Indrit Vokshi – Ushtria elektorale e kanabisit

Nga Indrit Vokshi

Për show apo për konsum publik, për të shpërqëndruar vëmendjen nga dështimi i qeverisë në menaxhimin e krizës “Covid” apo për të matur reagimin pro e kundër legalizimit, kryeministri satrapik ka hedhur idenë e legalizimit të kanabisit.

Nëse do ta kishte plasur tjetërkush ketë shashkë, ndoshta sdo ia vlente t’i përgjigjeshim por e plasur nga kryeministri, kjo shashkë kthehet në provokim kundrejt të cilit jemi të dënuar të reagojmë.

Në vitin 2015, po ky kryeministër e ka zbatuar ketë projekt duke e mbjellë Shqipërinë me kanabis në çdo pëllëmbë.

Rezultatet e projektit të tij ishin; fuqizimi i disa grupeve dhe fuqizimi dhe pasurimi i një rrjeti personash të cilët u përdorën për të blerë 2 palë zgjedhje. Askush të mos çuditet. Nëse pranojmë se gjithçka shitet dhe blihet, edhe zgjedhjet, blihen dhe shiten.

Përveç zgjedhjeve, këta individë dhe ky rrjet i shtrirë në çdo fshat e qytet të Shqipërisë, krijuan prona. U bënë me toka, me restorante, me hotele dhe me biznese të ndryshme. Me paratë e kanabisit.

Në garën e pasurimit, këta persona parakaluan konkurentët në biznes, duke u pasuruar më shumë e më shpejt, falë një biznesi të paligjshëm si kanabisi. Qeveria Rama ua lejoi këtyre personave monopolin informal të kanabisit, u lejoi ta kultivonin e ta trafikonin vetëm ata, prandaj ata u ngritën më lart ekonomikisht.

Përshembull, një pronar hoteli e restoranti i cili punon familjarisht prej 20 vjtesh në përputhje me ligjin, gjendet përballë një hoteli të ri i cili ndërtohet për 3 muaj dhe e konkuron duke ia pakësuar fitimet. Jo sepse pronari i ri punoi 20 vite dhe me fitimet e nxjerra ndërtoi hotelin. Ai punoi 3 muaj me kanabis.

Këta persona e këto grupe, janë baza e pushtetit të Edi Ramës. Janë dërrasa ku Edi Rama shkel për të kaluar urën e zgjedhjeve. Kur të afrohet data e zgjedhjeve, këta janë të detyruar të financojnë dhe të punojnë për Edi Ramën. Ose me vullnet ose duke i shantazhuar me dosje me formulën “Edhe po humbëm, nga qershori në shtator jemi në pushtet, iu çojmë në prokurori”. Këta paguajnë me kënaqësi para shantazhit qeveritar i cili i kërcënon se po nuk financuan Ramën, procedimi penal dhe ligji anti-mafia për sekuestrimin e aseteve, do të veprojnë kundër tyre, duke ua marrë çfarë kishin krijuar.

Fuqia e tyre ekonomike e paligjshme, jashtë ekonomisë formale, rrjeti i tyre i njohjeve në qarqet ku ata veprojnë (pasi kanë shpërndarë para), do të përdoren për ta blerë edhe njëherë pushtetin publik në Shqipëri.

Ushtria Elektorale e Kanabisit.

Argumenti qeveritar është se pasi të legalizohet, kanabisi do të kontrollohet nga shteti. Po a nuk u kontrollua në vitet 2015-2016 nga shteti? A nuk rezultoi në hetime se oficerët e lartë të policisë ishin përfshirë në trafik? A nuk u shpallën edhe kërkim disa prej tyre? A nuk shkoi në gjykatë ministri Tahiri? Asgjë pra nuk ndryshon. Shteti e kishte të paligjshëm, shteti synohet ta ketë edhe të ligjshëm. Shteti u jepte licensa informale për të mbjellur dje, shteti do tu japë licensa legale njerëzve afër pushtetit për ta mbjellë nesër.

Pra atë veprimtari e cila me letra është e paligjshme por në realitet u krye haptas sikur të ishte mbjellje e tregti domatesh, sot po synojnë ta legalizojnë edhe në letra. Kaq është.

Duke e pasur të paligjshme e trafikuan haptas. Po nëse e legalizojnë, kush po i ndalon ta trafikojnë? Kush po ua kontrollon “Fermat e Hashashit” të cilat do jenë legale dhe do të jenë pronë private e një të licensuari? Do të mbjellin kanabis aq sa të kenë planin dhe në vend që ta përdorin e ta shesin “për arsye mjeksore”, do ta ngarkojnë në maune a skaf për ta shitur njëlloj si më parë, tek të njejtët njerëz si më parë. Kush i ndalon? Një vend në të cilin janë shkatërruar edhe vaskat e peshkut që shërbenin për studentët e Universitetit Bujqësor, ngaqë i kanë shitur peshqit, smund ta menaxhojë ndryshe kanabisin përveçse për trafik.

Me legalizimin edhe në letra të kanabisit të cilin Edi Rama e legalizoi në realitet, trafikantët do të quhen “biznesmenë” dhe “fermerë” edhe zyrtarisht. Kaq gjë do të ndryshojë.

Cili është përfitimi i shoqërisë shqiptare nga legalizimi i kanabisit? Zero përfitim. Ata të cilët thonë se shteti do marrë taksa, janë naivë ose qyqarë. Shteti merr taksa edhe sot nga shqiptarët, por popullsia nuk përfiton asgjë. Shteti i merr taksat dhe i shpërdoron. I kthen në vila, llogari bankare, makina, deri edhe në çanta me lëkurë miu, kastori a krokodili.

Shoqëria shqiptare nuk ka asnjë përfitim nga legalizimi i kanabisit. Thjesht Pakica Sunduese, përmes legalizimit, synon të krijojë një industri legale për klientët e vet. Një industri për të cilën do të kenë licensë vetëm miqtë e qeverisë dhe askush tjetër. Një industri e cila do të pasurojë pak persona në dëm të të gjithë të tjerëve. Se nuk po ndodh as gjysma e të keqes, që përveçse të legalizohet edhe të liberalizohet, pra secili shqiptar të mundet ta mbjellë njëlloj si domaten. Jo, synohet të përfitojnr vetëm klientët e përzgjedhur të Pakicës Sunduese.