Kreu i George C. Marshall Albania, Jauri: Koronavirus dhe mungesa e vëmendjes ndaj njerëzve nën uniformë dhe medias!

Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe personeli mjekësor është trinomi i përhershëm e i gatshëm për çdo lloj ngjarje që del nga rendi i zakonshëm i ditës sonë. E pa asnjë dyshim që koronavirusi është një ngjarje e jashtëzakonshme. Në këtë rast, këtij trinomi i shtohet edhe media, punonjësit e njësive ushqimore si dhe personeli që për shak të tipologjisë së punës së tyre u duhet të jenë në krye të detyrës edhe në këto ditë të vështira.

Sot jemi me sytë gjithë shpresë nga ta, krenarinë e shfaqim në rrjetet sociale, mirënjohjen duke i duartokitur nga ballkonet tona, por përtej këtyre gjesteve kjo kategori ka nevojë edhe për mbështetjen financiare nga qeveria.

Ditët e fundit duket se qeveria shqiptare është duke shfrytëzuar marrëdhëniet vëllazërore me Republikën e Turqisë, për të mbajtur hapur një korridor për importin e pajisjeve mjekësore. 4.5  tonë pajisje mjekësore kanë mbërritur tashmë në Tiranë, ndërsa mbërriti edhe një flotë e re autoambulancash, që parashikohet ta bejë edhe më të lehtë punën e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë. E nga ana tjetër, vetë Kryeministri Rama deklaroi në 10 mars se do të ketë një shpërblim financiar për këtë kategori. “Do ti paguajmë mjekët e infermierët nga 1 mijë euro, ndërsa shoferët 500 euro. Ka disa figura të mëdha mjekësia. Mendja dhe eksperienca janë pasuria më e çmuar. Disa njerëz që janë dinamik edhe pse janë në pension janë të ftuar. Edhe ata do të paguhen 1 mijë euro për të kontribuar në këtë luftë”, deklaroi ai. Shqipëria i ka kërkuar Kinës ndihmë për mjekë. Për mjekët e infermierët shqiptarë që ja kemi “falur” Europës e nuk është kujtuar njeri këto ditë dhe ca më pak për arsyet se pse sidomos kjo kategori vitet e fundit është larguar në masë nga vendi ynë. A do ti kërkonim ndihmë Kinës, nëse ata do të ishin këtu? Me shumë mundësi po, por sigurisht do të ndiheshim më të sigurt sikur nëpër ekrane të mos shikonim gjithë mjekët shqiptarë në lidhje Skype nga çdo cep i botës.

Angazhimi i Forcave të Armatosura në shërbim të popullsisë civile është një prej detyrave kushtetuese të çdo Force të Armatosur. Shtetet që janë duke u përballur me COVID-19 me shpejt sesa vonë kanë nxituar të përfshijnë ushtritë e tyre në përballimin e kësaj emergjence. Kjo u bë edhe me e dukshme kur Organizata Botërore e Shëndetit shpalli gjendjen e pandemisë për koronavirusin.

