Zv.ministri Cakaj nuk respekton distancën, rrezikon mjekët shqiptarë që po shkojnë në Itali

Së bashku me mjekët që janë nisur drejt Bergamos, ka udhëtuar edhe zv.Ministri i Jashtëm Gent Cakaj. Në fakt Cakaj ka tjetër mision në këtë udhëtim.

MEPJ në një njoftim për mediat ku ka njoftuar se ka nisur sot operacionin për kthimin e shqiptarëve të bllokuar jashtë vendit, ka publikuar dhe foto nga brenda avionit, ku Cakaj shihet në shoqërinë e mjekëve.

Ndoshta nga qejfi i këtij lajmi, apo nga entuziazmi i selfies me mjekët, ministri ka bërë një gabim.

Cakaj nuk ka respektuar distancën prej një metër, dhe shihet shumë afër me mjekët të cilët janë pa maska, e ai vetë pa asnjë masë mbrojtëse ndaj Covid-19 sikur të jetë imun dhe nuk i ka të nevojshme mbrojtjet.

Operacioni për rikthimin e shqiptarëve në vend do të vijojë gjatë gjithë javës duke bërë të mundur kthimin e shqiptarëve të mbetur në shtete të ndryshme, nëpërmjet rrugëve tokësore dhe ajrore.