Reforma Yaris, si u sabotua dosja e nxehtë dhe heshtja amerikane

REDAKSIONALE

Ditën e djeshme një sondazh i inicuar nga IDM evidentonte se 50% e shqiptarëve nuk kishin besim tek Reforma në Drejtësi. Shumë prej tyre kishin bindjen që gjykatat ishin në dorë të politikës dhe Prokuroria gjithashtu. Të kesh këtë bindje 4 vjet pasi SHBA dhe BE kanë kënduar refrenin e suksesit dhe ndryshimit që do të pësojë Shqipëria pas reformës në drejtësi është pak e pabesueshme.

Po ditën e djeshme, ambasadorja Kim këmbëngulte që Reforma në Drejtësi është shumë e domosdoshme për Shqipërinë. Madje ajo shton se Reforma në Drejtësi “është jashtëzakonisht e vështirë. Është e ndërlikuar dhe është e papërsosur, por nga sa shoh, elementët bazë janë aty dhe varet nga aktorët që të fillojnë ta zbatojnë atë vërtet.”

T’i vendosësh fjalët e ambasadores Kim përballë seancës gjyqësore që është pagëzuar si çështja “Tojota Jaris” vëren se nuk ka jo vetëm sinqeritet por as kohorencë. Kjo çështje siç bëhet e ditur nga një investigim i gazetarës Lala është sabotuar sa nga organi i Reformuar i akuzës, që nuk ka analizuar as marrë në shqyrtim letër-porositë e ardhura nga Italia dhe Belgjika. Përkundrazi prokuroria nxitoi për të çuar sa më shpejt në gjykatë një dosje të shkruar keq dhe pa prova të forta.

Drejtuesit e hetimeve ishin Doloreza Spahiu dhe Ened Nakuçi (ky i fundit edhe në dosjen Tahiri), por ndonëse të dy të vajosur me vetting kanë gabuar rëndë duke çuar në seancë një dosje të dobët.

Skemat e një dosje të dobët që dërgoheshin në gjykatë kanë qenë të përdorura jo pak në epokën e drejtësisë së korruptuar. Madje jo rrallë këto akuza i janë bërë edhe prokurorëve apo gjyqtarëve të djeshëm. Mirëpo me sa duket as Reforma në Drejtësi dhe as institucionet e forta që janë ndërtuar nuk kanë mundur të zhbëjnë këto “vese” të Prokurorisë Speciale Anti Korrupsion.

Si përfundim, dosja voluminoze e kësaj çështje të nxehtë që ka prekur disa vende të BE-së letër porositë e të cilave mbetën pa përkthyer në zyrat luksoze të SPAK, u mbyll me një dëshmi. Dëshminë e një zotërie gjerman me mbiemrin e ngjashëm me rizzoton. Investigimi tregon se edhe kjo dëshmi nuk u vërtetua plotësisht nga prokurorët e vajosur të SPAK, ajo u fut aty nxitimthi në dosje.