NJË SHQIPËRI E KAPUR NGA ETHET E NJË LIDERI ARROGANT

Nga Jeton Neziraj 

Qeveria shqiptare në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, në një akt të paprecedent, herët në mëngjesin e së dielës së 17 majit shembi godinën historike të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Ky është epilogu i një beteje gati tri-vjeçare dhe i përpjekjes së jashtëzakonshme të një grupi artistësh, aktivistësh e qytetarësh për mbrojtje të atij teatri.

E quajta “epilog” për shkaqe krejtësisht teknike, sepse, në të vërtetë, besoj që ky është vetëm fillimi i një beteje më të gjatë dhe sfiduese, nga e cila, megjithatë, teatri nuk do të jetë humbës.

Konflikti i deritanishëm rreth këtij teatri ka thelluar çarjen mes komuniteti teatror të paorganizuar në Shqipëri, elitës kulturore të shkapërderdhur dhe qytetarëve të ndarë e përçarë politikisht. Një skenë teatrore ndoshta më e varfëra në Evropë, një komunitet i i paorganizuar teatror, i copëtuar si është më së keqi, i joshur dhe i përdorur nga politika për pazaret e saja, por më së shumti, i braktisur nga shteti për dekada të tëra — ja, ky është peisazhi aktual teatror në Shqipëri.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, sërish tani, cytur nga politika, kjo skenë teatrore u bë mejdan konfrontimi. Me një dallim të madh prej herave të tjera, kësaj radhe një grup artistësh, aktivistësh e qytetarësh ia treguan dhëmbët politikës. Dhe kjo nuk është pak, madje është shumë për Shqipërinë aktuale, të kapur nga ethet e një lideri arrogant!

Kur qeveria shqiptare bëri publike planet për shembjen e Teatrit Kombëtar, një grup artistësh dhe aktivistësh e okupuan ndërtesën dhe nga ajo kohë ata kanë qëndruar aty, duke e ruajtur ditë e natë. Në publik ndërkohë rrodhi edhe plani dinak i qeverisë: shembja do t’i hapte rrugë ndërtimit të një teatri të ri, bashkëkohor, siç e quanin me krenari ideatorët, ndërsa investitorit privat që do ta ndërtonte atë, si kompenzim do t’i falej prona mbrapa teatrit për ndërtim të rrokaqiejve, aso që janë bërë fytyra e re e Tiranës.

E kështu, kauzës për mbrojtjen e teatrit të vjetër nga shembja iu bashkua edhe kauza për mbrojtjen e hapësirës publike rreth tij (sado që kjo kauzë kurrë nuk e mori vëmendjen e duhur). Kjo është tabloja e kësaj drame akoma në zhvillim.

ME SHEMBJEN E TEATRIT, QEVERIA E KA FIKUR EDHE ATË MIKROFON TË HAPUR, NGA TË PAKTËT QË KISHIN MBETUR PËR ZËRAT KRITIKË NË SHQIPËRI.

Para se t’i kthehem thelbit, së pari dua të them se kauza për mbrojtjen e teatrit, debati dhe i tërë dialogu (herë i shëndoshë, herë i degjeneruar në fyerje e kërcënime) rreth shembjes së tij ka mundur fare kollaj të marrë një drejtim tjetër, të ketë një frymë konstruktive dhe kështu të sjellë përfitime për të gjitha palët, veçanërisht për demokracinë e brishtë atje. Duke i lënë njerëzit të lirë ta mbrojnë teatrin, qeveria me siguri do të kishte më pak kundërshtarë sesa që ka tani, pas shembjes, kur ata janë shumëfishuar.

Së dyti, përgjatë gati krejt këtyre dy viteve, në oborrin e teatrit ka qenë gjithmonë një mikrofon i hapur, ku artistët e teatrit, shkrimtarët, intelektualët dhe qytetarët kanë pasur mundësi të flasin, të diskutojnë dhe të rrahin çështje e tema që janë me interes jo vetëm për teatrin, por për shoqërinë, politikën dhe të kaluarën e të ardhmen e Shqipërisë.

