Kryemadhi në një “mendje” me Bashën: Të vendosur të realizojmë “Zgjedhoren”

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka shprehur të njëjtin qëndrim si kryeatari i PD-së, Lulzim Basha lidhur me vazhdueshmërinë e reformës zgjedhore.

Kryemadhi theksoi se përmbushja e të gjitha detyrimeve ndaj “Zgjedhores” vijon të mbetet prioriteti i saj.

Ajo shprehet se është e vendosur për të realizur reformën zgjedhore, pavarësisht dhunës së ushtruar policore ndaj artistëve dhe aktivistëve në protestën për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Përmbushja e të gjitha detyrimeve ndaj reformës zgjedhore ka qenë dhe mbetet prioriteti im si Kryetare e LSI-së, ndaj do të vazhdoj të bëj të gjithë presionin e nevojshëm, që ajo të realizohet me konsensus dhe sa më parë, si kusht i rëndësishëm për të rikthyer legjitimitetin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Shembja e paligjshme e Teatrit Kombëtar dhe përdorimi i dhunës policore mbi artistët, mbi gazetarët, mbi veprimtarët e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e opozitës, është provokimi i rradhës së Edi Ramës ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptarë, i cili edhe në sallën e Kuvendit vazhdoi me të njejtën gjuhë fyese dhe provokative, për të na detyruar të largohemi nga tryeza e reformës zgjedhore. Por pavarësisht dhunës policore, pavarësisht gjuhës fyese, provokuese dhe urrejtjes së Edi Ramës, e ritheksoj edhe një herë se ne jemi të vendosur të realizojmë reformën zgjedhore dhe largimin përfundimtar të tij nga pushteti, si kusht për rikthimin e demokracisë në vend”.