftësinë e lëvizjes dhe organizimit. Madje ai ndërpret edhe aktivitetin e tij si “homo faber”, duke u mbyllur në vetmi. Vetmia përftohet nga ndjenja e mospërkatësisë ndaj një bote lidhjet me të cilën janë ndërprerë.

Kjo përbën gjendjen e çrrënjosjes dhe teprisë, ku individi ndjen se nuk ka një vend në botë dhe se është i tepërt në të. Vetmia nuk nënkupton veçim për Arendt-in. Përkundrazi, individi është i rrethuar nga njerëz, por marrëdhëniet me ta janë të kushtëzuara nëpërmjet një zinxhiri të hekurt që zëvendëson kanalet e natyrshme të komunikimit. Duke humbur ndjenjën e përkatësisë dhe bashkëveprimit ndjenja e vetmisë prodhon të vetmen formë marrëdhënieje midis individëve.

Kohë më parë se Arendt, Robert Nisbet, trajtoi gjithashtu shkatërrimin e lidhjeve shoqërore tradicionale që sjell totalitarizmi, në përpjekje për të realizuar “asgjësimin e personalitetit”, si një hap i rëndësishëm i projektit të tij të krijimit të “shoqërisë së masave”. Lidhjet shoqërore komunitare dhe pushtetet tradicionale krijojnë një personalitet të pavarur të individit, i cili nuk mund të shkrihet dot me masën. Skllavërimi politik i njeriut, sipas Nisbetit, kërkon çlirimin e tij nga çdo autoritet tradicional dhe kjo është arsyeja përse politika totalitare ka organizuar kudo një projekt për transformimin dhe shkatërrimin e kulturës tradicionale. “Zbrazëti kulturore e shpirtërore, është ajo çfarë i duhet totalitarit për të realizuar planin e tij”.

Në funksion të këtij projekti vihet në dispozicion jo vetëm propaganda, por edhe mjetet e dhunës, përfshirë këtu edhe imponimin që sjellin format e reja të organizimit shoqëror. Ato veprojnë, sipas Nisbet-it, deri në çrrënjosjen e lidhjeve intime farefisnore, të cilat përbëjnë stimuj dhe vlera që, në një të ardhme, mund të shërbejnë si themel për një rezistencë të mundshme. Nëpërmjet përforcimit të praktikave të tilla si spiunimi dhe denoncimi, pushteti totalitar arrin të depërtojë deri në lidhjet intime të individëve, deri breda familjes.

Nga ky këndvështrim mund të themi se është e kuptueshme që, një shoqëri me një të kaluar totalitare si shoqëria shqiptare do ta ketë të vështirë të krijojë shpirtin e solidaritetit social dhe motivimet e duhura për reagim publik. Pas dekadash në një regjim totalitar, individi do të reflektojë patjetër mospërkatësinë e tij tek publikja dhe gjithashtu edhe paaftësinë për të pasur një jetë komunitare, si pasojë e dëmtimit të traditës dhe lidhjeve shoqërore. Mund ta konstatosh këtë, qoftë edhe në fakte të thjeshta si hedhja e plehrave nga dritarja, të cilat shfaqin indiferencën e thellë të individit ndaj mjedisit përtej pragut të shtëpisë së tij. Ai është mësuar të mosbesojë tek e përbashkëta, të mos marrë pjesë në të, të mos i ushtrojë të drejtat e veta, ndaj dhe ai nuk mund të angazhohet në asnjë kauzë publike.

I mësuar të mos ketë asnjë interes për të përbashkëtën, shqiptari nuk beson as se të tjerët mund të kenë interesa të tilla. Ai shikon me skepticizëm cinik çdokënd që angazhohet në mbrojtje të një kauze, duke hamendësuar gjithmonë se janë motive të tjera, kryesisht të një natyre përfitimesh materiale, që i shtyjnë ata drejt aktivizmit. Ata janë mësuar të mosbesojnë tek ndërgjegjia shoqërore, tek solidariteti, drejtësia, apo reagimi social, ndaj nuk besojnë se ka njerëz që sakrifikojnë fjalën, kohën apo enegjitë e tyre në mbrojtje të një të drejte.

Në këtë kuptim individi shqiptar vijon të gjendet ende i izoluar, tashmë jo për shkak të terrorit, si dikur, por refleksivisht për shkak të raportit që është mësuar të krijojë me botën përreth. Ai është i vetmuar, pavarësisht se sot ka lirinë të shoqërizohet, është i vetëpërjashtuar pavarësisht se ka mundësinë të përfshihet, është i izoluar pavarësisht se i ka shancet të ngrihet e të lëvizë. I mësuar me kafazin, ai nuk del prej andej edhe pasi dera është hapur, pasi ka humbur aftësinë të veprojë në një mjedis lirie. Mbi të gjitha, kultura e të mosmenduarit, të gjykuarit me klishe, e mbi të gjitha mungesa e aspiratave përtej hedonizmit dhe materializmit të tij privat prodhojnë një nivel të frikshëm vetmie që ia davarit dëshirën për të marrë pjesë tek publikja.

Në të njëjtën linjë paaftësia për t’u organizuar mbi forcën e vullnetit individual, i bën shumë njerëz në Shqipëri që të mos njohin asnjë formë angazhimi shoqëror, përveç rreshtimit pas një lideri politik. Të mësuar të shkojnë pas të pushtetshmit, ata njohin dhe kuptojnë vetëm angazhimin në mbështetje të një lideri, i cili iu premton strehën e pushteti. Kauza kërkon liri, të cilën shumica e shqiptarëve nuk e kupton dot ende, ndërsa lideri ofron siguri, të cilën njeriu i pakultivuar, i mbetur në nivelin e instikteve të mbijetesës, e percepton mjaft mirë.

* Fragment nga “Politika shqiptare si art i të pamundshmes”, Revista Medius nr. 5