Me shembjen e teatrit, qeveria e ka fikur edhe atë mikrofon të hapur, nga të paktët që kishin mbetur për zërat kritikë në Shqipëri, e bashkë me të edhe mundësinë për t’u treguar e hapur ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Arroganca e kryeministrit Edi Rama është epike — ajo njihej që më përpara, por tani u pa lakuriq.

Skica për një dramë të ardhshme

Nesër, kur mbase ndokush do ta shkruajë një dramë, ja ca skica skenash që do të mund t’i hynin në punë.

Skena e parë. Pas mesnate. Kryeministri është me kryeshefin e policisë, me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe me një ose dy të tjerë (njëri nga ta mund të jetë gazetar i njërit prej shumë televizioneve që mbahen nga fondet qeveritare). Vendimi është marrë, megjithatë ende ka hezitime të vogla. “Akoma jo, thotë Kryeministri, nuk është akoma natë sa duhet”. Dhe pastaj, kur ora kalon katër e mëngjesit, Kryeministri ua hedh një sy të gjithëve, si shenjë se erdhi çasti për të vepruar.

Kryetari i Bashkisë, i lodhur dhe me shumë hamendësime, bën ta hapë gojën, por Kryeministri e kupton që nga goja e tij sërish do të dalin fjalë dyshuese. “Asnjë fjalë”, i thotë. “Ka marrë fund. E kemi vendosur: do t’bëhet sonte. Nuk ka natë më të bukur sesa kjo për ta shembur atë teatër. Edhe COVID-19 është në anën tonë. Fundjavë e qetë, natë e thellë, kohë pandemie. Mrekullia vetë”. Dhe pastaj jepet urdhëri.

Skena e dytë. Nëse kësaj skene do t’i vënim titull, do t’mund të quhej “Fadroma e krimit”. Policët, me maska, dalin nga kthinat dhe objektet qeveritare përreth ku ishin stacionuar dhe u turren artistëve dhe aktivistëve që po e ruanin teatrin edhe në atë kohë të natës. I kapin me dhunë dhe i largojnë nga aty, mes lotësh e britmash. Ndërsa buldozeri që duket sikur mbin nga nata, shtrin krahun e hekurt dhe nis ta godasë hyrjen e teatrit deri sa objekti shembet. Brenda mureve që biejnë varroset arkiva, kostumet, varroset skena, kujtimet, varrosen mbi 50 vjet teatër…

Skena e tretë. Nuk e dimë se çka ndodh, por ndodh në një ambient futuristik. Aty ku dikur ishte Teatri Kombëtar, tani është ngritur një godinë që duket si qendër tregtare (brenda ka dhe një sallë teatri). Në prapavijë shihen shtatë kulla, më e larta prej të cilave është 23-katëshe.

Skena e parë shërben vetëm për qëllime dramaturgjike, sa për të krijuar pak ankth e vëmendje te publiku. Skena e dytë është e bazuar në ngjarje reale dhe është mirë e dokumentuar. Skena e tretë, sado që është spekulative, sërish, është e bazuar mbi planet urbanistike të qeverisë për atë zonë.

Zhgënjimi është gjendje normale

Tani, fiksionin e fantazinë mënjanë, le t’i kthehemi realitetit. Ajo që pamë në Tiranë në mëngjesin e 17 majit ishte vërtetë shokuese. Në rrethanat në të cilat u bë shembja, pa konsensus shoqëror, pa dialog konstruktiv, me shantazhe dhe kërcënime për artistët dhe kauzën e tyre, pa përpjekje për të hulumtuar alternativa të tjera, me dhunë policore kundër atyre që po rezistonin — krejt këto janë simptoma autokracie dhe pararojë e një diktature në ardhje.

Por, jo diçka e pashoqe në Ballkan.

Le të sjellim për krahasim një episod interesant të shembjeve të ngjajshme të trashëgimisë kulturore në këto anë. Pas mesnatës së 24 Prillit 2016, një grup prej rreth 30 njerëzve të maskuar, me automobila pa targa, shkuan në Beograd dhe në një stil mafioz të paparë demoluan ndërtesat e vjetra të Savamala-s, një kult hapësirë në Beograd, në vend të së cilës qeveria synonte të ndërtonte një bllok banimi luksoz. Natyrisht, akti mafioz ishte i inkurajuar nga Aleksandër Vuçiq — atëherë kryeministër e tash president.

