“Ju nuk mund të luftoni një virus nëse nuk e dini se ku është.”

Nga Xhuljan Guce
Student i Bioteknologjise, Kryetar i Keshillit Studentor FSHN

Këto ishin fjalët e Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, në konferencën e tij për pandeminë COVID-19 në mes të marsit. Ai e bëri deklaratën në një përpjekje për të nënvizuar nevojën për të testuar sa më shumë njerëz si një aspekt thelbësor për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Kjo bën shumë sens dhe unë pajtohem me të. Eshtë gjëja e duhur për të bërë përballë një sëmundje e cila do ka treguar simptoma te buta  në shumicën e atyre që janë të infektuar, por kjo nuk pengon aftësinë këtyre të fundit për të infektuar të tjerët. Vendet që ndjekin udhëzimet e OBSH-së kanë kërkuar të blejnë kite testesh dhe të rrisin numrin e testeve të bëra çdo ditë. Shqipëria ka ndjekur një tjetër përqasje deri tani. Ne kemi qenë më të kujdesshëm dhe kemi dhënë udhëzime për të siguruar testimin e njerëzve me histori dhe propabilitet për të qenë bartës ose transmetues për COVID-19 ose ata individë që kanë simptomat e sëmundjes në stade të renduara. Duke parë modelet e ndryshme dhe përparimin e pandemisë, dëshiroj të ofroj disa pikëpamje mbi testimin, çështjet dhe sfidat që kemi përballë.

Pse është i rëndësishem testimi?

Ekzistojnë dy arsye kryesore pse duhen  testuar njerëzit – për të diagnostikuar ata paraprakisht dhe për të gjetur se sa është përhapur virusi. Pasja e këtij informacioni të dytë mund të ndihmojë në planin e institucioneve te shërbimit shëndetësor për kërkesë  shtesë të njësive dhe pajisjeve të  kujdesit intensiv. Testimi gjithashtu jep informacion të saktë për marrjen e vendimeve rreth masave të distancës sociale. Për shembull, nëse u zbulua se një numër i madh njerëzish ishin infektuar, atëherë bllokimi mund të bëhet më i nevojshëm, ama edhe ky segment duhet parë jo i fragmentarizuar sepse në qoftë se përqindja është shumë e lartë shkojmë drejt zbatimit të “herd immunity”. Mos kryerja e testimit në shkallë më të gjerë do të thotë që shumë njerëz mund të izolohen pa asnjë arsye, përfshirë punonjësit e shërbimit shëndetsor. Unë besoj se ka një mori faktorësh që duhet të merren parasysh dhe veçanërisht në Shqipëri. Ne duhet t’i marrim parasysh të gjitha aspektet  kur marrin vendime e  për të zvogëluar përhapjen e virusit. Faktorët përfshijnë rreziqet e paraqitura nga rezultatet e testeve, fakti që të dhënat e testimit po komunikohen keq duke çuar në një rritje të niveleve të panikut dhe faktin që kapaciteti i testimit është i kufizuar.

Faktori i frikës

Eshtë mjaft e qartë se bota tani po merret me dy pandemi në vend të një. E para është virusi. E dyta është frika dhe në shumë raste, paniku i plotë. Kjo është arsyeja pse kemi emigrantë që janë rezidentë në vende të ndryshme që të kthehen në Shqipëri për të qenë pranë familjeve të tyre në këto momente paqartësie dhe frike. Po cfarë ka të bëjë paniku me testimin? Paniku po nxitet nga mënyra në të cilën po komunikohet rezultati i testimit. Për shembull, rasti në qytetin e Shkodrës. Ku në 15 individë të testuar 12 ishin pozitivë me COVID-19. Ndërkohë po të kishte një numër më të madh testimesh situata dhe panorama do të ishte më e qartë për ekspertët të cilët do arrinin të ishin më të saktë në parashikimet e tyre dhe do ndihmonin qeverinë në marrjen e masave në kohën e duhur. Gjithashtu gjatë dhënies së lajmeve në lidhje me situatën e  COVID-19 Ministria dhe organet përkatëse duhet të jenë të sakta në përcaktimin nëse këto raste kanë qenë të lidhura me rastet e mëparshme apo janë raste të reja, dhe  në çfarë gjendje shëndetësore janë këta individë. Çdo ditë Ministria lëshon të dhëna për sa raste ka. Por ata nuk po u tregojnë qytetarëve të tyre se sa prej këtyre njerëzve nuk kanë fare simptoma, ose kanë simptoma të buta.

Shkalla e vdekshmërisë për COVID-19 ende nuk është përcaktuar përfundimisht në rang botëror. Sidoqoftë, shkalla e vdekshmërisë në Shqipëri nuk është shumë e lartë në raport me vendet e tjera të rajonit. Kryerja e më shumë testeve do nxjerrë një pamje më të qartë të situatës. Do të kemi shifra më të sakta dhe do të jemi më të aftë në rekomandimin e masave ndaj qeverise. Në rast se numri i infeksioneve është në raporte pozitive nuk ka kuptim që të mbajmë këto masa shtrënguese që kemi tani, ama në rast se raportet nuk janë pozitive masat janë të duhurat dhe duhen vazhduar deri në momentin që qeveria të krijojë ambientet e duhura për përballimin e fluksit dhe mos shpënien në kolaps të sistemit shëndetësor. Masat për shtimin e kapaciteteve të ndermarra janë pozitive por jo të mjaftueshme për mendimin tim. Kjo është arsyeja pse vendimi për të rritur testimin  sjell një strategji më të qartë për masat që duhen ndërmarrë në ndërtimin e strategjisë afatgjatë të përballimit të pandemisë duke ndjekur me kujdes udhëzimet e  OBSH-së me përshtatjet e duhura për vendin tonë.

Vendi Teste Raste Pozitive Teste per milion banore Pozitive per mije teste
Shqiperia 2,753 383 962 139
Maqedoni 5,493 570 2,504 104
Kosove 2106 170 1163 81
Mali i Zi 1,935 239 3,065 124
Bosnje Hercegovina 6,911 787 2,070 114
Sllovenia 27,109 989 12,946 36

 

Në konkluzion duke parë edhe të dhënat nga tabelat faktet dhe situatën ku ndodhemi gjykoj që ne si vend duhet të bëjmë të paktën edhe 2.5 herë numrin e testeve që kemi bërë deri tani, sepse numri për milion banore është 2-3 herë më pak sesa vendet e rajonit dhe numri i individëve pozitivë për numër testesh është më i lartë gjithashtu. Duhet theksuar se sërisht të dhënat janë të pakta dhe për të plotësuar panoramën do na duheshin të dhëna në raport me moshën, vendodhjen, situatën shëndetësore të pacientëve, numrin e njësive shëndetësore dhe një sërë faktorësh që janë të domosdoshëm për ndërtimin e hartës të qartë epidemiologjike. Vetëm duke qenë të saktë në të dhëna do të jemi të aftë ta kalojmë këtë pandemi pa dëme njerëzore dhe socio-ekonomike. Nga kjo situatë i bëj thirrje që shteti ti kushtojë më shumë vëmendje degëve prioritare të këtij sektori siç janë Bioteknologjia, Shëndeti Publik dhe Biologjia Molekulare.

more recommended stories

loading...