INDI| Supercikloni shkakton 12 viktima, përmbytje masive në Bangladesh

Një ciklon i fuqishëm ka goditur brigjet indiane dhe ato të Bangladeshit. Më shumë se 3.6 milionë njerëz u detyruan të evakuoheshin para se stuhia të godiste vendin. Autoritetet shprehen se evakuimi ka qënë i vështirë për shkak edhe të pandemisë me të cilën po përballen 2 vendet.

Mediat Indiane raportojnë se ky është cikloni më i fuqishëm në 20 vitet e fundit.

Stuhia Amfan u ka marrë jetën të paktën 12 personave, ndërsa dëmet material janë të mëdha. Kudo shihen shtëpi të rrënuara, pemë të rrëzuara ndërsa pjesa bregdetare ka mbetur në errësirë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Cikloni Amfan goditi fillimisht brigjet e Indisë në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, ndërsa shpejtësia e erës i kaloi 185 km për orë. Shërbimi metereologjik ndërkohë ka bërë të ditur se stuhia mund të sjellë përmbytje për shkak të reshjeve të dendura.

Amfani është “super cikloni” i parë që formohet mbi Gjirin e Bengalit që nga viti 1999. Në vitin 1970, Ciklon Bhola vrau gati gjysmë milioni njerëz.