KUR RAMA E MORI TIMONIN E DREJTIMIT TË VENDIT, SHUMË ARTISTË KISHIN PRITJE TË MËDHA.

Tani, këto dy aksione — talibaneske për nga natyra — kanë disa të përbashkëta. Të dyja janë janë urdhëruar dhe menaxhuar nga politikanët më të fuqishëm dhe janë ekzekutuar natën, për llogari të oligarkëve. Veçse, me një dallim të vogël: Vuçiq shembjen nuk e ka kryer vetë, por përmes një grupi vagabondësh, të cilët, natyrisht, nuk janë ndjekur e arrestuar kurrë.

Dy të fuqishmit e Beogradit dhe Tiranës kanë edhe të përbashkëta tjera në “ideologjinë” e tyre të krimit: mendësinë autoritative qeverisëse, arrogancën në vendimmarrje, mos-transparencën, blerjen e mediave, keqpërdorimin e pushtetit dhe përdorimin e forcës për të pabindurit dhe kritikët e kështu me radhë. Pra, përdorin metoda klasike të autokratëve që shtetin e konsiderojnë pronë të tyre.

Rama, edhe vetë artist, paradoksalisht afinitetin për art më tepër sesa për të mirën e komunitetit artistik e për të mirën publike, kur erdhi në pushtet e shfrytëzoi për ta promovuar veten. Kur ai e mori timonin e drejtimit të vendit, shumë prej artistëve kishin pritje të mëdha. Mirëpo Shqipëria është vend ku zhgënjimi është gjendje normale.

Opozita, alternativë e zorit

Për lexuesit e painformuar, të themi edhe se, para rreth tri vitesh, stafi dhe shumica e aktorëve të Teatrit Kombëtar u vendosën dhe vazhduan punën në ArtTurbina, një hapësirë kulturore që u krijua enkas si shtëpi e përkohshme për artistët derisa të ndërtohej teatri i ri mbi rrënojat e të vjetrit që duhej shembur — dhe që tani u shemb. ArtTurbina është hapësirë e shkëlqyeshme, me dy salla shumë të mira, megjithëse në një zonë jo fort të përshtatshme.

Artistët u ndanë në dy blloqe. Të parët dëshironin ndërtimin e teatrit të ri, pa asnjë kusht, mbi themelet e të vjetrit. Ata, ndoshta edhe më të drejtë, të lodhur nga kushtet e mjerueshme në të cilat kishin bërë teatër krejt këto vite, ëndërronin për një sallë të dinjitetshme, me kushte normale pune. E atë sallë qeveria po ua ofronte, mu në zemër të Tiranës. Për ta kjo mjaftonte — argumentet e tjera ishin pa peshë, jo-relevante.

Teatrin e vjetër — të cilin e kishin braktisur deri sa të ndërtohej i riu — ata e quanin barakë pa vlerë, që s’i plotësonte kushtet për punë të dinjitetshme. Kjo ishte deri diku e vërtetë, por për këtë çështje do të flas pak më poshtë. Dhe meqë jemi këtu, për hir të korrektesës, më duhet të them se, në fillim edhe unë i kam takuar këtij grupi që ka besuar kështu symbyllurazi, në një “teatër të ëndrrave”, të ngrohtë edhe gjatë dimrit. Madje, duke përdorur këto argumente, pata dhënë edhe një deklaratë për mediat atje,  për të cilën shpejt u pata penduar.

Ndërsa blloku tjetër i artistëve, të cilët ishin grumbualluar rreth Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit — një grup joformal i artistëve dhe aktivistëve —  dhe që po e ruanin teatrin e vjetër, poashtu e donin një teatër të ri, por jo të ndërtuar mbi të vjetrin. Ata donin ta ruanin të vjetrin dhe poashtu donin të ndërtohej edhe i riu, në një hapësirë tjetër. Ata ishin kundër edhe që qeveria ta grabiste trollin e teatrit dhe që aty të ndërtoheshin rrokaqiej.

Kur Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e okupoi objektin pasi qeveria bëri publike planet për teatrin e ri, ka pasur një përpjekje të qëllimshme për ta politizuar tërë çështjen dhe kauzën. Duke e quajtur qëllimisht “të politizuar”, është synuar që kauza të zhvlerësohet dhe të ulet në rrafshin e politikës ditore, si “betejë e opozitës me pozitën”, ose shpesh si “trampolinë e opozitës për vëmendje”.

