Dr. Anthony Fauci: Masat e SHBA po funksionojnë për të kontrolluar virusin kinez

Megjithë parashikimet e zymta në SHBA se shumë njerëz do të vdesin nga pandemia edhe nëse vazhdojnë të ndiqen masat për distancim shoqëror, një prej anëtarëve kryesorë të grupit të punës pranë presidentit thotë se përpjekjet për të zbutur përhapjen po japin efekt pozitiv. Dr. Anthony Fauci thotë se distancimi shoqëror vazhdon të jetë përgjigjja për problemet që po kalon vendi.

Zoti Fauci e bëri deklaratën ndërsa Shtëpia e Bardhë njoftoi lajme të zymta duke parashikuar se rreth 100 deri 240 mijë njerëz do të vdesin si pasojë e COVID-19 në një kohë kur masat për distancim social janë zgjeruar me një muaj.

Jemi vërtet të bindur se masat që po marrim do të shërbejnë si një marifet për ne. Ajo që shohim është një rritje e rasteve të reja në një normë të caktuar. Kur rastet e reja të stabilizohen, efekti i dytë është më pak shtrime në spital, efekti tjetër është më pak të shtruar në njësitë e kujdesit intensiv e për rrjedhojë më pak vdekje. Ajo që pamë në Itali apo ajo çka po shohim me gjasë në​ Nju Jork edhe pse nuk dua të dal në përfundime të tilla para kohe, por po shohim diç​ka të​ vakët të tillë të ndodhë atje.

Sipas anëtarit kyç të grupit task force të Shtëpisë së Bardhë, SHBA do të shohë një rritje të rasteve në ditët në vazhdim.

Në ditët në vazhdim pas një jave a më shumë, do të shohim një rritje. Por nuk duhet të shkurajohemi nga kjo, sepse masat zbutëse në të vërtetë po funksionojnë e do të funksionojnë“, thotë ai.

Sipas zotit Fauci një nga arsyet për këto masa është që të parandalojmë që disa shtete apo zona në SHBA, të mos shohin rritje dramatike të rasteve.

Qëllimi ynë, që besoj se mund t’ia arrijmë, është që pikat e nxehta të pandemisë si Nju Jorku, Nju Xhersi t’i ndihmojmë të​ kapërcejnë nivelin e lartë​që ka arritur sëmundja. Por më e rëndësishmja është të parandalojmë një grup zonash të cilat nuk kanë shkuar akoma në atë pikë, duke i parandaluar që të arrijnë aty. Dhe përgjigja për këtë është zbutja e efekteve të pandemisë“.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive Anthony Fauci u bëri thirrje amerikanëve që të respektojnë udhëzimet për distancim social.

Është e vështirë. Njerëzit po vuajnë. Njerëzit po vdesin. Shkakton shqetësim nga pikëpamja shoqërore apo nga një këndvështrim ekonomik që të kalosh nëpër një situatë të tillë. Por kjo do të jetë përgjigjja e problemeve tona. Ndaj le të tërhiqemi të gjithë e të sigurohemi, ndërsa presim për 30 ditët e ardhshme, që ta bë​jmë​ kë​të​ gjë me gjithë fuqinë​ e me sa më shumë forcë që mundemi.

Numri i vdekjeve të SHBA nga koronavirusi arrituri në mbi 4100 të mërkurën duke tejkaluar numrin zyrtar të Kinës. COVID-19 shkakton simptoma të buta ose të moderuara tek shumica e njerëzve, por tek disa, veçanërisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore ekzistuese, mund shoqërohet me simptoma të rënda që çojnë deri në vdekje.