Special One| Mohurinho: Më i miri, Ronaldo Nazario

Trajneri i Tottenham, José Mourinho në një intervistë për LiveScore, i është përgjigjur pyetjes se kush është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Zgjedhja duhej të ishte midis dy futbollistëve: Cristiano Ronaldo (Juventus), të cilin ai e ka patur te Real Madrid, dhe Leo Messi (Barcelona), dy më të fuqishmit e dekadës së fundit.
Por si gjithnjë “Special One” ka çuditur duke zgjedhur Ronaldo Nazario para atyre të dyve. “Për mua më i miri është Ronaldo, fenomeni. Cristiano dhe Leo Messi kanë pasur një karrierë më të gjatë. Ata kanë qenë në krye çdo ditë për 15 vjet. Por nëse flasim specifikisht për talent dhe aftësi, askush nuk e kalon dot brazilianin. Kur ishte te Barcelona me Bobby Robson, kuptova se ishte lojtari më i mirë që kisha parë” – ka thënë Mourinho.
Trajneri portugez e ka takuar Ronaldon në mesin e viteve 1990 kur u bashkua me stafin stërvitës të Bobby Robson te Barcelona. Mourinhos i vjen shumë keq për dëmtimin që braziliani pësoi në gju, gjë që e pengoi atë të qëndronte në majë për një kohë të gjatë: “Dëmtimet e ndalën karrierën e Ronaldos, që mund të ishte edhe më e pabesueshme, por talenti i tij, që spikati që kur ishte 19-vjeç, ishte i jashtëzakonshëm” – ka thënë Mourinho.