Kriza politike në Kosovë| LDK, AAK dhe NISMA drejt krijimit të qeverisë

Kriza politike që ka përfshirë Kosovën, nga partitë poltike shihet në kahe të ndryshme për të gjetur zgjidhjen. Albin Kurti, kryeministër në detyrë, që u rrëzua me votim në Kuvendin e Kosovës, kërkon zgjedhje të reja. Partitë e tjera të mbështetura edhe nga Presidenti Thaçi janë për krijimin e një qeverie të re. LDK, AAK dhe Nisma duket se janë afër për finalizimin e marrëveshjes për koalicion qeverisës. Këta të fundit thonë se një gjë e tillë do të ndodhë shpejt dhe se janë në diskutim të detajeve. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj për KosovaPress, thotë se nënshkrimi i marrëveshjes mund të ndodhë edhe sot.
Ndërkohë, është raportuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë katër ministri, dhe postin e zëvendëskryeministrit të qeverisë e cila do të drejtohet nga Avdullah Hoti. Sipas informacioneve, AAK do ta ketë Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Për këtë Selmanaj thotë se emrat e ministrive janë në diskutim, mirëpo thekson se AAK-së duhet t’i takojnë aq ministri.
Sipas Selmanajt qeveria e re pritet të votohet në kuvend gjatë javës së ardhshme. Për këtë shpreh besimin se do të kenë votat e mjaftueshme.
Siç është raportuar ministrinë e Jashtme, do ta drejtojë Meliza Haradinaj; Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuqi; Ministrinë e Drejtësisë, Selim Selimi, dhe ministrinë e Arsimit, Ramë Lika. Ndërsa, zëvendës i kryeministrit Avdullah Hoti, nga AAK do të jetë Besnik Tahiri.