Dhe në këto synime demonizuese kanë pasur sukses. Shumë artistë, aktivistë dhe qytetarë kanë preferuar të rrinë indiferentë — ta shohin qetë, nga televizionet, si “njërën nga përplasjet e radhës të opozitës me pozitën”.

OPOZITA KULTURORE KA QENË DHE NGELET SHUMË E PAFUQISHME — AKOMA MË E PAFUQISHME ËSHTË OPOZITA POLITIKE.

Në rrethana normale, grupi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit do të ishte shumë më i madh dhe shumë më i fuqishëm, porse në një Shqipëri si kjo tani, një gjë e tillë nuk duket fort e kollajshme. Bëhet fjalë për një vend, ndoshta i vetmi në Europë, ku nuk ka asnjë teatër të pavarur. Jeta teatrore atje është kryekëput e varur nga mbështetja financiare e shtetit — kjo besoj që shpjegon shumëçka.

E në rrethanat aktuale, shumica e artistëve ose janë të punësuar në ato pak teatro publike që funksionojnë, ose në agjenci të tjera shteti, ose janë të angazhuar nëpër shou të ndryshëm televizivë, të cilat në të shumtën e rasteve prodhohen nga televizione që kontrollohen e financohen nga burime shtetërore. Pra, siç po e shihni, është një rreth vicioz, jo fort i kollajshëm për t’u thyer.

Dhe kështu është edhe me strukturat tjera të kulturës, por edhe me rrethet e intelektualëve e të aktivistëve. Opozita kulturore ka qenë dhe ngelet shumë e pafuqishme — akoma më e pafuqishme është opozita politike. Ajo, madje, për hir të korrektesës, ka bërë përpjekje që kauzën e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar ta fusë brenda agjendës së vet politike.

Natyrisht, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e pafuqishme kundër një qeverie grindavece dhe të gatshme për konfrontim, nuk është se ka pasur zgjedhje. Prandaj, për ta, bashkëpunimi me opozitën ka qenë alternativë — jo më e mira, por e vetmja në këto rrethana. Dhe e vetmja shpresë për rezistencë më afatgjatë.

Mjerimi 30-vjeçar i teatrit

Teatri Kombëtar që u shemb ka qenë i dërrmuar fizikisht dhe me një infrastrukturë primitive. Vështirë të thuhet nëse në të është bërë ndonjë investim serioz në këto 30-40 vitet  e fundit. Dhe në përgjithësi, krejt infrastruktura teatrore në Shqipëri është rrënuar e lënë pas dore.

Investimet e vetme janë bërë në Teatrin e Korçës dhe deri diku në atë të Shkodres. Në Elbasan, teatri është renovuar krejtësisht pas djegies që kishte pësuar, megjithatë, skena e tij kurrë nuk është pajisur me ndriçim dhe as me zërim skenik. Sindrom ky i shumë projekteve atje, të nisura por të lëna në gjysmë.

Në Tiranë, ndër investimet më kredibile teatrore ka qenë krijimi i ArtTurbinës, pastaj i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe i teatrit “Metropol” që financohet nga Bashkia. Disa nga këto pak investime kanë ardhur më tepër për shkak të vullnetit të ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, sesa që kanë qenë pjesë e ndonjë strategjie zhvillimore. Ndonëse shumë artistë në Tiranë mund të mos pajtohen me këtë konstatim, do të thosha se Kumbaro ka bërë punë të mira, sidomos sa i përket trashëgimisë kulturore.

PUSHTETI U TREGUA I ZOTI TË REKRUTOJË PËRKRAHËS DHE NUK VEPROI I VETËM.

Gjithsesi, për krejt këto mbi 30 vite që pas rënies së komunizmit, vetëm kaq është investuar në teatrin në Shqipëri. E Teatri Kombëtar, si duket, qëllimshëm është lënë mënjanë, si për të ngulitur te publiku, tek artistët e te mediat idenë e një teatri të shkatërruar, të një teatri ku s’ia vlen investimi dhe të një teatri që duhet shembur.

