“Nuk e prisha agjërimin as kur më tërhoqën zvarrë. Shpirtin nuk ma thyejnë dot”

“Nuk e prisha agjërimin as kur më tërhoqën zvarrë. Shpirtin nuk ma thyejnë dot”, rrëfimi kurajoz i besimtares myslymane: revolta është për të gjitha padrejtësitë që po i bëhen vendit

Një prej aktivisteve të dhunuara dhe të shoqëruara në polici natën e shembjes së teatrit, është një besimtare myslymane. Ajo ka folur gjatë protestës së sotme duke rrëfyer momentet e përballjes me policinë dhe ka treguar sesi shefi i komisariatit përdori besimin e saj për ta intimiduar.
“Pikërisht në këtë shesh unë isha një nga ato dëshmitaret që përjetuan përballjen me forcat e policisë së Edi Ramës. Ne na mbante shpresa se do ta mbanim teatrin dhe bëmë atë përpjekjen që ndjemë atë moment. Pasi më shoqëruan në rajon më pyetën: Çfarë do ti në protestë, ti je myslimane, ti je me argjerim, a nuk duhet të rrini në shpi ju? Unë u habita se si një shef policie bën këtë pyetje kaq idiote! Në asnjë fe nuk ka kuptim që njerëzit që rrinë në shpi dhe mos të mbrojnë simbolet e tyre kombëtare. Ata mendojnë se njerëzit janë aq idiotë sa nuk kuptojnë se çfarë është primare. Atë ditë ndonëse me argjerim nuk e prisha, sepse nuk doja të ndjehesha e thyer. Nuk doja që edhe shpirtin mos të ma thyenin. Nuk pranova ta prishja argjerimin deri në darkë. Unë mendoj se ata kanë forcën të marrin gjithçka materiale apo fizike tonën, pra ishte një nga ato ditë ku ti si qytetar ndjehesh i mbaruar, ndjehesh i pashpresë përballë padrejtësive. ajo revoltë nuk është vetëm për Teatrin Kombëtar, ajo revoltë është për të gjitha marrëzitë, padrejtësitë, zhvatjet që ky njeri po i bën këtij vendi”.