Miliarderët e ilaçeve, dy kompani marrin në një ditë 8 tendera me vlerë 3.2 mld lekë

Në një ditë dy kompani kanë mundur të fitojnë 8 tendera në sektorin e shëndetësisë me një vlerë 3.2 miliardë lekë. Po ashtu rezulton se të njëjtat kanë përfituar dhe 62 gara të tjera. Tortën më të madhe në fondet e ilaçeve e kryesojnë vetëm 6 kompani.

11 miliardë lekë janë dhënë për 1786 tendera që kanë të bëjnë me shëndetësinë përgjatë vitit 2019.

Prej tyre kanë përfituar 228 operatorë, por pjesën e luanit e kanë marrë 6 prej kompanive dhe në krye të listës qëndrojnë Montal shpk dhe Biometric Albania Shpk.

Konkretisht për objektin e tenderit “Materiale mjekimi të përgjithshme për nevoja spitalore”, këto dy kompani më datë 1 prill të vitit të kaluar kanë fituar tetë tendera për një ditë të vetme që kapin vlerën e 3.2 miliardë lekëve.

Por përveç kësaj, ata rezultojnë fitues edhe të 62 tenderave të tjerë, ku 40 i ka fituar Biometric Albania Shpk dhe 22 Montal Shpk me një vlerë total prej rreth 395 milionë lekësh.

Për shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi në spitale kompania Sori-al Shpk në vetëm 8 tendera ka fituar më shumë se 537 milionë lekë.

Nga analizat rezulton se edhe ish Shpresa Shpk ose ndryshe Dion-Al ka marrë 8 tendera me vlerë rreth 455 milionë lekë për objekte tenderi të ndryshme nga mirëmbajtje e objekteve ndërtimore në spitale deri te rikonstruksioni.

Por pavarësisht këtyre në krye të listës për vitin 2019 qëndron operatori ekonomik Aldosch-Farma Shpk me 224 tendera të fituar në një vlerë mbi 6.3 milionë lekë dhe pas tij kompania Trimed Shpk me 133 të tillë dhe me vlerë mbi 30 milionë lekë.

I treti në listën e tenderave, vetëm në vitin e shkuar, me numrin më të lartë është Megapharma Shpk, e cila për blerjen e medikamenteve të ndryshme ka fituar 82 tendera nga 83 që ka marrë pjesë me një total prej më shumë se 226 milionë lekë.

Ndërkaq që nga fillimi i vitit 2020 e deri në muajin maj janë shpallur fitues 453 tendera me 134 operatore ekonomikë në vlerën e 2.8 miliardë lekëve.