1978. Tregtia e fshehtë shqiptare-amerikane gjatë Luftës së Ftohtë. Shqipëria importonte qymyr

Histori / 1978. Tregtia e fshehtë shqiptare-amerikane gjatë Luftës së Ftohtë
• Shqipëria importonte qymyr amerikan duke eksportuar krom, ndonëse refuzonte ftesën për rivendosje marrëdhëniesh diplomatike

Dokument 1 / Shqipëria synon të përdorë ndërmjetës suedez për të shitur krom në SHBA

Datë: 21 qershor 1978, ora 00:00 (e mërkurë)
Përdorim i kufizuar zyrtar.
Zyra e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike (Bureau of European and Eurasian Affairs)
Nga: Suedia Stokolm.
Sekretarit të [Departamentit amerikan] Shtetit [në periudhën 20 januar 1977 – 28 prill 1980, Sajrus Roberts Vens (Cyrus Roberts Vance, 1917-2002)]
1. Goran Olsson i “Delta International Marketing”, Norkoping (Tel: 011/10 86 20) informoi nëpunësin tregtar se përfaqësues tregtarë shqiptarë i kanë kërkuar “Delta”-s të veprojë si agjent për të blerë pambuk nga BRSS-ja [Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike] për import në drejtim të Shqipërisë dhe për të shitur në SHBA mineral kromi të prodhuar në Shqipëri. Përfaqësuesit shqiptarë i thanë Olssonit se Shqipëria nuk dëshiron të bëjë marrëveshje drejtpërdrejt me vendin e tyre “armik”dhe kanë kërkuar që transaksionet të trajtohen me diskrecion, d.m.th pa publicitet.
2. Olssoni i telefonoi ambasadës për t’u sqaruar nëse SHBA-ja ndalon apo kufizon importimin e mineralit të kromit me origjinë shqiptare. Në i thamë se rregullat tregtare amerikane, që disponon ambasada, vërtetojnë se nuk ka kufizim, por që gjithmonë rekomandohet që importuesi perspektiv të bashkërendojë me doganat amerikane për ndryshimet me të fundit në tarifat dhe rregullat e importit.
3. Ju lutemi konfirmoni se nuk ka kufizime ndaj importimit në SHBA të prodhimeve me origjinë shqiptare.

Dokumenti 2 / Nga studimi, 18 gusht 1982, për tregtinë Lindje-Perëndim, përgatitur për t’u përdorur nga Komiteti i Bashkuar Ekonomik i Kongesit dhe Senatit amerikan

“Kthesa drejt Perëndimit nga regjimi i Hoxhës ka qenë e orkestruar në mënyrë të kujdesshme dhe përzgjedhëse. Tirana ka qenë veçanërisht e kujdesshme në zgjerimin e marrëdhënieve me SHBA-në, të cilën regjimi e ka etiketuar si “superfuqia e fundit imperialiste kapitaliste”. Kështu, disa oferta të SHBA-së gjatë viteve 1970 për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike dhe kësisoj marrëdhëniet tregtare të ishin të qëndrueshme, u hodhën poshtë zyrtarisht. Megjithatë tregtia mes dy vendeve ka qenë në rritje (shih tabelat poshtë në origjinalin anglisht). Ministrat pragmatistë të tregtisë së jashtme shqiptare realizuan të ardhurat nga importimi i qymyrit amerikan (për të kompensuar disa vite të këqija në prodhimit e brendshëm të qymyrit) në këmbim të ngarkesave me krom shqiptar. Në fillim të viteve 1970 Amerika importonte mbi 90 për qind të kromit që konsumonte, kryesisht nga Afrika e Jugut dhe Bashkimit Sovjetik, dhe po bënte çmos të diversifikonte burimet e saj të furnizimit. Kjo ishte baza për marrëdhënien tregtare amerikane-shqiptare, që u rrit nga nën 1 milion dollarë në vitin 1974 në gati 21milionë dollarë në vitin 1979. Kompanitë amerikane që operojnë nëpërmjet vendeve të treta lehtësuan lidhjet tregtare midis dy vendeve”.

Përgatiti: Thanas Mustaqi