Shuhet albanologu i madh italian. Mbajti katedrën e gjuhës shqipe në Romë

Me hidhërim mësuam për ndarjen nga jeta të prof. Giuseppe Gradilone-s, studiuesit të përkushtuar të gjuhës shqipe e të letërsisë arbëreshe e shqiptare bashkëkohore.
Prof. Gradilone u diplomua në Universitetin e Studimeve “La Sapienza” të Romës për Letërsi Klasike, duke u specializuar në Filologji Klasike dhe më pas kaloi në fushën e albanistikës. Pas vdekjes së Prof. Ernest Koliqit u ftua si profesor ordinar për të dhënë lëndën e letërsisë dhe gjuhës shqipe po në këtë universitet, duke futur për herë të parë në Itali edhe lëndën e Filologjisë shqipe. Ai qe drejtor edhe i Institutit të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit “La sapienza”-s. Punoi me përkushtim edhe si redaktor i revistës “Shêjzat” ku botoi shumë nga artikujt e tij. Analizave të krijimtarisë letrare të shumë autorëve, si De Rada, Santori, Serembe, Fishta, Frashëri, Schirò etj., u kushtoi disa vepra, ndër të cilat mund të përmendim: “Virgilio e Naim Frashëri”, 1957; “Salvatore Braile, poeta albanese”, 1958; “Studi di letteratura albanese”, Roma, Urbinati, 1960; “Altri studi di letteratura albanese”, Roma, Bulzoni, 1974;” La letteratura albanese e il mondo classico”, Roma, 1983; “Studi di letteratura albanese contemporanea”, Istituto di Studi Albanesi dell’ Università degli Studi di Roma “La Sapienza”, 1992.
Me shumë rëndësi janë edhe kontributet plot akribi të prof. Gradilones në fushën e botimeve kritike të veprave të botuara apo të mbetura dorëshkrim të autorëve arbëreshë ku përmendim: Girolamo De rada, “I canti di Milosao”, Roma, 1965; “Zonjës madhe perëndeshë Elenës Gjika (Canto a Dora d’Istria)”, Roma, 1986; “Contributo alla critica del testo dei canti di Giuseppe Serembe”, Roma, 1989; Francesco A. Santori, “Panaini e Dellja – Fëmija pushtjerote”, Roma 1989.
Pjesë e kërkimit të tij shkencor ka qenë edhe studimi dhe botimi i letërsisë së transmetuar gojarisht deri në ditët tona nga komunitetet arbëreshe në Itali.
Me shuarjen e prof. Giuseppe Gradilone-s, komuniteti i albanologëve humbi një nga anëtarët e tij të shquar dhe letërsia arbëreshe e shqipe hulumtuesin e pasionuar.
Në emër të kolegëve të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të tij.
Qoftë i paharruar kujtimi i prof. Giuseppe Gradilone-s!

Me respekt,
Prof. dr. Valter MEMISHA
Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë
Tiranë