E FORTË| Komisionit Europian i kërkohet raport tjetër për Shqipërinë para konferencës ndërqeveritare

Shqipëria duhet të tregojë konsistencë reformash edhe në javët në vazhdim që të vërë në funksionim konferencën e parë ndërqeveritare të formatit të çeljes së negociatave. Ndërsa është njohur përparimi i nevojshëm nga raporti i ripërtërirë i Komisionit Europian për vendimin e fillimit të bisedimeve Shqipëri- BE, konkluzionet me shkrim të Këshillit të çështjeve të përgjithshme i hapin rrugë Komisionit Europian të paraqesë një propozim për një kornizë për negociatat duke marrë parasysh synimin e Komisionit që të fillojë menjëherë punën e nevojshme përgatitore. E njëjta pjesë e vendimit parashikon që Konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mblidhet sa më shpejt që të jetë e mundur pas miratimit të kornizës së bisedimeve nga Këshilli.
Vendimi që klasifikohet legalisht si çelje e bisedimeve, përmban kërkesën që para konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria të miratojë reformën zgjedhore bashkë me mekanizmin e financimit transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojë vazhdimin e reformës gjyqësore, përfshirë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, sipas ekspertizës përkatëse ndërkombëtare, përfshirë mendimet e zbatueshme të Komisioni i Venecias, si dhe të thellojë strukturën e Spakut.
Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë bashkëpunimin me shtetet anëtare të BE-së dhe përmes plan veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Force së Veprimit Financiar (FATF).
Po ashtu trajtimi azilit dhe ligji i medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbetet përparësi e rëndësishme, për të cilat ngarkohet Komisioni europian me një raport për përparimin kur të prezantohet korniza e negociatave.
Përsa i përket kësaj të fundit, për miratimin e saj nga Këshilli, kërkohet të pasqyrojë atë që Shqipëria ka adresuar me sukses për pesë prioritetet kryesore, siç është fillimi i procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vettingut, fillimi i procedurave kundër të akuzuarve për blerje të votave, një rekord i mjaftueshëm për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë fillimin dhe përfundimin e procedurave të para kundër zyrtarëve të rangut të lartë publik dhe politikanëve.
Këshilli kërkon gjithashtu të shohë zbatimin e reformës së ligjit zgjedhor si dhe një vendim i formës së prerë për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Po ashtu pjesë e kërkesave është dhe përparimi i mëtejshëm në miratimin e legjislacionit të mbetur zbatues për ligjin kuadër 2017 për mbrojtjen e pakicave kombëtare, referuar regjistrimit të popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës, dhe avancimin e procesit të regjistrimit të pronave.
Këshilli më tej fton Komisionin të vazhdojë të monitorojë progresin dhe pajtueshmërinë në të gjitha fushat që lidhen me hapjen e negociatave dhe për të kryer dhe përfunduar procesi i ekzaminimit analitik të korpusit ligjor të BE-së me vendin.