Letra e mjekëve në Bergamo: Epidemia jashtë kontrollit

Në Bergamo epidemia e COVID-19 është jashtë kontrollit. Kështu deklarojnë mjekët e spitalit “Papa Giovanni XXIII” në një letër të publikuar në “New England Journal of Medicine Catalyst Innovations in Care Delivery”.Kujtojmë që Bergamo është provinca më e goditur nga virusi në gjithë Lombardinë. Vetëm dje kishte 6728 raste pozitive, me një rritje prej 257 rastesh në ditë, krahasuar me një ditë më parë. Spitalet janë në kolaps.

“Spitali ynë është shumë i kontaminuar dhe jemi tashmë përtej pikës së kolapsit: 300 shtretër nga 900 janë të okupuar nga pacientët Covid-19. Më shumë se 70% e vendeve të kujdesit intensiv janë të rezervuar për pacientët me sëmundje të rëndë Covid-19 që kanë shpresë për mbijetesë”, sqaruan 13 mjekët e Bergamos në letër, sic shkruan “Il Giornale”. “Kjo epidemi është një krizë shëndetësore dhe humanitare. Ne kemi nevoja urgjente për agjensi humanitare që veprojnë në nivelin lokal. Për të adresuar pandeminë, nevojiten zgjidhje për të gjithë popullatën, jo vetëm për spitalet”, përfunduan ata.