Ascanio Celestini – Njerëzit me ombrella

Unë kam ombrellë. Përpara meje është një njeri pa ombrellë. Bie shi. Më vjen keq që bie shi, por reshjet janë një fenomen natyror dhe askush nuk mundet t’i ndalë.

Më vjen keq edhe që unë kam ombrellë, ndërsa ai është zbuluar. Por, nga ana tjetër, unë kam ombrellë sepse im atë kishte ombrellë, sepse gjyshi im kishte ombrellë. Pra është diçka familjare, një lidhje emocionale, trashëgimie.

Dhe imagjinoj që edhe babai dhe gjyshi i tij nuk kanë qenë të pajisur me ombrellë. Është fat. Dikush ka ombrellë e dikush jo.

Më vjen keq edhe sepse unë… unë jam demokrat. Pra unë jam në anën e tij, të të humburve, të mjerëve, të mundurve. Kur ka manifestim, unë jam i pari në shesh. Nëse ka për të firmosur një peticion, unë e firmos. Me të vërtetë. Unë kam dërguar edhe sms për ata të cunamit, për shembull, ose për ata të tërmetit të Haitit. Apo Tahiti? Haiti apo Tahiti? Sidoqoftë kam dërguar sms. Kuptove?!

Nëse është fjala për një sms, e dërgoj, ama ombrellën time nuk ia jap, më vjen keq. E megjithatë shikoj që ai vjen drejt meje, ai do pikërisht ombrellën time. Kuptove?! Nuk i mjafton solidariteti dhe dhembshuria ime!

Por unë ombrellën time nuk ia jap. E di përse? Sepse imagjinoj që nëse ai do të kishte ombrellë dhe unë do të isha zbuluar, ai nuk do ma jepte të tijën. E di përse? Ta zëmë se ai është njeriu me ombrellë dhe unë njeriu pa ombrellë. Nëse ai më jep ombrellën e tij, unë bëhem njeriu me ombrellë, ndërsa ai njeriu pa ombrellë. Por është e sigurt se ai nuk do të ma jepte kurrsesi ombrellën e tij sepse kjo është pikërisht situata që po jetojmë tani – dhe ai, që është pa ombrellë, do timen. Prandaj ta harrojë ombrellën time!

Unë jam njeriu me ombrellë. Përpara meje është njeriu pa ombrellë. Nëse ai do, meqenëse bie shi, mund të ulet poshtë. Jo poshtë ombrellës, ëëë! Pikërisht poshtë këmbëve të mia që, në një farë, kuptimi është si të jesh poshtë ombrellës.

Unë tashmë jam njeriu me ombrellë dhe jam sipër, ai është poshtë… e gjithsesi mbulohet. Unë ha një copë bukë dhe më bien thërrime, ai lëpin dyshemenë dhe ha thërrimet. Unë pi një cigare, hedh bishtin dhe ai i jep thithjen e fundit.

Po, e di që të pish filtrin e cigares nuk është si të pish një cigare të bukur të plotë, e di edhe që të hash thërrimet nuk është njësoj si të hash një copë bukë. Ama gjithçka falas. Më parë ishte nën shi, tani mbrohet, ha dhe tymos me shpenzimet e mia. Me shpenzimet e mia që jam njeriu me ombrellë, që i dhashë mundësinë të qëndrojë poshtë këmbëve të mia.

Sepse në fakt unë jam ai që rri sipër, ndërsa ai është poshtë. Tashmë që është poshtë këmbëve të mia, që tymos, ha dhe nuk bën asnjë mut pune, mund t’më masazhojë këmbët, që është diçka që mua më pëlqen, më kënaq. Nuk po them të puthë tokën në të cilën eci unë. por është që është duke lëpirë dyshemenë për të arritur thërrimet, mund t’i japë edhe një larje të mirë. Jo, nëse nuk është shumë e mundimshme them, ëëë! Nëse nuk po kërkoj shumë!

Unë jam ai lart. Ai është ai poshtë. Unë i dhjes në kokë atij poshtë. Më vjen keq, ama të bësh kakën është diçka natyrore. Nëse më shpëton, ç’të bëj?! Nëse poshtë meje nuk do të ishte ai por dyshemeja, unë do të dhisja në dysheme. Po meqenëse është ai, që përfiton nga thërrimet e mia, nga filtrat e mi dhe nuk bën asnjë mut gjëje, madje mbrohet edhe nga shiu, nëse i dhjes në kokë, meqenëse është diçka natyrore, mund t’i them që ta qepë gojën. Apo jo?! Ligji i gravitetit i pëlqyeka vetëm kur bien thërrime dhe bishta cigaresh, ama kur i dhjes sipër bëhet nazemadh njeriu pa ombrellë!

“Shiko – i them njeriut pa ombrellë, unë kam ngrënë një copë bukë, kam pirë një cigare. Unë kur pi cigare më vjen të bëj kakën. Është diçka normale. Nëse nga njëra anë hyn, nga tjetra del. Kuptove?! Është natyra kjo, njëlloj si shiu. Nëse nuk të pëlqen, mund edhe të largohesh. Sepse, bukurosh, atje jashtë pa ombrellë, në mes të shiut, është plot me njerëz. Janë qindra, mijëra, miliona, më shumë se një miliardë. Kuptove?! Në shi, dhe nuk ka ombrella mjaftueshëm për të gjithë, le më pastaj thërrime e bishta cigaresh.”

Atëherë unë, njeriu me ombrellë, i kërkoj Ombrellaxhiut të Madh, prodhuesit më të madh të ombrellave, të ndalojë menjëherë prodhimin e ombrellave e t’na furnizojë me armë. Armë për ne, njerëzit me ombrella, dhe armë për ata njerëz pa ombrella, vullnetarë që duan të luftojnë për ne, kundër terroristëve pa ombrella. Armë për ata vullnetarë që do të jenë të gatshëm për t’u shtrirë poshtë këmbëve tona, të gatshëm që të dhiten në kokë për një dorë thërrimesh e bishtash cigareje.

Unë jam njeriu me ombrellë. Ne jemi njerëzit me ombrella. Po edhe njerëzit me armë. Se brazdën e hap parmenda, por e mbron shpata.

E përktheu Xhuliano Bregasi

more recommended stories

loading...