2 mijë bare/lokale drejt falimentit, 40 mijë largohen nga puna

Nga: Roven Neziri

Baret dhe restorantet do të jenë ndër bizneset e fundit që do të rifillojnë aktivitetin, ndaj dhe humbjet në personel dhe në xhiro janë të konsiderueshme. Në një intervistë për TV Ora, kryetari i shoqatës Enri Jahaj, u shpreh se rreth 40 000 persona kanë mbetur pa punë ndërsa 2 mijë biznese pritet të shpallin falimentin.

Tirane-  Baret, restorantet dhe lokalet e natës, renditen në kategorinë e fundit, që do të ringrenë qepenat, ndaj dhe dëmi në këtë sektor është i konsiderueshëm, në para dhe personel.

Kryetari i shoqatës Enri Jahaj, në një intervistë për TV Ora thotë se në fazën e parë, numri i punonjësve të mbetur të papunë ka arritur në nivelin e 50 %.

Enri Jahaj: Ne kemi 80 mijë të punësuar, nga këta mendohet që do ngelen jashtë fazës së parë diku te 40 mijë me shpresën që këta do të ripunësohen prapë. Por kemi probleme me pjesën e bregdetit, të turizmit që jo të gjithë kanë hapur dyert. 

Protokolli i ri, që do të duhet të zbatohet nga bizneset, sipas Jahajt, do të sjellë falimentin e rreth 2000 bizneseve në vend.

Enri Jahaj: Mendohet se diku te 10-15% e bizneseve në fazën e parë do jenë të falimentuara, që do jenë të mbyllura. Flasim nga 1 mijë deri në 2 mijë biznese.

E pavlerë, i duket vendosja e fashës orare në zonat e gjelbërta.

Enri Jahaj: Fasha e lëvizjes është deri në 21, ndërkohë që qëndrojnë të mbyllura baret dhe restorantet që për mendimin tonë do të ishte udhës të hapeshin në zonat e gjelbra dhe ky orar të vendosjes në sinkron me njerëzit. 

Jahaj u shpreh se gjatë kësaj jave priten të fillojnë dhe takimet me autoritetet qendrore dhe lokale, për të diskutuar kërkesat e këtij sektori, lidhur me lehtësirat fiskale që kanë kërkuar.