Nga ana tjetër Forcat e Armatosura të Shqipërisë që në krye të kësaj emergjence kanë qenë në vijën e parë të luftës, nga sigurimi i territorit, me patrullime nga Policia Ushtarake së bashku me Policinë e Shtetit, përgatitjen nga Rezervat e Shtetit e dorëzimin e pakove ushqimore për familjet në nevojë dhe po ashtu përgatitjen e Shtëpisë së Ushtarakëve në Durrës si vend karantine. Deri më tani asnjë deklaratë nga qeveria për një mbështetje për ta e po ashtu Akti Normativ i përgatitur nga Këshilli i Ministrave i dorëzuar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë nuk parashikon asnjë fond për trajtimin financiar të kësaj kategorie. E njëjta gjë për efektivët e Policisë së Shtetit apo Median.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka njoftuar se është interesuar mbi shëndetin e ushtarakëve shqiptarë në mision jashtë vendit, duke u siguruar për shëndetin e tyre. Nga ana e lidershipit ushtarak ka munguar informacioni lidhur me masat e marra në kazermat apo komandat në vend, pasi siç dihet vendet me grumbullime njerëzish janë më të rrezikuarat nga ky virus. Të mos harrojmë se janë rreth 19 mijë ushtarakë dhe policë në Shqipëri, të cilët pas përfundimit të punës kthehen në familjet e tyre dhe rreziku i përhapjes së koronavirusit rritet tejskajshmërisht shumë. Vëmendja e munguar e lidershipit ushtarak (I Forcave të Armatosura apo Policisë së Shtetit) e nga qeveria ndaj kësaj pjesë të shoqërisë, që është gjithmonë aty e gatshme për të ndërhyrë në çdo rast, është e pafalshme. A më tepër nëse këta drejtues e kanë nritur zërin e tyre sipas hierarkisë së komandimit e kanë hasur në vesh të shurdhër të politikës. Por si po e përballojnë këtë situatë ushtarakët apo forcat e policies së vendeve të tjera, ku shpërblimet financiare dhe përkujdesja e qeverive të tyre nuk mungon.

Italia në 17 mars 2020, botoi në Gazetën Zyrtare dekretin e Qeverisë, neni 74 i të cilit parashikon në detaje shpëndarjen e mbështetjes financiare konkrete sipas kategorive të përfituesve për forcat e armatosura, karabinierët, zjarrëfikësit dhe policinë e shtetit.

Në Teheran ushtria ka dhënë ndihmën për ndërtimin e një spitali me 2 mijë shtretër dhe Kryeministri Netanjahu ditë më parë deklaroi se një “ushtri” e sapokrijuar plot me të rinj e të reja do të dezifektojë rrugët e vendit, duke reduktuar pjesëmarrjen e të gjithë forcës ushtarake izraelite në këtë luftë. Franca tërhoqi kontigjentin e saj nga misioni në Irak për të eleminuar mundësinë e prekjes së tyre nga COVID-19.

Shumë baza në afërsi të Washingtonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur nivelin e sigurisë shëndetësore nga HPCON Bravo dhe në HPCON Charlie, që tregon rrezik të konsiderueshëm për komunitetin dhe transmetim të qëndrueshëm të sëmundjes COVID-19, i cili shoqërohet me ulje të personelit në bazë (niveli më i lartë është HPCON Delta, i cili tregon rrezik të rëndë dhe transmetim të gjerë në komunitet). Me propozim të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe miratuar nga Senati u akordua një fond emergjence prej 60 milionë dollarësh për mbështetjen e veteranëve të luftës. Nga kjo shumë, 30 milion dollarë do të shkojnë për shërbimet mjekësore të tyre dhe 30 milion dollarë të tjerë do ti kushtohen përkujdesit në komunitet.

Britania e Madhe ka dërguar në shtëpi rekrutët e rinj duke pezulluar stërvitjen e tyre si dhe ka mbyllur përkohësisht të gjitha akademitë ushtarake.

Disa politikanë mund ta teprojnë me retorikën e kohës së luftës. Ushtria duhet të jetë e përgatitur për të luftuar luftën që mund të duhet të luftojë, dhe tani është e qartë, ai moment ka mbërritur, edhe pse këtë herë nuk është ndërhyrje për emergjenca mjedisore, në përmbytje, tërmete apo pastrime territori. Ata janë dukshëm të prekshëm nga virusi të gjithë, ushtarakë, punonjës policie apo dhe media që është e vetmja dritare informative përtej propagandës së çfarëdo krahu në këto ditë karantine. Megjithatë qartësisht ushtria e policia nuk janë përgjigja për pandeminë. Janë vetëm një pjesë e vogël për të ndihmuar në përballimin e saj, një hallkë e një zinxhiri që duhet të mirëfunksionojë për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë të cilët krahas mjekëve, meritojnë falenderim me përulje nga ana jonë, e jo më pak media.

Ermal Jauri

President, George C. Marshall Albania