Gjeopolitika nuk mund të jetë streha e fundit e KEQ-qeverisjes!



Nga Ardit Gjinali

Integrimi Euro-Atlantik është kryefjala që shoqëron axhendat politike kombëtare të vendeve që janë në hapa të ndryshëm të procesit të Integrimit. Integrimi Europian është një proces kompleks i cili ka një rëndësi të posacme politike duke marrë në konsideratë  hartën komplekse politike të kontinentit Europian. Zgjerimi  i  madh i 2004 simbolizon jo vetëm zgjerim   në kuptimin gjeografik, por gjithashtu një zgjerim thelbësor i vlerave perëndimore kryesisht në vendet e ish- Bllokut të Lindjes të jetësuara në parimet e Kartës së Kopenhagenit.

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian i kushton një rëndësi të posacme përmbushjes së standarteve, por procesi i ka dhënë një dimension të rëndësishëm dhe konceptit te gjeopolitikës i reflektuar në vëmendjen e vazhdueshme ndaj vendeve të Ballkanit, gjithashtu.

Rajoni i Ballkanit është një rajon kompleks që është pjesë e një harte politike po aq komplekse të kontinentit të vjetër, ku vende të ndryshme të rajonit kanë një ecuri të ndryshme përsa i përket procesit të Integrimit; ecuri e ndryshme jo vetëm për shkak të përmbushjes së standarteve, por gjithashtu për shkak të specifikave historike dhe politike të secilit vend .

Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë së Veriut ishin dy shtetet që ishin në pritje të një konfirmimi nga ana e Bashkimit Europian për hapjen e procesit të negociatave.
Republika e Shqiperisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut morën një “PO” të njëjtë në kontekstin gjeopolitik , por e ndryshme përsa i përket detyrave që secili nga vendet duhet të përmbushë. Ishte një “PO” e njëjtë në kontekstin gjeopolitik sepse të dy vendet u trajtuan në bllok pavarësisht dallimeve përsa i përket përmbushjes së standarteve; vecimi i Shqipërisë do të ishte një fatalitet për perspektivën e integrimit Europian dhe për perspektivën e rolit të faktorit Shqiptar në tërësi, gjithashtu. Nga ana tjetër, ishte një “PO” e ndryshme duke u bazuar në performancën e secilit prej dy vendeve.

Republika e Maqedonisë së Veriut mori nje “PO!” me gërma të mëdha dhe me nje pikë cuditëse si shenjë e epilogut të këtij hapi, por nga ana tjetër Republika e Shqipërisë mori një “po, POR “ me një POR me gërma të mëdha pas së cilës qendrojnë plot 15 kushte; kushte të cilat qëndrojnë në qafën e një qeverie keq-qeverisëse , kurrizi politik i së cilës është kërrusur dhe vijon të kërruset; kërrusje jo prej viteve të qeverisjes, por prej mëkateve politike të shtuara eksponencialisht në vite qe reflektohen në kushtet e vendosura për hapjen reale të negociatave. Kushtet janë pasqyra e qartë e Shqipërisë politike që vuan trajektoren e mbrapshtë të një qeverisjeje e cila ka vrarë balancën e pushteteve dhe ka instaluar paligjshmërinë në sistem . Raportet e ndryshme të përcjella nga organizma prestigjioze ndërkombëtare tregojnë gjendjen e vërtetë të shumë treguesve të qeverisjes në luftën kundër trafikut të drogës, korrupsionit, pastrimit të parave apo investimeve të huaja.

Raporti i “ Transparence International” tregon që Shqipëria humbi 7 ( shtatë) vende për luftën kundër korrupsionit duke u renditur në vendin e 106-të. Raportet e përcjella nga FAFT, Task Forca për Veprim Financiar tregon kthimin e Shqipërisë në zonën gri përsa i përket ekspozimit ndaj fenomenit të pastrimit të parave, përkeqësim në raport me pozicionin e mbajtur pesë vite më parë. Agjensia ndërkombëtare “Fitch” përmes raportit të saj e konsideron Shqipërinë si një vend të rrezikshëm për të investuar. “Freedom House” në raportin e publikuar për liritë dhe të drejtat thekson që Shqipëria po shënon regres i reflektuar dhe në renditjen rënëse përkatësisht nga vendi i 68-të në të 67-in. Sondazhet e “Gallup” mbi korrupsionin dëshmojnë mbi nivelin e lartë të korrupsionit duke e renditur Shqipërinë si vendin e 13-të në botë. Të gjitha këto raporte janë një dëshmi e qartë e keq-qeverisjes dhe reflektojnë vërtetësinë e kushteve të vendosura; permbushja e të cilëve do të kthente normalitetin në qeverisje dhe do të shënonte hapa konkretë në shtyrjen përpara të procesit të Integrimit.

“po” e shoqëruar me “POR” për Republikën e Shqipërisë dëshmon vullnetin e palëkundur të Bashkimit Europian për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor duke hedhur poshtë tezat e sponsorizuara nga propaganda me dirigjent KryeKreun që Bashkimi Europian është skeptik mbi dhe i “lodhur” nga zgjerimi. Realiteti dëshmon që Bashkimi Europian nuk është skeptik mbi zgjerimin , por nga përsëritja e krizave politike që janë pasojë e mendësisë tërësisht jo-demokratike të keq-qeverisësit e reflektuar në vullnetin negativ për të zhbërë nocionin e shtetit.
9 kushtet e Bundestagut Gjerman dhe kushtet e tjera të shtuara janë treguesi i vërtetë i vëmendjes dhe vullnetit të aleatëve perëndimorë për një model demokratik të qeverisjes në Shqipëri.  Këto kushte janë elementët e vërtetë që hedhin poshtë propagandën qeveritare; kushte për tu përmbushur,  të cilat tregojnë problemet e  vërteta politike dhe institucionale  të Republikës sonë. Përmbushja e kushteve do të drejtonte drejt një modeli demokratik të qeverisjes i cili do të prodhonte një stabilitet politik dhe shoqëror afatgjatë i bazuar në vlerat e konsensusit dhe pranimit të verdiktit demokratik të zgjedhësve.

“Po” me shumë “POR” për Republikën e Shqipërisë nuk mund të paraqitet në sytë e publikut si një punë e përfunduar e një qeverie e cila është përgjegjësja absolute për shtimin e kushteve kundrejt vendit. Vendimi i Bashkimit Europian është jo vetëm një vendim pozitiv gjeopolitik për vendin duke marrë në konsideratë pozitën politike të faktorit shqiptar në Rajon por dhe për vokacionin perëndimor të shumicës absolute të qytetarëve shqiptarë pavarësisht përkatësisë politike. Shpesh keq-qeverisësit rreken të gjejnë dhe ndonjëherë përdorin si strehë të fundit të tyre nacionalizmin; gjeopolitika nuk shërben dot si streha e fundit e KEQ-qeverisësit në Shqipëri.