17 problemet që ka ekonomia jonë sot dhe 9 masat urgjente që duhen ndërmarrë për tu mbrojtur nga kriza

Nga Azmi Stringa

 

Shqipëria, dhe e tërë bota, është duke lundruar në një territor të panjohur. Masat ndaj COVID-19 pritet të kenë një kohëzgjatje prej 90-120 ditë në skenarin normal. Idetë e trajtuara në këtë artikull bazohet në këtë skenar. Nëse ndodh që masat të ashpërsohen më tej duke qenë më afatgjata,  atëherë politika të tjera ekonomike do të duhet të hartohen.

  1. Mbi situatën ekonomike dhe të financave publike përpara krizës

Konsesusi ndër ekonomistët është që në këtë krizë duhet përdorur “gjithë” arsenali i qeverisë me stimuj fiskal. Në Shqipëri ky arsenal është i limituar si rezultat i strukturës ekonomike, menaxhimit të financave publike dhe pabarazisë. Për këtë arsye, dhe si rezultat i faktit që jemi duke lundruar në një territor të panjohur, identifikimi dhe adresimi në kohë i rreziqeve, si dhe përdorimi i kujdesshëm i arsenalit të qeverisë, është i domosdoshëm.

Kriza aktuale, e cila pasoi tërmetin e 26 nëntorit, i gjeti financat publike shqiptare me rreziqe të larta dhe hapësira të ngushtuara për veprim. Tërmeti thjesht kontribuoi edhe më tej. Qeveritë e shteteve me financa të dobëta publike karakterizohen nga sjellje të papërgjegjshme në kohe të qeta, duke mos menduar asnjëherë për të krijuar rezerva dhe hapësira për ditë me shi. Kriza aktuale e gjeti Shqipërinë dhe financat publike në kushtet e mëposhtme:

  1. Strukturë ekonomike të pa-sofistikuar, me efikasitet të ulët, dhe me nivel të ulët konkurrence në sektorët strategjik.
  2. Sistem financiar të pazhvilluar me mekanizma të limituar të transmetimit të politikës monetare.
  3. Informalitet të lartë, fuqi punëtore jo-konkurruese, dhe një pjese të madhe të popullsisë jashtë tregut të punës.
  4. Probleme të mëdha demografike dhe sociale, karakterizuar edhe nga pabarazi e lartë.
  5. Investime të ulëta dhe jo-shënjestruara në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, që cënojnë zhvillimin dhe konkurueshmërinë ekonomike, dhe si rrjedhojë financat publike.
  6. Me rritje të ulët ekonomike, dhe jo të shpërndarë në mënyre të njëtrajtshme.
  7. Me borxh të larë publik dhe detyrime të prapambetura – të cilat u rikrijuan dhe bënë që borxhi ne fund të vitit 2018 të ishte në nivelet e vitit 2013.
  8. Me angazhime të ndërmarra për fondet publike edhe për shumë vite të ardhshme, në formë kontratash shumë-vjeçare dhe koncesioneve.
  9. Reforma të pjesshme të cilat nuk kanë përmbushur objektivat e tyre, si ajo në pensione dhe mbi të gjitha, reforma ne sektorin e energjisë. Ky sektor, edhe përpara krizës aktuale, ishte në paaftësi paguese, dhe buxheti publik shlyente kreditë e tij dhe me detyrime tatimore në rritje.
  10. Ineficencë dhe abuzime të larta në kahun e shpenzimeve publike.
  11. Barrë fiskale të rënduar për pjesën më të madhe të popullsisë dhe rezultate të dobëta në luftën ndaj evazionit të madh fiskal, reflektuar dhe në të ardhurat tatimore në raport me PBB-në.
  12. Me çështje gjyqësorë ndërkombëtare të cilat mund të sjellin dëme financiare të mëdha për shtetin shqiptar dhe me ndikim në financat publike.
  13. Me ndryshime të shpeshta të politikave fiskale, një ambient rregullator jo të qëndrueshëm dhe arbitrar, dhe ndikimi në to i grupeve të vogla por të forta të interesit në mënyrë informale.
  14. Me kosto të larta nga tërmeti, me ndikim në rritjen ekonomike të riparë në ulje, dhe angazhim financiar nga shteti të ndërmarrë në gati 5 për qind të PBB-së.
  15. Me rregullat fiskale, mbi deficitin dhe borxhin publik, të zbatuara vetëm formalisht, duke rritur stokun e detyrimeve të prapambetura apo mbledhur parapagime taksash nga biznesi në fund të vitit.
  16. Administratë shtetërore e fryrë, ineficente, selektive, dhe arbitrare.
  17. Besim të ulët të qytetarëve ndaj institucioneve të tyre.

