DR. DETINA ZALLI: Shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundra koronavirusit.

– FLET PËR DIELLIN SHKENCËTARJA SHQIPTARE QË ËSHTË E PËRFSHIRË NË EKSPERIMENTIMIN E VAKSINËS KUNDËR CORONAVIRUSIT, DR. DETINA ZALLI MD, LIGJËRUSE NË UNIVERSITETIN E OXFORDIT-

– Shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundra koronavirusit.

– Janë 3 prova klinike, ku do të ketë qindra pacientë që do të testohen dhe do të ndiqen për një vit. A zhvillojnë simptoma të tjera? Si e prekin sistemin imunitar? A zhvillojnë antitrupa? etj.

NGA DALIP GRECA

Para 7 vitesh gazeta Dielli i uronte mirëseardhjen në Harvard Detina Zallit, përmes një interviste, ku u shpalos historia e veçantë e dy motrave binjake 11 vjeçare, Detinës dhe Argitës, të cilave bashkë me prindërit, kundrejt pagesës me para të marra borxh, u qe premtuar udhëtimi drejtë ëndrrës britanike me avion, por përfunuan në maune, dhe fati i ndihmoi për të mbërritur në qytetin-port Folkestone në Jug të Anglisë. Ishte viti 1999. Dielli tregonte kapërcimin e vështirësive të familjes dhe të dy motrave të cilat duke triumfuar edhe mbi racizimin ndaj emigrantëve arritën që të shkëlqenin në shkollat britanike dhe po çanin shtigjeve të shkencës. Detina kaloi 4 vjet e gjysëm në Harvard. Po ç’ndodhi gajtë atyre katër viteve e gjysëm e më pas në jetën e Detinës? Çfarë ka ndryshuar në jetnë e Detinës? Si është e përfshirë ajo sot në grupin shkencor për vaksinën kundër COVID-19, ç’mendon për Koronovirusin, për kalimin e vaksinës nga eksperimenti në prodhim e përdorim? Lexojeni të plotë intervistën e dhënë enkas, shoqëruar me një mesazh shumë të ngrohtë.
DIELLI: Përshëndetje Dr. Zalli. Ra ky Coronavirus dhe u pamë sërish virtualisht 7 vjet pas intervistës së parë me gazetën DIELLI, Çfarë mund të thotë rreth panepidemisë të COVID- 19 shkenctarja Detina Zalli në këtë situatë ankthi ku njerëzimi pret me padurim lajmin e vaksinës shpëtuse prej Coronavirusit?
Dr. Detina ZALLI-COVID-19 është pjesë e një virusi të cilët bëjnë pjesë në familjen korona. Këto viruse janë të mbështjellura me proteina të jashtme të ngjashme me kurorën prandaj quhet dhe koronaviurs. Janë pikërisht këto korona që e mbrojnë virusin në një farë mënyre dhe bëjnë që virusi të qëndrojë i paprekur në pikat mukozale në ajër dhe në sipërfaqe për disa ditë. Kjo është edhe arsyeja pse janë të rrezikshëm.
Si përmenda ka shumë viruse të tilla, por që ndryshojnë dukshëm në virulencë dhe përfshijnë ftohjen e zakonshme, gripin, poliomielitin, fruthin, hepatitin C / E, virusin Ebola.
DIELLI:- Njerzimi po pret me ankth vaksinën.Kur mendoni se do ta kemi vaksinën e parë?
Dr. Detina ZALLI- Në fakt, Vaksina e parë ka filluar fazën e provave klinike nga kompania Moderna në Boston, por duhet kohë për të kaluar nga faza eksperimentale në fazën e prodhimit për përdorim tek njerëzit. Gjithëmonë duhet marrë në konsideratë kushti nëse del me sukses faza eksperimentale.
Dielli: Duke qenë pjesë e eksperimtetit, nuk mund të parashikoni një afat kohor?
Dr. Detina ZALLI- Natyrisht një parashikim edhe mund të bëhet. Mendohet rreth 14-18 muaj.Jo sepse nuk duam ta përshpejtojmë procesin, por sepse eksperienca tregon se nëqoftëse vaksina nuk është e verifikuar mirë, mund të bëjë më shumë dëme sesa efekte kuruse. Duhet verifikuar se këta pacientë që po marrin doza të ndryshme vaksinimi të pergjigjen e të reagojnë mirë kundrejt vaksinës. Të krijojnë antitrupa kundër proteinës spike që ndodhet në virus dhe që infekton qelizat.
DIELLI: Konkretisht si do të do kryhet faza eksperimentale, në sa pacientë do të eksperimentohet, çfarë do të vëzhgohet?
Dr. Detina ZALLI- Janë 3 prova klinike, ku do të ketë qindra pacientë që do të testohen dhe do të ndiqen për një vit. A zhvillojnë simptoma të tjera? Si e prekin sistemin imunitar? A zhvillojnë antitrupa? etj….Vaksina duhet të jetë e vleshme për të gjithë moshat, fëmijët, të moshuarit, personat që mund të vuajnë nga sëmundje të tjera për shembull, diabeti etj. Nuk është e lehtë ti shpejtosh të gjitha fazat. Por çdokush po bënë të pamundurën. Të gjithë duam të njëjtën gjë.
Në qoftë se nxitojmë vaksina mund të mos jetë efikase për asnjë grup moshash. Dhe mund të infektojë dhe vrasi njerëz. Asnjë nuk do ketë. Theksoj të gjithë duam të njëjtën gjë dhe shkencëntarët po luftojnë duke bashkëpunuar me njeri tjetrin kundra virusit.

