Shembja e Teatrit, akademiku Emin Riza: Veprim antikombëtar. Sëmundje mendore e atij apo atyre që…

ANILA DEDAJ/ Akademiku Emin Riza, si specialist i trashëgimisë dhe një nga restauratorët më në zë në vend ndaj kauzës së godinës së Teatrit Kombëtar, kur mendohej se debati mund të shmangte shembjen, nuk qëndroi indiferent.Riza-akademiku-Teatri

Ai u shpreh qartazi se ajo godinë duhej shpallur Monument i Kategorisë së Dytë, “si përfaqësuese e një periudhe të caktuar e për sa i përket zhvillimit shoqëror dhe ndërtimor”. Tani që synimi i qeverisë u arrit dhe godina u shemb, ndjen dhimbje, si njeri i fushës dhe si qytetar.
“Kam menduar se nuk do të ndodhte kurrë shkatërrimi i kësaj vepre, sepse shkatërrimi i monumenteve, pazgjidhshmërisht, zhduk çdo vlerë të pazëvendësueshme. Aq më tepër në një rast si Shqipëria, që në krahasim me popujt e tjerë europianë, për arsye specifike dhe historike, nuk është shquar për ndonjë zhvillim të spikatur kulturor. Ekzistenca e një teatri të vetëm historik në kryeqytet ishte minimumi i minimumeve”, thotë ai për “Panoramën”.

E ka të vështirë të pajtohet me vendimin e aktin e rrënimit, të asaj që për të qe një vlerë trashëgimie. “Shkatërrimin e asaj godine nuk arrij ta kuptoj… mund ta quaj një sëmundje mendore të atij apo atyre që kanë vepruar. Nuk mund ta konceptoj dhe nuk mund t’i gjej asnjë justifikim këtij veprimi antikulturor dhe antikombëtar, jo vetëm për truallin e shtetit, të popullit shqiptar, por edhe më gjerë, atyre ballkanikë…”, shton më tej akademiku.

Akoma më e pakonceptueshme për të është fakti se një nga 60 këshilltarët bashkiakë që firmosi shembjen e godinës, është edhe Drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, e cila duhet të ishte në mbrojtje të tij.

“Fakti që ajo ka firmosur, përbën një skandal”, thotë. Për shpërfilljen e zërit të tij në këtë çështje e të specialistëve të tjerë, arkitektë, historianë, studiues, duket i indinjuar.

“Sot vlerësohen vetëm ata që krijojnë mundësi për përvetësim parash, edhe për shpërndarjen e këtyre parave. Nuk vlerësohet profesionalizmi këtu te ne… ndaj këtë sistem, vetëm demokraci nuk mund ta quash. Ne u gëzuam kur ra diktatura edhe erdhi demokracia, por, në fakt, demokracia, për të cilën flasim, s’është tjetër, veçse një mashtrim”.

I ardhur nga një sistem, që me familjen e tij ka treguar kthetrat, e me dekada të tëra pune e studimi, e pohon zhgënjimin. “Jam shumë i zhgënjyer, sepse këtu vendosin vetëm qeveritarët. Kuptimin e demokracisë e thotë vetë fjala: demos-popull, kraci-sundim. Sundimi i popullit është etimologjikisht. Por, në fakt, te ne ndihet vetëm tringëllima e tij”.

Sa u përket reklamave të teatrit “urë” dhe mundësisë që ai të zëvendësojë për nga vlerat godinën e Teatrit Kombëtar, profesor Riza përgjigjet: “Absolutisht që jo! Duhet ta ruanin Teatrin dhe të bënin një tjetër. Ajo godinë mbetet vlerë e pazëvendësueshme”.

Megjithatë, te rezistenca dhe evidentimi i gjithë ngjarjes që tronditi mëngjesin e së dielës mbarë vendin, ai shprehet: Besoj se çdo e keqe ka një të mirë, pasi gjithë sa ndodhi do të ngrejë influencën e popullsisë, për t’iu kundërvënë vendimeve të tilla të kësaj qeverie, që s’meriton të konsiderohet si e tillë.