Panorama e mësipërme për situatën e financave publike dhe ekonomisë nuk ka si qëllim të jetë kritike në këtë kohë krize. Ajo na ndihmon të vlerësojmë përshtatshmërinë dhe limitet e stimujve fiskal që mund të ndërmarrim, si dhe kostot që do duhet të përballojmë nesër në përfundimin e krizës. Sot, të gjithë ne duhet të fokusohemi, dhe të mbështesim qeverinë, në identifikimin e hapësirave apo masave efikase që mund dhe duhet të ndërmerren.

Figura 1: Të ardhurat për frymë tregojnë stanjacionin e gjatë dhe të vazhdueshëm të ekonomisë shqiptare
  1. Mbi objektivat dhe rëndësinë e stimujve fiskal gjatë krizës

Aktualisht ekonomia është goditur rëndë si rezultat i një krize ekzogjene, dhe masave të ndërmarra ndaj saj. Kjo situatë kërkon stimuj fiskal për të minimizuar plagët në ekonomi dhe jetën e qytetarëve. Fatkeqësisht, kjo krizë e gjeti Shqipërinë me plagë të mëdha.

Rregullat fiskale, siç parashikohen në Ligjin për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë, ashtu si edhe gjetkë, nuk janë të zbatueshme në këtë situate.  Prandaj është e rëndësishme ruajta e këtyre tavaneve në kohë të qeta dhe të mira. Mosrespektimi i tavaneve të deficitit apo borxhit publik janë sot të pranueshme. Në të ardhmen e afërt mund te ketë nevojë për ndryshime ligjore sa i përket rregullit që deficiti nuk mund të tejkalojë shpenzimet kapitale, për të cilin ligji nuk parashikon raste mosrespektimi.

Qëllimi i masave është stabilizimi sa më shumë i situatës, duke bërë të mundur që dhe ringritja dhe rifillimi i motorit ekonomik të jetë i shpejt në përfundim të epidemisë. Identifikimi dhe zbatimi i stimujve fiskal dhe monetar është një proces kompleks, dhe me shumë të panjohura. Situata mund të përkeqësohet shumë shpejt në skenarë të rënduar, apo ndikimi negativ në ekonomi dhe sistemin financiar të shtohet si rezultat i faktorëve që janë në kontrollin tonë, por edhe atyre përtej nesh.  Nëse mund të përmblidhen, detyrat komplekse që kemi aktualisht, të cilat janë dhe funksione të njëra-tjetrës, do të ishin:

  1. Të shpëtojmë sa më shumë jetë njerëzish;
  2. Qytetarët të kenë aftësi paguese dhe akses në të mira bazë (importi dhe eksporti);
  3. Përmbushjen sa më të mire të nevojave për medikamente dhe pajisje mjekësore;
  4. Mbështetjen e ekonomisë duke mundësuar likuiditet, por jo vetëm, për subjektet e shëndosha, por të prekura nga situata, sektorët që punësojnë njerëz dhe ato të rëndësisë kombëtare në kohë krize;
  5. Rruajtjen e zinxhirit të furnizimit;
  6. Minimizimin e goditjeve në sistemin financiar të vendit;
  7. Evidentimin e mundësive për ripozicionimin e shpejtë të sektorëve ekonomik, nëse ka, dhe mbështetjen e këtij ripozicionimi;
  8. Minimizimin e ndikimeve negative në qëndrueshmërinë e financave publike. Mbi të gjitha, ruajtja e aftësisë paguese dhe garantimin e likuiditetit në Thesarin e Shtetit;
  9. Ruajtjen e vlerës për kursimet e qytetarëve dhe balancës tregtare.

Situata kërkon që masat e ndërmarra të jenë “klinike”, çka nënkupton 1) të jenë të shpejta dhe 2) të jenë të përshtatshme për rrethanat. Në këtë moment nuk është koha për procedura burokratike që ngadalësojnë efikasitetin e masave. Nga ana tjetër, masat e marra duhet të jenë transparente për të gjithë, duke nxitur kështu besimin e qytetarëve, bizneseve, dhe tregjeve financiare.