Pra, në idenë e shembjes është investuar mbi 30 vite.

Dhe gjendja e mjerueshme e atij teatri, natyrisht, duhet t’i ketë lodhur artistët. Por unë mendoj që mllefi i artistëve për atë gjendje të mjerë s’do të duhej të zbrazej mbi atë teatër, përkundrazi, mllefi do t’ishte dashur të zbrazej te politikanët (edhe te të djathtit, edhe te të majtit; sa i përket mosmbështetjes së kulturës, nuk është se kanë ndonjë dallim thelbësor).

Hannah Arendt, në librin e saj “Mbi dhunën”, thotë me të drejtë: “Pushteti i korrespondon aftësisë njerëzore jo thjesht për të vepruar, por për të vepruar bashkërisht”. Edhe në këtë rast, pushteti u tregua i zoti të rekrutojë përkrahës dhe nuk veproi i vetëm, por bashkërisht — fatkeqësisht, edhe me artistët. Dhe unë mendoj që këtu është hileja, të cilën plot artistë nuk e kanë kuptuar me kohë e ndoshta disa akoma nuk e kuptojnë.

Përse duhet t’i besojmë tani kësaj qeverie që premton ndërtimin e një “teatri modern”, të një lloj “parajse teatrore”, ndërkohë që në realitet ka kontribuar në krijimin e një ferri teatror! Dhe që ta them sërish: këtë ferr nuk është se e ka krijuar vetëm kjo qeveri tani, por edhe opozita kur ishte dje në qeveri, dhe kam frikë se do ta vazhdojë edhe qeveria nesër, cilado që të jetë ajo.

Pse shembja s’është dashur të jetë opsion 

Teatri Kombëtar ka qenë i projektuar nga një arkitekt italian si pjesë e një kompleksi më të gjerë që u finalizua në vitin 1941, në një periudhë kur Shqipëria qe e pushtuar nga Italia fashiste. Fillimisht ishte konceptuar si kompleks kulturor teatër-kinema dhe njihej me emrin “Savoja”. Në vitin 1943 u riemërua “Kosova”.

Pas çlirimit të Shqipërisë në vitin 1945, thuhet se aty janë zhvilluar gjyqet e para ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist. Nga po i njëjti vit aty e ka pasur selinë edhe “Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”, e pak më vonë aty është vendosur teatri profesionist. Në atë kohë është quajtur “Teatri Popullor”, kurse pas rënies së komunizmit është emëruar “Teatri Kombëtar”.

Fakti që ishte ndërtuar nga fashistët u përdor tani edhe si njëri argumentet pro shembjes, se “ishte një projekti pa vlerë i Italisë fashiste”. Për më tepër, fakti që aty ishin mbajtur gjyqet e komunistëve, nga disa ishte edhe një argument shtesë sipas logjikës “çka na kujton të keqen, le ta zhbëjmë nga faqja e dheut”.

AI TEATËR I SHKALAFITUR ISHTE KUJTESA MË E MIRË E NJË SHQIPËRIE POAQ TË SHKALAFITUR.

Ideja për një teatër të ri nisi në fillim të viteve 2000 — që ose duhej të ndërtohej dikund tjetër, ose mbi atë të vjetrin që duhej shembur. Edi Rama, aso kohe Ministër i Kulturës, ishte njëri ndër ata që kërkonte shembjen. Njëzet vite nga ajo kohë, ai i dha jetë kësaj ideje. Paçka që çmimin e kokëfortësisë së tij do ta paguajmë të gjithë ne të tjerët.

Renovimi, sipas tij dhe të tjerëve, nuk ishte opsion sepse kushtonte shumë dhe, siç thonin, nuk ia vlente barra qiranë. Kjo na e kujton atë anekdotën arabe që e tregon filozofi Ernest Gellner: një njeri i lutej Zotit që t’ia ndreqte aq shumë mynxyra personale, saqë fqinji i tij në lutje me shpoti vërejti se për Zotin është shumë më kollaj të krijojë një njeri nga e para sesa të ndreqë një gërmadhë si puna e tjetrit.

