Qeveria ka shpenzuar para për tu këshilluar jashtë se çfarë duhet të bëjë me shqiptarët!?

Top-Channel raporton se gazetari Muhamed Veliu ka parë një dokument konfidencial të përpiluar nga disa të huaj me qendër në Monako. Më saktë nga një “kompani e rëndësishme, ndërkombëtare e vlerësimit të sigurisë shëndetësore, me qendër në Monako”. Duke lënë mënjanë emocionin e përballjes me një dokument konfidencial në anglisht, shohim se përmbajtja e tij është një lloj udhëzuesi për organizimin e veprimeve në situatën e tanishme të pandemisë.  Ja se çfarë thuhet aty ndër të tjera:

Është e nevojshme rikonfigurimi fabrikave në prodhimin e mjeteve sanitare përmes inkurajimit në të bërin e kësisoj siç është shembulli nga Italia ku shumë fabrika u kthyen në prodhuese të maskave mbrojtëse. Duhet po ashtu një numër i konsiderueshëm mjetesh higjenike si maska, doreza, syze etj, të jenë të disponueshme për ata që kanë nevojë në mënyrë të posaçme për personelin shëndetësor dhe qytetarët me probleme të mëpërparshme shëndetësore. Supermarketeve, farmacive dhe vendeve publike duhet tu përcaktohet se në kohën kur janë hapur ato të kenë, numër të limituar njerëzish që hynë, sikurse koha e hapjes së tyre duhet të jetë e atillë që të eliminohen dyndjet.

Pyetja që lind këtu është se përse për këto këshilla duhet kontraktuar një kompani e huaj? Shqipëria ka miratuar ligjin 15/2016 që trajton veprimin në rast epidemish. Ministria e Mbrojtjes ka gjithë ato njësi me emra që të fusin frikën si Komanda e Stërvitjes dhe Doktrinës, apo p.sh emra dokumentesh si Dokumenti i Strategjisë apo Sigurisë Kombëtare. Për çfarë janë këto, për t’u mburrur në media?

Përditë na thuhet se qeveria ndjek këshillat e OBSH-së, këtej na del një dokument i paguar kushedi sesa vetëm e vetëm se komplekset e Edi Ramës dhe obsesioni me logjikën: E bërë mirë, e bërë nga të huajt, është motoja, antioksidanti i kësaj qeverie. Kështu nisi kjo qeveri, me programe të hartuara në seminaret e studentëve të Harvardit dhe vazhdoi me leksione për diplomacinë ekonomike që bëjnë të qeshësh edhe një gjimnazist e vazhdon sot me blerjen e konsulencës së specializuar se deri në çfarë ore duhet lënë dritat ndezur në supermarkete në kohën e pandemisë.