Si kontribuan komunistët për pushtimin e Shqipërisë dhe si u shpërblyen nga fashistët?

Nga Dr. Hasan Bello

Një rol të rëndësishëm për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste ka luajtur edhe lëvizja komuniste. Kjo pavarësisht orientimit që u erdhi nga Kominterni në vitin 1938 nga i dërguari i posaçëm Koço Tashko. Sipas “vijës së re” ata duhet të bashkëpunonin me qeverinë kundër nazifashizmit, i cili nga Bashkimi Sovjetik konsiderohej rrezik më i madh se çdo gjë tjetër. Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Një pjesë e mirë e komunistëve shqiptarë, sidomos Grupi Komunist i Shkodrës, i drejtuar nga Zef Mala ku bënte pjesë edhe rioshi Qemal Stafa, nuk pranuan. Përkundrazi, ata u bënë pjesë e një skenari të shërbimit sekret italian, i cili synonte krijimin e një lëvizje antiqeveritare, për t`i dhënë shkas ndërhyrjes ushtarake të Italisë në bazë të trakteve që kishte nënshkruar me Shqipërinë.
Në fakt Zef Mala shquhet si përpunues i një “teorie” e cila ishte pro pushtimit italian. Sipas tij, mungesa e proletariatit aq të domosdoshëm për krijimin e Partisë Komuniste, vinte për shkak të mungesës së industrisë. Kjo mund të arrihej vetëm pas pushtimit italian, i cili për interesat e tij, do të zhvillonte edhe këtë sektor. Më vonë kjo “teori” profashiste do të kritikohet nga vetë komunistët. Por në këtë periudhë ajo do të luaj një rol negativ. Sipas informacioneve të shtetit shqiptar përfaqësuesit e Grupi Komunist të Shkodrës ishin parë duke hyrë në Kuesturën e Barit, ku merrnin udhëzime për veprimtarinë e tyre kundër regjimit. Për këto arsye, në prag të pushtimit, Mbreti Zog dha urdhër të arrestoheshin të gjithë drejtuesit e Grupit Komunist të Shkodrës, të cilët ishin implikuar me shërbimin sekret italian dhe kundërshtonin direktivat e Kominternit.
Megjithë dënimet që dha gjyqi politik i kohës, komunistët nuk qëndruan më shumë se disa javë në burg. Që më 8 prill 1939, Xhafer Ypi, i cili mori frenat e qeverisjes kuislinge, në funksionin e Kryetarit të Komitetit Administrativ të Përkohshëm, urdhëri i parë që dha për të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat ishte të lëshoheshin të gjithë të dënuarit për Bolshevizëm. Musolini dhe Italia fashiste e mbajti fjalën…
(Për ta konfirmuar këtë më është dashur shumë vite punë)!a11