Neritan Liçaj, mesazh Veliajt: Nëse doni të përplaseni, bujrum!

Aktori Neritan Liçaj, i ka bërë edhe njëherë thirrje Qeverisë dhe kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, të heqin dorë menjëherë nga provokimet pasi do të kenë një përballje të fuqishme me mbrojtësit e Teatrit.

Thirrja erdhi pas mësymjes që Policët Bashkiakë bënë këtë pasdite në TK, ku vendosën edhe një letër ku bëhej e ditur se Teatri i kishte kaluar Bashkisë.

‘Nëse do të vijnë me forca të shumta siç erdhën sot, mund ta shikojnë se si u mbush sheshi në pak minuta, ndërkohë që po vijnë edhe të tjerët. Nëse duan të tregojnë muskujt, bujrum, le të përplasen. Kush jemi në shkelje të ligjit, ne që jemi në krah të Kushtetutës, apo zotërinjtë e pushtetit që janë në krahun e paligjshmërisë?

Liçaj: Kanë ardhur tre policë bashkiakë dhe ca civilë, 25-30 vetë. Kanë dashur të futen me forcë në Teatrin Kombëtar duke nxjerrë një fletë bakalli atje që thotë se e marrim në dorëzim Teatrin Kombëtar. VKM është e paligjshme përderisa ligji special Fusha është akoma në fuqi dhe nuk ka rënë siç gënjen  kryetari i pavotuar dhe i paligjshëm i bashkisë Tiranë, që gënjen gjithmonë. Ligji bie kur qeveria e tërheq nga parlamenti, një gjë të tillë nuk e ka bërë. Boll me broçkullat e të pavotuarit dhe të paligjshmit Erion Veliaj, nuk gënjen dot më kaq ashiqare. Nuk mund të marrë me një defter bakalli një pronë kombëtare që i takon Ministrisë së Kulturës.Edhe shteti shqiptar nuk e shemb dot këtë Teatër se është në paligjshmëri dhe i kapur në aferën korruptive. Për të bërë miliona për vete do të shembë një nga institucionet kryesore të artit dhe kulturës në Shqipëri, për të cilat shqiptarët janë larë në gjak në shekuj. Do të marrë këto dy teatro kombëtare se do të bëjë lekë vetë ai përmes kullave dhe betonizimeve.

Liçaj: Kryeministri i ra vetes në shpullë kur tha se kam që në ’98 që dua të prish Teatrin, ka 22 vjet që nuk e prish dot. Kemi vetëm një armik të vetëm, Edi Ramën që i është qepur këtij Teatri.Kush është ky zotëri që do të vedosë mbi fatet e artit dhe kulturës? Pse? Që të bëjë kulla dhe lekë për vete. Jam i bindur siç e kemi mposhtur këto 22 vjet dhe këtë periudhë, do ja dalim dhe kësaj radhe. Por mendoj se këta me Teatrin Kombëtar duan të spostojnë vëmendjen nga varfëria. Largimi i shqiptarëve, keqmenaxhimi i pushtetit, tërmetit dhe pandemisë. Kjo është më budallaqe nga ana e Ramës dhe Veliajt.