Shën Bartolomeu i Teatrit

Nga Marlin Muça

16 maji ishte një ditë si gjithë të tjerat në Sheshin e Teatrit Kombëtar. Qëndrestarët e këtij sheshi, ca më të vjetër dhe më rigoroze se une e kishin pagëzuar këtë shesh si Sheshin e Lirisë. Vendosa të vija herët për të parë e për të kuptuar se cfarë do të ndodhte atë ditë të tensionuar prej informacioneve ku nenkuptohej se së shpejti do të ndërhyhej me forca të mëdha policie.
Pak orë më vonë skenari ogurzi i prishjes së Teatrit filloi të vihej në jetë me skuadra të vogla policie qe bllokuan pikat kyce të komunikimit të Teatrit me Qëndrën dhe hapësirat përreth. Njerëzit që donin të vijnin në Teatër bllokoheshin dhe gjobiteshin. Si askurrë më parë, shteti i largonte në mënyrë kaq të hapur qytetarët e tij nga arti dhe kultura. Rreth orës 10-11 u pa qartë se nata dhe mëngjesi i hershëm i ditës tjetër nuk do të ishte i zakonshëm. Nuk do të shoqërohej me atmosferën e zakonshme miqësore të Sheshit të Teatrit, as me monotoninë e këndshme të fund-ditës te Teatri. Forcat e së keqes do të mblidheshin në skutat më të errëta të Kryeqytetin për të shuar përfundimisht oazin e fundit të lirise dhe demokracisë në vend.
Është ora 2 e 30 ose 3 e mëngjesit, pasi ndahem nga disa miq të mitë, shkoj në dhomën anësore në krahun e majtë të gjirit që kafshon dy godinat e Teatrit dhe marr një sy gjumë. Paralajmërimet për një ndërhyrje të Policisë shndërrohen dalëngadalë në vegulli, teksa gjumi thith avash avash cdo pjesë të vetëdijes tënde. Për dy orë nuk mbaj mend asgjë pervecse bisedat e gëzueshme të grave dhe burrave që kishin zgjedhur të bënin roje nate. E qeshura e tyre këndellëse depërton perdet e trasha të gjumit, duke më bërë të kuptoj se ekziston një botë e zhurmshme jashtë masës viskoze e të errët me të cilën gjumi vesh krejt ekzistencën tonë. Në një nga këto momente jo fort të qarta, një zë i tmerruar femre gris dhunshëm cohën e perdes time për të rikthyer realitetin e një Teatri të cënuar. “Erdhën, Erdhën, Erdhën“`- përsëriste ai zë. Në atë moment nuk munda dot të lidhja klithmën e këtyre fjalëve me kuptimin e tyre. Gjithsesi kjo nuk më pengoi të brofja në këmbë dhe të shihja siluetat e disa njerëzve që kalonin nxitimthi pragun e portës anësore që të nxirrte në cepin e platesë së sallës. Pas këtyre siluetave, një arradhe e frikshme efektivësh të FNSH përplaset dhunshëm pas portës, me bucima të egera të cilat truri im përsëri nuk kishte vëmendjen e duhur për t`i dekriptuar.
Në këtë moment u kthjellova dhe kuptova se përballja e shumëpritur, të cilën me aq ngulm ia kërkoja atë natë vetes por edhe të tjerëve, kishte ardhur më në fund. E keqja na kishtë zënë në gjumë, të pakët, të lodhur dhe të pamundur për të përballuar një makineri lufte të ndërtuar posacërisht për këto situata.
Një prej këtyre policëve që nuk mbanin mjet identifikimi dhe fare kollaj mund të mos e quaje polic më kap prej krahu dhe me shoqëron vrullshëm në furgonin përballë derës kryesore të Teatrit Kombëtar. Në këtë moment më zë syri një skenë që do ta mbaj mend gjithe jetën time. Një lukuni e egër qensh që mbanin uniforma të IKMT shqelmonin egërsisht dyert ballore të Teatrit. Dukej sikur ky operacion nuk drejtohej nga institucione shtetërore por nga kupolat mafioze me pak ose aspak mëshirë për objektivat e tyre të rradhës.
Majtas godinës një tjetër pamje e frikshme një matrapik a turjelë që cante bindshëm fasadën e atij kahu të godinës për c`kushedi arsye djallëzore. Truri im akoma nuk e kishte kuptuar se shumë njerëz kishin mbetur brenda dhe makineria drakoniane donte t`i nxirrte jashtë me kërcënimin se do t`i groposte brenda.
Kundrimit tim i erdhi fundi kur një tjetër efektiv, kësaj rradhe i repartit Shqiponja me vë fashetat dhe më con në një tjetër furgon që priste në cepin e Ministrisë së Brendshme. Përpara realizimit të kësaj zhvendosjeje pa kuptim, nuk më shpëtoi ardhja e përbindëshit prej hekuri të cilit të gjithë i frigoheshim: Fadromës. Ajo erdhi rrëshqitazi, anash murit të Ministrisë. E parkuan rrëzë saj vetëm për ta lënë gati për prenë e rradhës. Fati nuk deshi qe të dëshmoja këtë proces historik. Furgonit tim final iu bashkuan dhe disa udhëtarë të tjerë, mes tyre dhe regjisori Robert Budina. Prej këtu u nisëm drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Nga këtu drejt Komisaritatit NR.5, në Kamëz, atje ku pushteti mendonte se ishte I sigurtë nga presioni i familjarëve dhe qytetarëve të thjeshtë.
Këtu fillon një shtatë orësh i stërgjatë që dukej se do të zgjaste përgjithmonë. Kjo greminë e përuljes njerëzore t`i sjell trutë vërdallë kur disa xhaxha të kërkojnë të heqësh lidhëset. Ti nuk e kap menjëherë se pse duhet t`i heqësh lidhëset. Në atë moment mendon se sa i pavlerë je karshi policit, njeriut të lirë, botës…
16 dhe 17 maji ishte dynetëshi më i gjatë i jetës time. Një dukuri e rrallë të cilën vetëm një përzierje emocionesh të forta njerëzore mund ta shënjojë në kalendarin personal të gjithsecilit. Një miku im thotë se ajo ishte Nata e Thikave të Gjata. 16 maji duke u gdhirë 17ta ishte Shën Bartolemeu shqiptar. Dje u masakrua iluzioni i fundit ku Shqipëria renditej si vend demokratik. Një masakër kjo më e rëndë dhe e përgjaktë sa ajo ndaj hugenotëve francezë.
Diku, në tryezat plot nur të pushtetit, dy njerëz ngrenë dollinë dhe thonë; Gëzuar 17 majin, Ditën e Shën Bartolemeut.