DIELLI: COVID-19 – PSE KAQ I RREZIKSHEM NE KRAHASIM ME VIRUSET E TJERE
Dr. Detina ZALLI- Mendoj edhe për këto arsye: 1- Simptomat shfaqen më vonë sesa SARS- që do të thotë që njerëzit shpesh ua kalojnë të tjerëve edhe para se ta dinë se e kanë.
2- Aktivizohet shumë lehtë nga enizma FURIN që gjendet në shumë indet tona.
DIELLI: Kemi dëgjuar se në pritje të vaksinës po rekomandohen disa ilaçe kundër koronavirusit. Çfarë mendojnë shkencëtarët?
Dr. Detina ZALLI- Shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundra koronavirus. Në listë janë:
1—-Chloroquine – zakonisht përdoret për të trajtuar sëmundjen e malaria(s)
2—– Haloperidol (Haldol)- zakonisht përdoret për trajtimin e skizofrenisë
3—– Metformin- zakonisht merret nga njerëzit me diabet tip 2.

DIELLI- Mendoni se njerzimi u ndodh i papërgatitur përballë kësaj beteje me armikun e padukshëm dhe të panjohur apo e nënvleftësoi?

Dr. Detina ZALLI- Mendoj se shkencën dhe mjekësinë e ka gjetur të papërgatitur. Zakonisht si shkencëtarë nuk i nënvloerësojmë viruset, aq më tepër ata të panjohurat, për të cilët nuk ka ende një kurë. Megjithatë dua të theksoj që jemi të gjithë të mbledhur së bashku duke kooperuar me njeri tjetrin dhe duke ndarë të gjitha informacionet në mënyrë që të gjejmë një kurë, një vaksinë. Shkenca po përparon. Si kam përmendur në intervista të tjera ka me shumë se 45 vaksina me të cilët po punohet. Vaksina e parë që po provohet në Phase I clinical trial është në Seattle, ku janë injektuar 4 indivdët e parë gjatë javës së kauar. Ka shpresë. Jam e sigurt që do e fitojmë edhe ketë betejë, por që duhet kohë. Edhe shkenctarët edhe mjekët kanë nevojë për kohë.

DIELLI- Si ka vepruar Dr. Detina Zalli nga momenti i shfaqjes së Panepidemisë deri në këto momente? – Shihni dritë në fund të tunelit? – Sa e gjatë mund të jetë beteja? – A ka raste të rikthimit të virusit pas shërimit tek pacientet? – Mendoni se kjo Panepidemi do të ndryshojë mënyrën e jetesës së qytetarëve?

