Koronavirusi. KMD thirrje qeverisë: Ndihmoni komunitetin rom dhe atë egjiptian

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i ka kërkuar qeverisë së kryeministrit Edi Rama që të përfshijë në paketën financiare edhe grupet e diskriminuara si komuniteti Rom dhe ai Egjiptian.

Përmes një letre drejtuar ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu që të përshijnë në paketën financiare për të ndihmuar këto dy komunitete që gjenden në vështirësi si pasojë e situatës së rëndë të krijuar nga koronavirusi.

“Synimi kryesor është gjithëpërfshirja e grupeve të ndryshme shoqërore të cilat pavarësisht ndryshimit të statuseve ligjore ku bëjnë pjesë rezultojnë të përjashtuara dhe për rrjedhojë, mund të rezultojnë të diskriminuara direkt për shkak të gjendjes ekonomike dhe gjendjes shoqërore. Njëkohësisht mund të ekzistojnë premisat për diskriminim indirekt për shkak race, etnie apo përkatësie në grup të veçantë, lidhur kryesisht me komunitetet Rome dhe Egjiptiane. Por edhe me kategori të tjera të cilat nuk marrin asnjë lloj përfitimi nga mekanizmat e mbrojtjes shoqërore”, thuhet në letrën drejtuar dy ministrave të kabinetit Rama.