Era Dushi – Më vjen keq për ata që varen nga gjykimi i të tjerëve!

Nga Era Dushi

Ndoshta varem edhe unë ndonjëherë?
E pse duhet?!
Se mos na dhanë ndonjë “dorë” në jetë, mos i patëm mbështetje, apo mos sakrifikuan në rritjen, edukimin tonë?!
Jo! Janë thjeshtë disa njerëz të ligj, të pa punë, të cilët nuk kanë asgjë interesante për të bërë me jetën e tyre dhe diskutojnë tonën. Është një shoqëri me disa rregulla aq të pa kuptimta, të krijuara e ndërtuara mbi pa ndershmëri, imoralitete, po aq sa politikanët që zgjedhin për ti drejtuar.
Po, ferri janë të tjerët!
Për mënyrën e pa matur që flasin, për sigurinë e të shprehurit teksa komentojnë e thonë budallallëqe. Ferri janë të tjerët që diskutojnë si një telenovelë mënyrën se si vishesh, si krihesh, si ecën, si flet!
Në ferr shkofshi që të gjithë!
Gjykimin tuaj nuk e llogaris në jetën time të drejtë e të pastër.
Nuk më bëni dot të keqe se më shihni të krehur bukur, të kujdesem për veten, as kur nuk e ndryshoj drejtimin dhe rrugën time nga fjalët tuaja negative.
Nuk bëhem e përdalë pse jam me nxitim për të shkuar diku, kam oraret e mia, kam shumë miq, ose pse zoti më ka falur hire të bukura.
Nuk jam unë provukuese, jeni ju të cekët!
Ju që lejoni t’ju ofendohen nënat, motrat, shoqet, kushurirat, e çdo vajzë tjetër mbi këtë tokë.
Jeni ju anti feministët që mendoni se të jesh feminist/e do të thotë që vajzat e gratë të bëjnë çfarë të duan e si të duan.
Por jo “të dashurit e mi”, keni mungesë të theksuar informacioni. Feminist/e mbi të gjitha të bën respekti për vajzat dhe të drejtat e tyre.
Andaj keni qëndruar në vend numëro, se jeni të zënë duke gjykuar veprimet, mënyrën se si tjerët e jetojnë jetën.
Është jeta jonë dreqi e mori, gabimet tona, pasoja që i heqim ne mbi supe.
Pse dreqin bën rolin e Shakohoxhës dhe Olti Currit për jetën time?!
Më hiqeni si të emancipuar, kur ju nuk e njihni fjalën emancipim dhe as nuk e marr mundimin tua shpjegoj, pasi përsëri ju do të dëgjoni e kuptoni atë që doni të dëgjoni e kuptoni.
Ju jeni ferri dhe llumi i shoqërisë sonë.
Prej jush vajzat kanë frikë të ndërmarrin “hapa”. Ju mungon vetëbesimi, guximi, kurajo dhe prej jush nuk e njohin privatësinë, të drejtën e të qenurit e pavarur. E përsëri, po ju, me fjalët dhe “parimet” tuaja antinjerëzore, ndikoni që qindra vajza të përfundojnë në shërbëtore e skllave të bashkëshortëve prototipë, të edukuar po nga ju, me idenë që gruaja duhet të shtypet, të nëpërkëmbet.
Nuk dini ndryshe! Kështu kanë bërë me ju dhe ndaj e lejoni të vazhdojë një ferr i tillë.
Ju jeni ferri i vërtetë, që e keqja dhe ligësia e shpirtit ju depërton në fytyrë dhe ngjani aq shëmtuar e të pështirë sa nuk e keni idenë!
Unë dhe jeta ime nuk varemi prej jush dhe nuk më bëni dot pis me vrerin dhe helmin e zemrës suaj.
Shoqëri jo humane, nuk dua të përfaqësohem nga individë të tillë!

more recommended stories

loading...