COVID 19 godet turizmin shqiptar, anulohen 5 milionë netë prenotime

Prania e COVID 19 ka goditur rëndë ekonominë shqiptare. Pasojat po ndihem që tani, por mendohet se në të ardhmen bilanci do të jetë i frikshëm. Një prej sektorëve që parashikohet të goditet më shumë është turizmi shqiptar, i cili vitet e fundit pati një rritje admiruese. Unioni Turistik Shqiptar bëri të ditur për anulime të shumta të paketave që operatorët turistikë kishin me Shqipërinë për këtë sezon veror. Sipas unionit janë anuluar 5 milionë netë qëndrimi të sezonit veror pa përmendur anulime të tjera si prenotimet e çarterave dhe shoqërive të transportit. Unioni Turistik Shqiptar vlerëson se në situatën e krijuar ky sektor ka nevojë për politika të veçanta në mënyrë që mos të shkojë drejt falimentimit. Qeveria shqiptare ka deklaruar se situata është e vështirë, por do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta përballuar.