Shembja e Teatrit| Mentor Nazarko: Rama preku dhe votuesit më të rregullt të PS

Analisti Mentor Nazarko tha se shembja e Teatrit Kombëtar ishte një moment i trishtë në historinë e jetës së kryeqytetit.

Sipas Nazarkos, ajo godinë nuk ishte vetëm Teatër Kombëtar, por kishte edhe disa funksione të tjera të rëndësishme, ndërsa shtoi se edhe nga pikëpamja legale ka probleme.

Ndërsa, duke vlerësuar protestat e shoqërisë civile, analisti theksoi se me shembjen e Teatrit, Rama ka prekur edhe ata individë që votonin rregullisht për Partinë Socialiste.

“Është një moment i trishtë në historinë e jetës së kryeqytetit. Ajo godinë nuk ishte vetëm teatër, por lidhej me funksionimin e qendrës së studimeve shqiptare, që ishte një qendër ku personalitete të shquara të vendit tonë kanë kontribuar për historinë tonë kombëtare. Kolici, Fishta, Dhimitër Berati e figura të tjera. Ishte një qendër që kishte shqërbyer dhe për Institut të Shkencave. Pra ishte një monument i historisë sonë kombëtare. Tani po zhduket dhe kjo është shumë e trishtë.

Nga pikëpamja legale, besoj se procedura e shkatërrimit të saj duhet të ketë probleme. Nuk jam në dijeni që ta formuloj personalisht ku është problemi ligjor. Një veprim i tillë i shpejt pa e pasur të qartë se cfarë do të bëhet atje është gjithashtu problematik. Ne kemi të bëjmë me një kryeministër, i cili që kur ka filluar të bëhet personazh publik, ka formuluar që herët prishjen e kësaj godine”, tha Nazarko.

Mënyra si u prish godina e Teatrit ishte ndryshe, kjo ndërhyrja e policisë si ishte?
Mendoj që vlejnë të gjitha argumentet kritike për veprimin e policisë. Koha e zgjedhur për të ekzekutuar këtë vendim, që qarkullon në mendjen e Ramës që herët, është konceptuar se nuk do të kishte rezistencë të madhe, edhe pse ka pasur. Është hera e parë në historinë e pluralizmit që shoqëria civile bën një rezistencë kaq të gjatë. Në këtë kuptim unë kam gjithë fjalët më meritore për këtë rezistencë. Është një rezistencë që i bën nder shoqërisë shqiptare.

Pati dhe përçarje…
Kjo është e pashmangshme. Shoqëria jonë e ka përjetuar në mënyrë dramatike prishjen e teatrit, ndodhi në mes të pandemisë. Ngjarje si këto e provokojnë thellë emicionalitetin publik. Në periudha si këto të epidemive, emergjencave, tërmeteve, shoqëritë janë më të ndjeshme. Në këtë kuptim ishte një goditje, që ka pas një efekt të jashtëzakonshëm. Ky veprim duhet të ketë prekur edhe krahun e atyre që votojnë rregullisht për PS. Kjo ngjarje ka prekur në mënyrë transversale edhe ata individë që mund të identifikohen me krahun e majtë.