Dr. Detina ZALLI- Unë jam duke punuar me një grup të mrekullueshëm shkencëtarësh në Universitetet dhe laboratorët më të mirë në botë si MIT dhe Harvard , jemi duke bërë research të detajuar bazuar në gjetjet e fundit laboratorike në mënyrë që të edukojmë shkencëtarët. Qëllimi jonë është të edukojmë sa më shumë kërkues shkencorë që po merren me zhvillimin e vaksinave, apo zhvillimin e testeve të shpjeta diagnostikuse apo trajtime efektive, duke i dhënë rekomandime të sakta mbështetur nga fakte dhe burime të shëndosha shkencore dhe mjekësore. Patjetër shikoj dritë në fund të tunelit. Jam e sigurt që shkenca do përparojë si po e tregon nga faktet e fundit (zhvillimi i vaksinave apo ilacave antivirale) por që do kohë.
Bazuar në faktet shkencore nuk mund të them me bindje të plotë që virusi nuk do kthehet përsëri tek pacientët e shëruar (që kanë kaluar virusin) sepse ende po zhvillohen shumë teste dhe kërkime për këtë por mund të them që ngjasitë më të mëdha janë që të mos kthehet duke patur parasysh që trupi i njeriut krijone antitrupa kundër virusit (në këtë rast kundër Sar-Cov2 që shkakton COVID-19) dhe që teorikisht duhet ta eliminojë menjëherë virusin në qoftë se e takon për herë të dytë.
Mendoj që kjo panepidemi do ti bëjë njerëzit më të ndjeshëm, dhe do të vlerësojnë më shumë jetën dhe marrëdhëniet me njeri tjetrin. Në të nëjjtin kohë do ti hapi horizontin, do kuptojnë që jo të gjitha gjërat janë të kontrollueshme dhe nuk i kontrollojmë dot. Gjithashtu do vlerësojnë që përgjegjësia (Të qëndrosh brenda për tu mbrojtur nga virusi) ndonjëherë është më e rëndësishme sesa liria (e të dalit jashtë). Patjetër që të gjithë do kalojnë në një farë mënyre krize ekonomike, dhe gjërat per shumë individë mund të jenë më të vështira, por që thelbi kryesor që të gjithë njerëzit po kalojnë është rëndësia e jetës, dashuria për jetën, dhe për njeri tjetrin.

DIELLI- Dr. Detina, gazeta Dielli, më e vjetra e botës shqiptare, që sapo ka festuar 111 vjetorin e numrit të parë, ka pasë nderin t’ju intervistojë para 7 vitesh, kur ju erdhët për doktoraturën në Harvard. A mundeni ta plotësoni atë intervistë me sa te mundeni? – Ç’ndodhi në ato 4 vite e gjysem që ju kaluat në Harvard? A mund të përshkruani aktivitetin tuaj të plotë atje?

Dr.Detina Zalli-Në Harvard kalova një periudhë shumë të bukur të jetës time, ku nuk u zhvillova vetëm si shkencëtarë apo pedagogë por edhe si një udhëheqëse. Bashkëpunimi me kolegët më rriti profesionalisht dhe personalisht. Ishim tamam si një familje të rrethuar nga kurioziteti dhe të uritur për njohuri. Në Harvard publikova dy gazeta të rëndësishme shkencore si edhe i drejtova shumë kurse në fushën e biologjisë mjekësore dhe biokimisë për mjekët, studentët e doktoraturës, si edhe për undergraduate students. Punova me shkencëtarët më të mirë të botës (mund të them) të cilët më inspiruan dhe mbështetën duke parë pasionin tim për pedagogji dhe urinë për njohuri.
E inspiruar nga ish Presidenti i Amerikës Obama, u bëra pjesë edhe në Harvard Graduate Government, ku pata fatin të njihja shumë mendje të ndritura dhe u përfshiva në drejtimin e eventeve më të rëndësishme si për shembull Harvard Leadership Conference, apo isha drejtuese e Harvard Lecture That Last. Mbase momenti më krenar ka qenë zhvillimi i eventit në Univiersitetin e Harvardit për librin tonë “Good Morning Hope” që do të publikohet në 2021, në të cilën së bashku me motrën binjake, Argita Zalli, treguam historinë e jetës tonë e cila u prit me duartrokitje. (Ishte një event i vecantë sepse zakonisht universiteti i Harvard nuk bën evente dedikuar dy personave.

