Marrëdhënia SHBA-Kosovë| Deklarata e z.Eliot Engel nuk mund të shpërfillet

Nga Indrit Vokshi

Ai mban postin e kryetarit të Komitetit për Politikë të Jashtme në Kongresin e SHBA Duhet kuptuar se politika e jashtme e SHBA ka dy linja; presidentin dhe Kongresin (House + Senat).

Nga ana tjetër, politika e jashtme e SHBA nuk është monopol vetëm e republikanëve por është edhe e demokratëve. Këto dy parti e pole pushteti i drejtojnë institucionet me rradhë (8-8).

Ne si shqiptarë duhet të përpiqemi për politikë të pjekur në raport me SHBA, politikë me institucionet zyrtare, përfaqësuese dhe legjitime te SHBA. Politikë profesionale e cila ia arrin të parashikojë dhe të operojë, ia arrin të mos mbajë anësi por të jetë vetëm në anën e SHBA-ve si të tilla.

Megjithë dashamirësinë, askush nuk mund ta mohojë se qëndrimet e kohëve të fundit kanë qenë të paqarta. Synimet që duam të arrijmë janë gjithashtu të papërcaktuara e të pafiksuara në mënyrë të palëvizshme. Ose thjesht janë të padeklaruara.

Kësisoji është e nevojshme të përcaktohen publikisht këto kritere:

1. Kosova nuk humb territor.
2. Kosova ushtron sovranitet mbi të gjitha asetet dhe burimet të cilat ndodhen në territorin e saj.
3. Komuniteti ndërkombëtar dënon ato shtete të cilat shkaktojnë rrëmujë.

Ne nuk duhet të harrojmë se është Serbia që nuk njeh Kosovën, jo Kosova Serbinë. Kosova e njeh Serbinë dhe nuk punon për të shkaktuar trazira. Ndërsa Serbia vazhdon të jetë shtet i cili nxit trazira dhe destabilitet në Ballkan. Nëse po punojmë kundër ndërhyrjes ruse në hemisferën e NATO-s dhe na kërkohet të mos përkrahim ndërhyrjen e Rusisë në vendet tona, duhet të kemi parasysh se Serbia është instrumenti kryesor përmes të cilit Rusia ndërhyn.

Kësisoji, parandalimi i Rusisë, nënkupton neutralizim të Serbisë. Serbia ka 150 vjet që bëhet shkak për luftë në Ballkan dhe synon të vazhdojë të mbetet shkak. Serbia duhet të bëhet një herë të vetme investitore për paqe. Përndryshe duhet izoluar përsëri.

Në ketë kuptim, pikë kyçe për politikën e NATO-s në Ballkan, duhet të jetë neutralizimi i fuqisë së Serbisë për të shkaktuar rrëmujë.