Indrit Vokshi – A e shembi PD Teatrin?

Nga Indrit Vokshi

Ka nisur një luftë e pisët kundër Partisë Demokratike duke e akuzuar si “bashkëpunëtore në shembjen e teatrit”.

Nga njëra anë luan Endri Fuga, rrufepritësi i talebanit Rama i cili me mjetin e tij të propagandës, rrufenë e opinionit publik mbi shefin e tij Rama dhe mikun mjaftist Veliaj, synon ta tokëzojë e ta shkarkojë mbi opozitën.

Për ketë operacion përdoren aktivistë “të pavarur”, analistë, folës, faqe interneti – përdoren interesat e ndryshuara dhe mllefi ndaj lidershipit demokrat.

Përdoren edhe ata që Sigurimi i Shtetit i quante “agjentë të fjetur”. Agjentët e fjetur ishin persona të cilët nuk zhvillonin veprimtari agjenturore në përditshmëri por do të përdoreshin në raste të veçanta. Ata do dukeshin si qytetarë të painteresuar për politikën dhe në momentin e caktuar, hidhen në lojë me etiketën “të pavarur”.

Nga ana tjetër luajnë ata eksponentë dhe financues të partive të reja që duan të futen në treg, tip Vetëven-dosjesh ose lëvizje që duan të formësohen para zgjedhjeve.

Këta synojnë t’i zënë vendin opozitës. E paimagjinueshme. Gjithkund në botë, një parti synon të jetë qeveria. Këtu luajnë për të qenë opozita. Dhe përpiqen ta arrijnë ketë duke denoncuar opozitën. Qëllimi i tyre është të delegjitimojnë opozitën, ta shkatërrojnë dhe të jenë ata opozita. Paramendo, duan të jenë opozita, jo qeveria.

Duke tentuar të shkatërrojnë opozitën aktuale, pranojnë t’i japin qeverisë Rama edhe një mandat të tretë në mënyrë që gjatë mandatit të tretë, opozita të jenë këta. Nuk duan të jenë radikalë kundër qeverisë, sepse, llogarisin se ashtu ndihmojnë opozitën PD-LSI për të fituar zgjedhjet. Nuk duan të jenë opozita e qeverisë PD-LSI, duan të delegjitimojnë opozitën PD-LSI dhe të jenë opozita e qeverisë “Rama 3”. Kuptohet qartë kujt i shërbejnë.

Sigurisht, kjo nuk do të ndodhë, pasi njerëz kaq të pamençur politikisht nuk do të munden të arrijnë asnjë sukses. Mirëpo shqiptarët duhet ta dinë se çfarë po luhet.

Shembja e Teatrit është paligjshmëri e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Është paligjshmëri e pandashme dhe e patjetërsueshme, nuk mund të ndahet një paligjshmëri të cilën e kanë gatuar vetë, për të cilën nuk ka asnjë dekleratë mbështetëse të opozitës ku inkurajon paligjshmërinë. Nuk kemi pse paligjshmërinë e atyre tua ngarkojmë të tjerëve për qëllime të ulëta.

Pse nuk e ndalon opozita paligjshmërinë? Duhet kuptuar qartë, njëherë e për përherë që opozita shqiptare nuk është milici a grup paramilitar i cili e kushtëzon qeverinë përmes sulmeve terroriste. Forcat Renea, FNSH, repartet Shqiponja të qeverisë, janë forca të armatosura. Kësisoji ato ndalohen vetëm me armë, prej një force tjetër të armatosur. Opozita nuk është kjo milici e ky shtet paralel.

Ky popull, ky elektorat, pavarësisht pse dhe si, në vitin 2017 i ka dhënë Partisë Socialiste 74 mandate. Ndërsa Partisë Demokratike, 43 mandate. Tani disa individë, fajsojnë opozitën pse nuk e ndalon Edi Ramën, kur ata vetë nuk i kanë dhënë kësaj opozite fuqi për ta ndaluar Edi Ramën.

Nga njëra anë kërkojnë opozitë me alternativë qeverisëse, nga ana tjetër opozitë milici e forcë paramilitare. Disa njerëzë të cilët kanë sjellë Edi Ramën në pushtet dhe më pas janë idhnuar me të, nuk mund të kërkojnë që opozita të përdoret për mllefin e tyre dhe ta vrasë Ramën me atentat. Edi Rama është produkt i atyre që e mbështetën dhe përgjegjësinë për krimet e Ramës, duhet ta ndajnë ata me Ramën, para se të kërkojnë tia faturojnë PD-së duke e shpallur bashkëfajtore.

Me ketë logjikë që përdorin, sikur PD ka faj ngaqë nuk ndërtoi milici e forcë paramilitare për ta goditur me antitank fadromën e teatrit, i bie që PD ka përgjegjësi për kanabisin se nuk bleu një helikopter për ta spërkatur që të mos rritej.

Paligjshmëria e Rama-Veliaj është paligjshmëri vetëm e atyre, smund të kenë luksin ta ndajnë me askënd e tia faturojnë askujt. Kjo është e vërteta dhe kjo e vërtet nuk mund të tjetërsohet prej njerëzve banalë të cilët kanë nevojë të godasin opozitën, për llogaritë e tyre fëmijnore.