Indrit Vokshi – Çfarë është Partia..!

Nga Indrit Vokshi

Vjosa Osmanin dje po e lavdëronin se kinse tregoi karakter duke dalë kundër partisë se saj! Sipas tyre, ishin parimet, kundër joparimeve. Kuptohet, kjo propagandë është tip diversioni me autorë ata që mbeshtesnin Kurtin.

Nuk është ndonjë karakter i theksuar të shkosh kundër partisë tënde. Nuk mund të quhet akt karakterial në vetvete, ngaqë njeriu kundër partisë së vet mund të dalë për shumë shkaqe e arsye, jo domosdo karakteriale e parimore. Janë interesat e karrierës kryesisht dhe kjo është normale. Ata që lavdërojnë një hierark partie vetëm se del kundër partisë së vet, ata janë kundërshtarët e asaj partie dhe e nxisin dhe e lavdërojnë për tia shtuar përçarjen partisë.

Kjo nuk është betejë mes të rinjve dhe të vjetërve, ky është përcaktim fallso. Interesat nuk kanë moshë. Thjesht mosha mundet t’i bëjë interesat të duken më interesante. Vetëm kaq.

Partia është organizatë ku anëtarësohesh me vullnet. Përveç interesave ekonomike, morale, kulturore e të karrierës, kush futet në parti, duhet të punojë edhe për interesin e përgjithshëm dhe të veçantë të organizatës.

E fakti që shpesh, njerëzit të cilët janë në parti rrinë konform, heshtin, janë diskretë, nuk vjen sepse nuk dinë, nuk kanë intelekt, nuk kanë informacion, nuk munden të jenë populistë, nuk ia arrijnë të bëjnë lajm përmes dekleratave “të nxehëta” etj. Jo, aspak. Kjo sjellje vjen pikërisht sepse kanë aq intelekt sa për ta kuptuar rolin që kanë dhe vendin ku janë. Në organizatë ruhet organizata. Prandaj njerëzve të partive nuk u duhet besuar aq shumë në lidhje me interesin publik e terma të tilla.

Organizatat, partitë, kanë prirje të tmerrshme për të funksionuar sipas interesave të tyre ekonomike, ideologjike dhe kulturore dhe shpesh në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Kudo në botë, jo vetëm në Shqiptari. Psh LDK ka interesat e saj ekonomike e karrieristike, VV ka interesat e saj ideologjike. As ekonomia e LDK e as ideologjia e VV, nuk janë imediate e të domosdoshme për qytetarët. Mirëpo këta secili përpiqen të kapin shtetin dhe me fuqinë e shtetit të imponojnë versionin e vet, duke i justifikuar e kamufluar këto me fjalët liri, barazi, solidaritet, institucione. Kështu janë partitë në përgjithësi, kudo.

Kur dikush deklarohet kundër partisë së vet, kundër vendimeve të organeve drejtuese të saj, ai person thjesht nuk ka shance për tu imponuar. Kjo sepse pesha e organizatës është shumë shumë më e rëndë sesa kalkulimet për karrierë të një apo disa pak personave.

Dalja kundër partisë as të bën më të mirë, as më të keq. Thjesht interesat e tua të biznesit por kryesisht të karrierës, nuk munden të realizohen brenda asaj organizate, prandaj vendos të mos i përkasësh më. Nëse ke kapacitet e potencial, arrin të ndërtosh organizatë tjetër (Ilir Meta psh), nëse nuk ke kapacitet, do arrish të fitosh statusin e viktimës duke u ankuar.

Kaq. Nuk është se je domosdo i mirë. Mundesh të jesh edhe i mirë, ndoshta. Por e sigurt është se nëse divorcohesh me organizatën tënde, sje i zoti. Sje i aftë për ta kuptuar çfarë është një organizatë, ose ske vullnetin dhe maturinë e duhur për ta luajtur lojën. Është diçka si martesa; do talent. Kush divorcohet dmth se nuk ka ditur edhe aq mirë.

Fakti se politika qesh përmes buzëve të politikanëve, nuk tregon se është bërë më e mirë. Ajo qesh pikërisht për ta fshehur të vërtetën se është po aq dramatike dhe brutale sa para 1000 vitesh kur priteshin koka me hanxhar.