Qeveria duhet të përgatis dhe paraqis planin e masave dhe strategjinë kombëtare të veprimit. Kjo strategji duhet të rishikohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të lërë hapësira për skenarët më të rënduar. Kjo është kryer në vendet e tjera të botës. Aktualisht, konstatohet që veprimet e qeverisë Shqiptare karakterizohen nga një transparencë e vonuar, ku masat paraqiten një e nga një dhe me informacion të limituar. Një plan gjithëpërfshirës veprimi nuk është paraqitur ende. Kjo mund të ndodhë si rezultat i faktit që qeveria mendon që shqiptarët do të frikësohen nëse i jepet më pak informacion dhe i shtrirë në kohë, apo mbase sepse vetë Qeveria është mbrapa në hapat që duhet të kryejë. Duhet pranuar që kapacitetet e ulëta financiare dhe ato të planifikimit dhe ekzekutimit strategjik nuk kanë qenë asnjëherë pika të forta të Shtetit Shqiptar.

Aktualisht masat fiskale të qeverisë janë me vonesë, ndryshe nga masat e marra për distancimin social, sepse injektimi i stimulit duhet te jetë i shpejtë dhe i gjerë. Kjo është e dukshme edhe në krahasim me hapat e vendeve te tjera. Buxheti i ndryshuar me akt normativ është optimist në të dyja kahet, dhe konservator në masa. Kjo mbase për të ruajtur arsenal për më vonë. Analiza e kosto-përfitimeve në lidhje me masat e ndërmarra, kohën e shpalljes së tyre, si dhe aftësinë për t’i axhustuar dhe rishikuar në vijimësi sipas zhvillimeve, duhet të jetë parësore për Qeverinë. Me aktin normativ paraqitet buxheti vjetor i ndryshuar, por ky buxhet nuk do të zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme gjatë vitit në të dyja kahet e tij. Njëtrajtshmëria ndërmjet ecurisë së arkëtimeve të të ardhurave dhe shpenzimeve që karakterizon zbatimin e buxhetit në kohë normale është shumë e vështirë të ruhet, çka e vështirëson situatën.

Figura 2: Borxhi publik shqiptar sipas të dhënave zyrtare. Ai nuk reflkton ende pagesat e prapambetura dhe detyrimet ndaj kontratave shumë-vjeçare konçesionare

Nga ana tjetër, kjo është një situatë e veçantë sepse ne nuk kemi ndalur vetëm ekonominë por edhe shtetin. Në kushte krizash të tjera kur ekonomia ngadalëson, shteti mund të ndërhyjë me stimuj fiskal. Shpenzimet e Buxhetit të Shtetit në Shqipëri kapin rreth 32% të PBB-së. Mos ndërhyrja nga shteti në kohë rrezikon ta fusë ekonominë në një spirale negative. Vlen të theksohet që në këto kohë jo çdo shpenzim i shtetit është i mirë dhe duhet të konsiderohet si stimul fiskal. Mosrealizimi apo shkurtimi i disa shpenzimeve jo-efektive, të fryra, apo që fondet përfundojnë në duart e një grushti njerëzish, gjë për të cilën buxheti ynë karakterizohet, nuk duhet parë si problematike, përkundrazi si domosdoshmëri për të ulur presionin ndaj likuiditetit dhe borxhit dhe rritjen e hapësirave për stimujt e duhur fiskal. Për këtë arsye, ky stimul ka mundësi dhe duhet të ritet dhe shpejtohet.

Sigurimi i likuiditetit në ekonomi dhe i qeverisë, nëpërmjet menaxhimit të arkës, për të garantuar injektimin e shpejtë në ekonomi dhe vazhdimin e pagesave, është po aq, në mos më i rëndësishëm se treguesit fiskal në këtë moment. Në kushtet kur të ardhurat janë ulur dhe do të ulen ndjeshëm në këto muaj dhe kërkesa për stimul fiskal vjen duke u rritur, nevoja për likuiditet pritet të jetë e lartë këto muaj. Pra, përveç kësaj qeveria duhet të jetë e kujdesshme edhe për muajt e tjerë të vitit, të cilët, edhe nëse kriza do të përfundoj sipas skenarit normal, do të karakterizohen nga rimëkëmbje graduale e realizimit të të ardhurave tatimore, si rezultat i ngadalësimit të aktivitetit ekonomik, por edhe problemeve strukturale të mbartura dhe trajtuara më lart.

