Tu sekuestrohen pasuritë Oligarkëve?!

Nga Indrit Vokshi

Ngjarja e cila ka ndikuar në ndërgjegjjen time politike, kanë qenë reagimet pas një deklerate të kryetarit të Partisë Demokratike, ku ai paralajmëroi sekuestrim të pasurive të oligarkëve.

Konkretisht, ishin reagimet e të djathtëve ato që më shtangën. Sekuestrimi i pasurive të oligarkëve u konsiderua si bolshevizëm. U shkruajt në portale dhe komente “çjanë ato deklerata”, “kryetari i një partie të djathtë smund të deklarojë kështu”, u shpërthye ironi e telekomanduar etj.

Aty kuptova se njerëzit nuk paskan kuptuar asgjë dhe se oligarkët me portalet dhe me analistët e paguar prej tyre, trembin njerëzit, kompleksojnë të djathtët, me fantazmën dhe fabulën e komunizmit e bolshevizmit i cili ngrihet për t’i sekuestruar pasuritë kapitalizmit.

Tu sekuestrosh ktyne pasuritë nuk është bolshevizëm por është legalizëm. Dmth, sekuestrimi kthen ligjshmërinë në vend.

Ku konsiston kapitalizmi i ktyne? A mos kanë blerë dele, leshin e deles e kanë kthyer në triko, qumështin në djathë e mishin në sallam, kanë tregtuar e janë pasuruar? Jo, nuk është kjo prejardhja e pasurive që disponojnë.

Të gjithë këta janë pasuruar me kontrata publike, me tendera, duke u falur toka shtetnore dhe oreksi u ka ardhur duke ngrënë. Këta kanë vepruar si agjentë qeveritarë. Me të gjitha qeveritë e pas vitit 1990.

Çfarë zotësie dhe merite kapitaliste fshihet këtu? Jepi cilitdo shqiptar kontrata publike, koncesione, tendera, fali toka, pasanik bëhet. Ska nevojë për talent krijues, mjafton talenti në bashkëpunim me qeveritë.

Ndër pikëpamjet e para që kam lexuar mbi kapitalizmin, ka qenë Max Weber “Etika protestante dhe shpirti kapitalist”. Weber shkruan se kapitalizmi pa ligjshmëri, quhet spekulim.

Pra këta që ne quajmë oligarkë nuk janë biznesmenë e as kapitalistë por janë spekulantë. Shqip, hajdutë. Ndaj u habita e u përpoqa të gjej burimin, pse iu dhimbsen këta njerëzve? Pse kompleksohen të djathtët prej sekuestros?

Pse qytetari shqiptar duhet të kritikojë dhe ironizojë një politikan që kërkon sekuestrimin e pasurive të ktyne? Ku preket shqiptari nëse pasuritë u sekuestrohen? Askund.

Sot është në fuqi ligji “Anti-mafia”, ligji kundër pastrimit të parave, operacioni “Forca e Ligjit”, të cilët veprojnë mbi shqiptarët që kanë vjedhur makina, kanë trafikuar drogë, kanë ndërtuar lavazh, restorant, hotel dhe biznese të ndryshme. Mirëpo nuk ekziston asnjë ligj i cili të nisë një operacion financiar kontrollesh dhe bilancesh mbi oligarkët e Shqipërisë.

Dhurohet spektakël me sekuestrim makinash pa targa, me sekuestro vilash por ndërkohë, po në Shqipëri, në portale të financuara dhe forume leva, publikohen lista me titull “Ja cilët janë 10 personat më të pasur të Shqipërisë”. Dhe askush nuk heton.

Askush nuk heton se si mundet të ndodhë që njerëz pa asnjë shpikje, pa asnjë krijim, pa asnjë inovacion, brenda vetëm 30 vitesh aktivitet, të dispinojnë pasuri mbi 200 milion euro apo edhe mbi 100 milion euro, në një Shqipëri me buxhet vjetor 4 miliard euro dhe me GDP 12 miliard euro.

Pse nuk hetohet? Sepse këta oligarkë janë agjentë qeveritarë. Shteti i madh komunist dhe ekonomia e centralizuar komuniste u nda si bakllavaja në disa copa.

Këta janë qeveria e parlamenti. Këta emërojnë deputetë në listat e partive, emërojnë ministra, zv.ministra, drejtorë të përgjithshëm dhe kryeinspektorë në të gjitha inspektoriatet. Emërojnë doganierë dhe shefa të policisë kufitare, kryetarë bashkie dhe drejtorë policie.

Duhet të jesh naiv të mendosh se disa individë të cilët kanë vjedhur banesa dhe makina në Spanjë e Itali, kanë shitur drogë në Holandë e Gjermani dhe kanë ndërtuar lokale dhe hotele në Shqipëri, janë rrezik më i madh për rendin dhe sigurinë kombëtare sesa ata të cilët kanë 100 fish më shumë pasuri.

Të parët i quajmë krim i organizuar, të dytët i quajmë buznesmenë të suksesshëm. Sepse të parët nuk kanë media, nuk emërojnë politikanë të lartë, nuk përzgjedhin kryeprokurorë. Ndërsa të dytët po.

Me ketë nuk dua të them se krimi i organizuar nuk është rrezik që duhet eleminuar por, dua të them se ekziston një realitet tjetër edhe më i rrezikshëm dhe më i vështirë për tu luftuar prej strukturave të sigurisë.

Prandaj kur një kryetar partie në Shqipëri deklaron sekuestrim të pasurive të oligarkëve, ai duhet inkurajuar, nxitur, mbështetur, nuk duhet ironizuar. Edhe për konsum publik në e thëntë, se smundemi të keqedukojmë njerëzit duke i prezantuar me kapitalizmin e gabuar, duke mbrojtur hajdutët e maskuar pas fjalës biznes.

Kryetari i PD në ketë rast, nuk duhet kritikuar pse e deklaron sekueateim por duhet kritikuar pse nuk e realizon dhe me gjasë nuk ka për ta realizuar sekuestrimin.

Ngaqë për ta realizuar atë operacion duhen krijuar njësitet speciale financiare dhe duhet nxjerrë ushtria në shesh. Kjo sepse përveç artikujve, emisiineve, intervistave dhe operacioneve për të ta përmbysur pushtetin, njerëz me pasuri mbi 50 milion euro, mbi 100 milion e mbi 300 milion, paguajnë edhe grupe mercenare për luftë civile, për të mbrojtur pasuritë.

Ne mund të mos kemi sot kapacitet për të çmontuar sistemin e oligarkëve dhe nënkontraktorëve të tyne, maxhordomëve dhe shërbëtoreve që kanë me vete. Mirëpo gjynah për ta, nuk ka pse na vjen. Ata nuk janë kapitalizmi e as puna, ata janë favorizimi e klientelizmi. Kapilizmi në Shqipëri është sipërmarrësi i mesëm dhe i vogël, ata i cili punon, familjarisht e jofamiljarisht, ai i cili prodhon një domate, shet një palë këpucë. Jo ai i cili vetëm merr para prej shtetit.