Ai teatër natyrisht nuk është dashur të shembet. Kjo u tha me qindra herë, në krejt këtë debat kaq të gjatë. Nuk bëhej fjalë më vetëm për një “Teatër Kombëtar”, por për një objekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare. Aty ishin rreth 80 vite histori, histori teatri po se po, por edhe histori të Shqipërisë, të konvertuara në kujtime, në ngjarje, në mbamendje kolektive.

Ai teatër, ashtu siç ishte, i shkalafitur, ishte kujtesa më e mirë e një Shqipërie poaq të shkalafitur. Dhe prandaj, shembja është akt vetëshkatërrimi. Është sikur veprimi i atij, që i pakënaqur me fytyrën e tij, e  gërrithë dhee gjakosë atë me shpresën se duke e çjerrë, do të nxjerrë në dritë një fytyrë tjetër, më të bukur…

Ëndrra e të Përhiturve

Shembja më e madhe teatrore në Shqipëri nuk është shembja fizike e Teatrit Kombëtar, që u bë natën e 17 majit të këtij viti. Shembja më e madhe që i ka ndodhur teatrit shqiptar, këto më se 30 vite, është degradimi estetik dhe moral i idesë së të bërit teatër, arroganca dhe përbuzja e shtetit ndaj teatrit, pafuqia dhe paaftësia e komunitetit artistik për t’u organizuar. Me përjashtim të një grushti të vogël artistësh teatrorë, ndër ta ta zëmë, Stefan Çapaliku, Ema Andrea, Gjergj Prevazi, Arben Kumbaro, Altin Basha, Enton Kaca e ndonjë tjetër, vërtetë nuk di se çka do të quanim sot teatër bashkëkohor në Shqipëri.

Kjo lëvizje për teatrin, pavarësisht çarjes që ka krijuar brenda vetë komunitetit teatror, dhe pavarësisht çmimit që u pagua, duhet të jetë fillimi i një beteje më të gjatë për ta çliruar teatrin nga kthetrat e degradimit dhe një beteje që përpos kauzës për objektet fizike, lufton edhe për një kauzë tjetër, në mos edhe më sublime — kauzën për dinjitetin e teatrit në Shqipëri, dinjitet që është rrëmbyer nga të gjithë nga pak, duke përfshirë edhe nga vetë artistët, por sidomos nga politikanët.

NË RIVIERËN SHQIPTARE, VEÇ RËRËS, TURISTËVE MUND DHE DUHET T’U OFROHET EDHE NJË MENY KULTURORE.

Me siguri kjo tingëllon si thirrje moralizuese, megjithatë jam i prirur të besoj në fuqinë e teatrit. Edhe kur artistët teatrorë humbin shpresat, ideja e teatrit ia del të triumfojë dhe t’i udhëheqë artistët, qofshin ata vetëm një grusht… Kjo që kanë bërë disa prej tyre këto vite, në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, duhet të shërbejë si inspiririm.

Ndërkohë, natyrisht, paralelisht me besimin në fuqinë e teatrit, duhet ndoshta të ëndërrojmë edhe për ndonjë princ-politikan — aso çfarë ëndërron e Përhitura —  që do të vinte për ta nxjerrë teatrin nga mjerimi. S’ka pse të jetë ndonjë politikan artist, as ndonjë politikan i kapur nga oligarkët, thjesht, mund dhe duhet të jetë një politikan a politikane normale, që zhvillimin e teatrit e sheh si potencial.

Duhet të jetë dikush që e kupton se, në rivierën shqiptare, veç rërës, turistëve mund dhe duhet t’u ofrohet edhe një meny kulturore. Se në fund të fundit, një kulturë e zhvilluar mund të shndërrohet në një industri që nxit turizmin dhe kështu gjeneron të ardhura. Duhet të jetë dikush që e kupton se krijimi i një skene kulturore të pavarur i bën nder demokracisë, bëhet stimul për zhvillim dhe emancipim shoqëror aq të nevojshëm për Shqipërinë.

Dhe kështu, ndërkohë që akoma vajtojmë humbjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, ëndrra për teatrin vazhdon, më e gjallë, më e formësuar dhe më e bukur se kurrë më parë… Ndonjë cinik tani do të mund ta citonte Marksin, që thoshte se “problemi qëndron në faktin se ëndrrat nuk realizohen kurrë”.

Teatri, megjithatë, është vend i ëndrrave dhe i mrekullive!