Tregjet ndërkombëtare kanë ndryshuar nga një apo dy muaj më parë, prandaj qeveria së bashku me bankën qendrore duhet të fillojë të mendojnë që tani për financimin e brendshëm të deficitit dhe ri-financimin e borxhit. Kostot e financimit me borxh të huaj mund të jenë me të larta por në këtë moment rëndësi ka likuiditeti, për aq kohë sa kostot nuk janë të papërballueshme. Pasiguria në tregjet financiare është shumë e lartë, dhe ne duhet të jemi të përgatitur për akses të limituar në to. Nga ana tjetër, financimi i sektorit privat dhe individëve në vend do të ulet duke krijuar hapësira për financim të brendshëm të borxhit, duke përdorur kursimet e qytetarëve. Kjo kërkon një bashkëpunim të ngushtë me BSH dhe bankave dytësore. Sistemi ynë bankar ka likuiditet, kjo dhe nga deklarata e BSH, sidomos në valutë.

  1. Mbi situatën dhe sfidat e ekonomisë dhe financave publike pas krizës

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kostot ekonomike do i përballojmë po ne si shoqëri. Fokusi në këtë moment duhet të jetë në minimizimin e tyre dhe më pas në identifikimin e shtresave të shoqërisë që duhet t’i mbajë ato nesër. Përfundimi i krizës do t’i gjejë qytetarët më të varfër, ekonominë më të dobët, sektorin financiar më të ndrydhur, financat publike më pak të qëndrueshme, dhe borxhin publik shumë të lartë. Por nesër ne nuk duhet të pranojmë të dëgjojmë që vetëm tërmeti dhe kriza i dërmoi financat publike, sepse kjo është pjesërisht e vërtetë. Ne duhet nesër të kërkojmë llogari dhe të ndreqim gabimet e të shkuarës duke nxjerrë mësimet përkatëse!

Kur kjo krizë të mbaroj ne do kemi përpara dy receta. E para do jetë me e thjeshta: Për të ruajtur qëndrueshmërinë e financave publike duhet të rriten taksat, apo të shkurtohen shpenzimet e domosdoshme si ato në arsim, shëndetësi, investime apo rindërtim nga tërmeti, duke rrezikuar kështu vazhdimin e stanjacionit dhe dëmtuar konkurueshmërinë e ekonomisë shqiptare në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Kësaj recete ne duhet ti themi jo. Receta e dytë është më e vështira: Për të ruajtur qëndrueshmërinë e financave publike, duhet luftuar evazionin e madh, ulur abuzimet në shpenzime në të gjitha zërat buxhetor, duhet administruar siç duhet prona dhe entet publike, dhe duhen kryer reformat e domosdoshme për të cilat kishit dijeni që më herët. Vetëm kështu pasojat që do lërë kjo krizë nga pas, shkurtohen në kohë dhe kosto për qytetarët shqiptar do të ulen.

Politikanët, funksionarët publik me integritet të ulët, dhe ortakët e tyre në biznes do të harrojnë shpejt, ashtu siç do të investohen që të harrojnë dhe qytetarët, të cilëve do t’i japin njëqind justifikime pse “arka është bosh”, por koncesionet dhe PPP-të, me probleme të dokumentuara, duhet të vazhdojnë. Pasi të kalohet lumi, ka risk shumë të lartë që drejtuesit publik do të kthehen në të njëjtat sjellje të papërgjegjshme në administrimin e ekonomisë dhe financave publike. Por me ndërgjegjësimin tonë si qytetar, ne mund dhe duhet ta kthejmë këtë krizë nesër, në avantazhin tonë. Nuk kemi zgjidhje tjetër, alternativa e vjetër është vrastare. Dhe kështu, bazuar mbi punë, sakrificë, dhe me parime të shëndosha, por besimplotë, mund të hapim një kapitull të ri për vendin, duke hedhur themelet e shtetit modern Shqiptar.


Ky është artikulli i parë në një seri artikujsh në lidhje me situatën ekonomike që po kalon vendi. Strukturimi i tij është menduar në këto pjesë:

  1. Një këndvështrim i përgjithshëm mbi situatën në te cilën e gjeti dhe mund ta lërë vendin kriza e COVID-19, objektivat dhe rëndësia e stimujve fiskal për t’u përgjigjur ndaj saj.
  2. Një analizë e ndikimit të kësaj krize në ekonominë botërore dhe atë shqiptare në veçanti.
  3. Një analizë e masave të marra nga qeveria dhe banka qendrore, përshtatshmëria e tyre, krahasimi me vendet e tjera, sipas stadit të krizës.
  4. Propozime për stimujt e tjerë fiskal dhe monetar që mund të ndërmerren duke pasur në konsideratë rreziqet për ekonominë dhe financat publike në këtë fazë të ndalimit gati të plotë të ekonomisë.
  5. Propozime për masat që duhet të merren në fazën e rifillimit gradual të ekonomisë dhe mësimet që mund të nxjerrim për të ardhmen.

Botuar në Ekon.al