Gjithologët si projeksion i hajvanëve

Nga Ergys Mërtiri

 

Në të gjithë histerinë e sulmeve dhe akuzave që u zbrazën ndaj meje për shkrimin e fundit mbi realitetin e krijuar prej pandemisë, – shumica prej të cilëve as që e kanë idenë për çfarë flasin, – akuza kryesore që shumica prej tyre kishte në majë të gjuhës ishte: Gjitholog.

Ma kanë thënë këtë edhe herë të tjera, si psh. kur kam bërë shkrime kundër muzikës surrogato të këngëtarëve komercialë si Era Istrefi e Rita Ora, e madje ma kanë thënë edhe kur kam bërë shkrime që lidhen drejtpërdrejt me zanatin tim.

Sigurisht, ka një histeri masive nëpër rrjetet sociale dhe është e kuptueshme që shumica dërrmuese e tyre nuk ha pykë dhe nuk ka për tu ndërgjegjeësuar nga asnjë arsyetim. Por them se ia vlen të sqaroj disa gjëra fare të thjeshta, për ata që e hanë pykën.

Pikë së pari, pa pretenduar ndonjë vlerësim të madh për veten, mendoj se e kam aq skrupulozitet profesional sa të jem i kujdesshëm në çfarë them, e të mos marr përsipër të hyj në fusha të të tjerëve. Nëse vërtetë shpesh diskutoj mbi gjëra që e kapërcejnë filozofinë apo sociologjinë, e bëj këtë nga perspektiva e fushës sime, duke mbajtur ndërkohë një pozicion neutral në ato cështje që hanë debat në rrethet akademike.

Sociologjia si dhe filozofia janë fusha që ndërthurin shumë disiplina: Politika, arti, kultura, jurisprudence, historia, ekonomia, psikologjia, etj. Kur unë flas mbi gjëra që kanë të bëjnë me artin, nuk flas si kritik arti, por si njeri që kam aq njohuri mbi atë çfarë diskutohet, sa të marr përgjegjësinë ta përcjell atë që mendoj. Mund të gaboj, patjetër, por gabimi nuk është një arsye për të mos folur.

Ndërkohë, në fusha ku nuk kam kompetencë, përpiqem të qendroj në ato pohime që janë të mirëpranuara përgjithësisht nga studiuesit, duke qendruar neutral aty ku gjërat hanë debat. Dhe kjo është absolutisht korrekte.

Të thuash se je gjitholog, sepse nuk qendron në suazat e ngushta hermetike të një disipline, jo vetëm që bën një gafë, por tregon injorancë. Ata që e bëjnë këtë tregojnë pikë së pari se nuk dinë asgjë mbi atë çfarë diskutohet, por thjesht gjykojnë përciptas duke parë se nuk iu përputhen etiketat e profesioneve dhe njerëzve që diskutojnë mbi to.

Eshtë aburde që kjo kategori njerëzish, merr përsipër të të gjykojë dhe të të vlerësojë mbi kritere të tilla kaq mediokre, megjithëse ti mund të kesh lexuar dhjetëra libra për atë çarë po flet. Dhe jo vetëm kaq, por qindra të tjerë e mbështesin dhe bashkojnë zërin e tyre në korin e kësaj çmendurie duke u bërë barrierë për çdo ide qme vlerë ë hidhet në publik.

Në lidhje me shkrimin që unë bëra para pak ditësh mbi masat e ndërmarra në mbrojtjen prej kërcënimit të koronavirusit, shumë komentues më akuzuan për gjitholog, e arrogant, pasi unë nuk jam mjek dhe nuk duhet të gjykoj mbi këtë çështje. Në fakt, as ata nuk ishin mjekë, por kjo nuk i pengonte aspak për të dhënë edhe ata mendimet e tyre, mbi gabimet e mija dhe moskompetencën time për fushën. Por, më keq akoma, pati edhe mjekë që e bënë këtë akuzë, duke treguar se, pikë së pari ata nuk njohin mirë zanatin e tyre.

E vërteta është se nuk e kam bërë mjekun në asnjë moment në shkrim. Pjesa thelbësore e shkrimit kishte të bënte me retorikën e qeverisë, dhe klimën e panikut të përhapur në shoqëri, gjë që është një zanat që lidhet drejtpërdrejt me profesionin tim. Shkrimi kishte në fokus të drejtpërdrejtë gjuhën e qeverisë, prodhimin mediatik të një përfytyrimi publik dhe reagimin e shoqërisë ndaj situateës.

Por edhe në ato pjesë që kanë të bëjnë me sëmundjen, unë iu referova asaj çfarë thonë profesionistët, pa u pozicionuar në asnjë moment në debatet midis tyre,për të thënë se kush ka të drejtë. Aty ku kishte debat, thjesht mora një qendrim të ndërmjetëm duke folur nga një pozicion që merr në konsideratë edhe qendrimet e kundërta.

Diskutimet mbi shifrat dhe projeksionet e të infektuarve dhe viktimat, pikë së pari nuk janë diskutime mjekësore por statistikore (dhe këtu unë mund të kem kompetencë më shumë se një mjek, pavarësisht se edhe statistika nuk është aspak fushë e drejtpërdrejtë e imja), por përtej kësaj, unë nuk mora përsipër të them nëse cila tezë qendron e cila jo, por u përpoqa të përdor argumentet e palëve, për të evidentuar ekzagjerimet propagandistike, përtej një debati fare normal midis studiuesish. Në thelb, shkrimi u mbështet mbi të dhëna statistikore për të ndërtuar një logjikë, sesi duhet parë realiteti. Kaq.

Ata që mendojnë se kjo është tejkalim kompetencash që buron nga ndonjë prirje e imja për tu bërë gjitholog, tregojnë se thjesht nuk kuptojnë. Së pari, ata nuk kuptojnë se ky debat tashmë është shumë më i gjerë sesa një debat bluzash të bardha. Në të vërtetë ky është një debat që kërkon një shtrirje shumëdisiplinare, duke përfshirë ekonominë, kulturën, psikologjinë, marrëdhëniet shoqërore, organizimin, demografinë, etj.

E dyta ata nuk kuptojnë se çdo profesion, ka nevojë të hyjë nëpër profesione të tjera, për të plotësuar njohuritë e nevojshme mbi objektin që studion. Nga ky këndvështrim, dija nuk mund të jetë ndryshe vetëm se ndërdisiplinare. Kush di vetëm nga zanati i vet, në të vërtetë nuk di asgjë dhe nuk mund të jetë profesionist.

Nga ana tjetër, duhet kuptuar se komunikimi publik nuk funksionon midis publikut dhe ekspertëve. Midis ekspertit dhe publikut ka gjithmonë ndërmjetës, të cilët i bëjnë idetë të përcueshme. Përndryshe, publikut do t’i duhej të lexojë direkt raportet e ekspertëve apo publikimet shkencore, të cilat në fakt nuk i lexon dot, edhe sikur të dojë.

Në këtë mënyrë, ai që merr përsipër të akuzojë të tjerët për gjitholog, duhet pikë së pari të bëjë llogarinë e vet, mbi çarë tagri profesional ai merr përsipër të gjykojë? Çfarë kompentencash ke për të gjykuar kompetencat e të tjerëve? E për sa kohë nuk e bën këtë llogari, tregon se në fakt, nuk është tjetri gjitholog, por është ky vetë një hajvan.

more recommended stories

loading...