KUJDESUNI PËR VETEN! Parimi që po shoqërinin lirimin e masave kufizuese

Nga Dr. ERION DASHO

Nga të gjithë këshillat, në këtë pikë ku ka arritur epdemia COVID, ajo që vlen më shumë është “Kujdesuni për veten!”

Me sa dihet deri tani, sasia e viruseve që arrin tek ju ka shumë rëndësi. Në se mbroheni mirë, shmangni infeksionin. Në se nuk arrini ta shmangni, sa më pak viruse t’ju infektojnë, aq më pak dëm bëjnë në organizëm. Kjo nuk është e provuar ende 100% nga ana shkencore, por unë dhe mjaft kolegë besojmë se është kështu. Një koleg i mirë imi dhe i shumë mjekëve të tjerë, Dr. Renato, flet nga përvoja e vet në Shqipëri, dhe unë i besoj.

Nëpërmjet strategjisë “Kujdesu për veten”, Suedia po kontrollon epideminë pa patur nevojë të marrë masa të tjera. Po nëpërmjet strategjisë “Kujdesu për veten” do të fillojnë të relaksohen masat në pothuajse çdo vend Europian, madje edhe në New York e vende të tjera të goditura rëndë.

Ka vende të tjera që do të vazhdojnë t’i mëshojnë ndalimeve, kufizimeve, dënimeve, etj. Kina është vendi ku qeveria premton se “do të kujdeset për të gjithë” dhe sapo vuri në izolim 10 milionë banorë të tjerë.

Mendimi im personal është që kjo është e gabuar dhe kundërproduktive. Nuk ka funksionuar gjatë në asnjë epidemi dhe nuk do të funksionojë as kësaj here.

Fëmijët kanë nevojë t’u thonë “kujdes kur del në rrugë” apo “kujdes kur prek zjarrin”. Të rriturit këtë përgjegjësi e marrin vetë. Në rastin e COVID, “fëmijëria” ka kaluar dhe tani mënyra më e mirë për të parandaluar dhe kontrolluar epideminë është të bazohesh tek përgjegjësia individuale e gjithkujt.

Ligjet duhet të vlejnë për bizneset, baret, restorantet, fasonët, stadiumet, kinematë, etj. kurse për individët ato që kanë vlerë janë vetëm rregullat e sjelljes në familje dhe komunitet.

Individët dhe familjet duhen lënë të lirë të jetojnë jetën duke u kujdesur për veten. Çdo përafrim tjetër në këtë stad të epidemisë është i gabuar.

Me kaq po e mbyll edhe unë komunikimin me miqtë rreth COVID këtu në facebook! Uroj që askush të mos preket nga kjo sëmundje dhe ata që preken të mos ta marrin me frikë. Në fund të fundit, është një thjesht një sëmundje infektive të cilën mjekët dhe infermierët tanë të përkushtuar po mësojnë çdo ditë e më tepër se si ta trajtojnë me sukses.