Parlamenti Legalizoi kriptomonedhat. Rrezik për pastrim parash nga mafia e kanabisit

Kuvendi miratoi të enjten një ligj që legalizon dhe rregullon kuadrin ligjor për monedhat virtual, duke e bërë Shqipërinë vendin e tretë në Europë që legjitimon kriptomonedhat. Ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë nismën. Nga ana tjetër, ekspertët thonë se duhet kujdes sa i përket zbatueshmërisë së këtij ligji, pasi përdorimi i monedhave virtuale ka rrezik për pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera të jashtëligjshme.
Kriptomonedhat ose monedhat virtuale janë monedha dixhitale të emetuara nga individë privatë, të cilat nuk kanë vlerë ligjore të garantuar nga një shtet apo institucion ndërkombëtar. Vlera e tyre e tregut luhatet si rezultat i kërkesës së individëve për transaksione ose i pritshmërive të tyre mbi rritjen e mundshme të çmimit të tregut në të ardhmen.
Bitcoin është monedha e parë virtuale e emetuar privatisht në vitin 2009 nga një autor anonim. Infrastruktura dixhitale që mundëson kryerjen e pagesave me Bitcoin ka zgjuar interesin e autoriteteve monetare.
Në Shqipëri, diskutimet për kriptomonedhat nisën verën e vitit 2018. Në atë kohë, ekspertët dhe Banka e Shqipërise bënë thirrje për kujdes ndaj investitorëve mbi përdorimin e kësaj monedhe, e cila është një kod kompjuteri, që nuk ekziston fizikisht por ofron fitime të larta. Por së fundmi, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në një dalje publike për mediat deklaroi se kriptovalutat janë risi teknologjike, të cilat janë duke u zhvilluar. Zhvillimet e sotme teknologjike në botë ecin shumë shpejt tha ai më tej dhe bankat qendrore janë duke zhvilluar kapacitetet e tyre në këtë drejtim.

Në relacion pranohet se pastrimi i parave është një nga rreziqet që lidhet me përdorimin e monedhave virtuale.

Sa i takon vetëm pastrimit të parave, thuhet se projektligji adreson edhe çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licencë-krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, nëpërmjet hartimit të politikave për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave.