Astrit Lulushi – Pak Aristotel

Astrit Lulushi

Emri i tij është i pavdekshëm. Në lashtësi, maqedonasit, grekët dhe ilirët e quanin të vetin, por të mëdhenjtë i përkasin gjithë botës. Aristoteli ishte një nga filozofët më të famshëm që bota ka njohur ndonjëherë. Pjesa më e madhe e punës mbi filozofinë perëndimore është vepër e tre të mëdhenjve: Sokrat, Aristotel, Platon.
Aristoteli lindi diku rreth vitit 384 pes. Qyteti i tij i lindjes ishte Stagira ose Siderokafsia, që do të thotë furrë shkrirjeje ose Shkritore, në Greqinë veriore.
Babai i tij ishte Nikomaku. Nëna e tij ishte Phaestis. Nikomaku ishte një mjek oborri për Amyntas II – Mbret i Maqedonisë. Nikomaku (Niko i Madhi) vdiq kur Aristoteli ishte i ri. Nuk dihet shumë për Phaestis (Shtëpiake). Besohet se edhe ajo vdiq kur Aristoteli ishte i ri.
Pas vdekjes së Nikomakut, Proxenus – burri i motrës së Aristotelit, Arimneste (njeri që mban mend shumë) – u bë kujdestari i Aristotelit.
Kur Aristoteli mbushi moshën 17 vjeç, Proxenus e dërgoi në Athinë, për të ndjekur arsimin e lartë. Aristoteli u regjistrua në Akademinë e Platonit dhe shumë shpejt u njoh si student i jashtëzakonshëm.
Aristoteli kishte marrëdhënie të ngushta me Platonin dhe ishte një nga nxënësit e tij më të preferuar. Besohej se pas Platonit, Aristoteli do të bëhej drejtori i Akademisë. Pas vdekjes së Platonit në 347 pes, Aristoteli nuk e trashëgoi pozicionin e drejtorit sepse nuk mundi të pajtohej me disa nga traktatet filozofike të Platonit.
Aristoteli shkoi i ftuar në oborrin e Hermias – një mik i Aristotelit – ku qëndroi për 3 vjet, dhe u martua me mbesën e Hermias, Pythias. Aristoteli lindi një vajzë me Pythias. Emri i vajzës ishte gjithashtu Pythias. Sipas mitologjisë, Pythia, ishte mënyra a rruga me anë të së cilës perënditë komunikonin me njeriun – orakulli i Delphic ishte gjithnjë një grua që komunikonte me Apollonin (Pallas) për të marrë shpjegimin e ëndrrave ose përgjigjen e pyetjeve që bënin vizitorët.
Në 338 pes, Aristoteli u kthye në vendlindjen e tij në Maqedoni. Atje ai filloi mësimin e djalit të mbretit Phillip II. Ai djalë që ishte vetëm 13 vjeç, do të rritej për t’u bërë një njeri që bota e njeh si Aleksandrin e Madh.
Në 335 pes Aleksandri u bë mbret dhe pushtoi Athinën. Kjo bëri që Aristoteli të kthehej në Athinë. Në atë kohë, Akademia e Platonit vazhdonte të ishte akoma një nga institucionet kryesore të Athinës.
Aristoteli kërkoi leje nga Aleksandri dhe hapi shkollën e tij të njohur si Liceu, ku kaloi pjesën më të madhe të kohës. Ai mësoi studentë dhe vetë bëri shumë punë kërkimore dhe shkruajti gjithçka rreth tyre.
Nxënësit e tij detyroheshin të ecnin rreth tij, pasi ai e kishte këtë zakon të shëtiste nëpër kampusin e Liceut ndërsa fliste e jepte mësime. Kjo është arsyeja pse nxënësit u njohën si Peripatetics ose ‘njerëz që udhëtojnë’.
Studentët e Liceut ishin angazhuar në kërkime në një gamë të gjerë temash që përfshijnë matematikën, shkencën, artet, filozofinë. Ata shkruanin të gjitha ato që gjenin në dorëshkrime dhe në proces, shkolla u bë një nga bibliotekat e para të mëdha të botës antike.
Pythias, gruaja e Aristotelit, vdiq në të njëjtin vit që u hap Liceu. Menjëherë pas vdekjes së saj, Aristoteli u fejua në një lidhje romantike me një grua të quajtur Herpyllis. Herpyllis ishte nga Stagira – qyteti i lindjes i Aristotelit.
Historianët besojnë se Herpyllis ishte një skllave dhënë Aristotelit nga oborri i Maqedonisë. Sidoqoftë më vonë, Aristoteli e liroi Herpyllin dhe përfundimisht u martua me të.
Herpylli dhe Aristoteli së bashku patën fëmijë. Djali i tyre Nikomakus (i quajtur pas babait të Aristotelit) vdiq në një betejë kur ishte akoma i ri.
Besohet se për të nderuar të birin, Aristoteli e quajti veprën e tij më të famshme filozofike Etika e Nikomakut.
Në vitin 323 pes Aleksandri i Madh vdiq papritmas, qeveria që ishte pro maqedonase u rrëzua. Kishte ndjenjë anti-Maqedonase në të gjithë rrethin e Athinës dhe Aristoteli kishte frikë se do të ndiqej penalisht. Mendohet se në Athinë, Aristoteli kishte shërbyer një agjent i fshehtë i Aleksandrit të Madh. Kështu, ai iku dhe u vendos në ishullin Euboea, ku qëndroi derisa vdiq.
Aristoteli besonte se universi ishte i përjetshëm, pafillim e pafund.
Ai ishte shumë i interesuar për zoologji, studioi me kujdes kafshët dhe i klasifikoi në dy grupe – me gjak të kuq dhe jo të kuq. Në kontekstin e sotëm kjo ndarje korrespondon me vertebrorët dhe jovertebrorët.
Aristoteli gjithashtu ishte magjepsur nga biologjia detare. Ai madje disektoi kafshët detare dhe studioi tiparet anatomike të tyre. Vëzhgimet që ai bëri për jetën detare janë vërtetuat si të sakta.
Aristoteli ishte i interesuar edhe për shkencat e tokës. Traktati i tij i quajtur “Meteorology” (studim mbi matjen e ajrit ose atmosferës) jep një pasqyrë të njohurive të tij. Ai identifikoi ciklet e ujit dhe madje diskutoi rreth ngjarjeve astrologjike dhe katastrofave natyrore.
Qëllimi kryesor i filozofisë së Aristotelit ishte vazhdimi i një procesi të arsyetimit. Ai vëzhgoi gjërat bazuar në karakteristikat e tyre, veprimet e tyre dhe gjendjen në të cilën ndodhen.
Sipas tij, disa gjëra kur krijohen, çojnë në diçka tjetër për shkak të domosdoshmërisë. Ky proces arsyetimi u cilësua më vonë si syllogjizēm.
Pas rënies së civilizimit antik grek, shkrimtarët muslimanë ruajtën disa nga veprat e Aristotelit. Aristoteli, filozofia e të cilit ndikoi shumë në fetë e krishtera dhe islamike, vdiq në vitin 322 pes., 62 vjeç.