DIELLI: Ç’ndodhi pas Harvardit?
Dr. Detina ZALLI-Pas Harvardit u riktheva në Londër afër familjes time, ku punova si pedagoge në fushën e biomjekësisë. Pjesa e punës time ishte të udhëtoja në Azi. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe e veçantë sepse u takova me kultura të ndryshme të cilët më kanë zhvilluar personalisht.

DIELLI: A ka ndryshuar statusi juaj familjar?
Dr. Detina ZALLI- Nga ana personale, kam gjetur njeriun e zemres, bashkeshortin tim Toni, dhe jam bere mami i dy femijeve te mrekullueshem, Destini dhe Dielli, te cilet me kane ndryshuar jeten duke me dhuruar akoma me shume dashuri, inspirim. Tani çdo gje qe bej eshte per ata (perveçse normalisht per prinderit e mi qe jane gjithçkaja e jetes time).

DIELLI: Diçka rreth rolit tuaj si Ligjëruese në Universitetin e Oksfordit?

Dr. Detina ZALLI- Jam duke punuar me profesorë të shkëlqyer që më inkurajojnë çdo ditë dhe që më japin mundësinë të udhëheq. Jam shumë e apasiunuar pas punës time, dhe tani jemi duke udhëhequr një kurs designed për profesionalistët e fushës shkencore dhe mjekësore, si mjek, shkencëtarë, kirurg për tu mësuar më shumë reth shkencës së kancerit dhe zhvillimit të ilaçeve.

DIELLI: Jeni bërë figurë e njohur shkencore dhe publike, keni vizitiuar botën, ndërkohë që ju nuk i keni shkëputur lidhjet me vendlindjen. Ç’mund të thonë për këtë, çfarë ju mbanë lidhur?

Dr. Detina ZALLI- Shqipëria është vendi më i dashur e cila më ka mbështetur, rritur (megjithëse me sakrifica), më ka mësuar mësuar të dua dhe të respektoj të tjerët. Për mua është mëse normale të kem lidhje jashtëzakonisht të afërta me shqipërinë. Ndihem shumë shqiptare. Këtë më kanë transmetuar prindërit e mi të cilët vazhdojnë të më mbështesin dhe sakrifikojnë aq shumë, dhe që më kanë folur me aq dashuri për Shqipërinë. Këtë e shikoj tek njerëzit ,shqiptarët, respekti, dashuria dhe mbështetja e tyre që nuk i krahasoj me asnjë gjë në botë. Mendoj që pasuria ime më e madhe ka qenë mundësia për ti parë këto gjëra dhe për ti vlerësuar akoma më shumë.
DIELLI: Vendlindjen tuaj, Patosin, nga ku ju u larguat fshehurazi, po Bubullimën e gjyshërve, a i keni vizituar?
Dr. Detina ZALLI- Shpesh herë ku shkoj në Shqipëri mundohem të shkoj edhe në Patos (vendi ku kam lindur) megjithëse nuk kam më shtëpi atje, apo Bubullimë (ku janë gjyshërit e mi). Verës së kaluar kalova 2 javë në Bubullimë ku kalova shumë kohë me të afërmit e mi, apo njerëzit që gjendeshin aty (komshinjtë e lagjes). Bisedova me të gjithë dhe kalova shumë bukur. Në ato momente kupton vërtet që suksesi më i madh, pasuria më e çmuar, janë lidhjet njerëzore, dashuria dhe respekti që të rrethon, modestia dhe humaniteti.

DIELLI: – Një mesazh për lexuesit e DIELLIT në formën e këshillave?

Dr. Detina ZALLI- Dua tu them që të mos ndihen kurrë të moshuar (çfarë do moshe të kenë) për të patur një qëllim të ri ose për të ëndërruar një ëndërr të re. Këshillat e tjera janë thënë përmes intevistës.

DIELLI: -Shumë faleminderit Dr. Detina. E vlërsoj shumë që edhe pse shumë e mbingarkuar ju gjetët sërish kohë që t’ia kushtonit intervistës me gazetën DIELLI!

Detina ZALLI: Ju lutem, nuk ka nevojë për falenderime. Ju keni qenë të parët që më keni intervistuar në Harvard dhe prindërit më kanë mësuar çdo të thotë respekti, apo mirënjohja, kështu që e ndiej të detyrueshme moralisht t’ju përgjigjesha. Ishte kënaqësi që biseduam!