Kush ishte bakterologu me famë botërore Prof.Dr.Refat Frashëri. Drejtori i parë i Shëndetesisë

Nga Hasan Bello

Drejtori i parë i Drejtorisë së Përgjithshme të Shendetësisë: kush ishte bakterologu me famë botërore Prof.Dr.Refat Frashëri

Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë edhe për sistemin shëndetësorë shqiptar u krijuan rrethana të reja. Por koha e shkurtër në të cilën veproi Qeveria e Përkohëshme e Vlorës nuk e lejoi atë të merrte masa për organizimin e këtij sistemi. Për shkak të Luftërave Ballkanike dhe nevojave që lindën si rezultat i tyre në territorin shqiptar ushtroi veprimtarinë e saj Gjysmëhëna e Kuqe dhe një numër mjekësh misionarë të organizatave ndërkombëtare Qeveria e Principatës shqiptare me qendër në Durrës hodhi një hap të rëndësishëm në fushën e organizimit të sistemit shëndetësorë. Me një vendim të posaçëm ajo themeloi “Drejtorinë e Përgjithshme të Shëndetësisë Publike” drejtimi i së cilës iu besua përkohësisht Ministrit të Arsimit, Dr.Mihal Turtullit.
Por edhe ky plan për shkak të rrethanave mbeti në letër…
Pas Kongresit të Lushnje, një kujdes i posaçëm filloi t`i kushtohej organizimit të institucioneve shëndetësore. Për këtë qëllim u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë (DPSh-ja), e cila varej nga Kryeministria dhe gëzonte të gjitha të drejtat e drejtorive analoge që ishin nomeklaturë e kryeministrit. Në krye të saj u emërua Prof.Dr.Rifat Frashëri, një personalitet i njohur dhe i afirmuar në arenën ndërkombëtare.

Prof.Dr.Refat Frashëri rridhte nga familja e njohur e frashërlinjve dhe ishte mbrunjtur që në moshë të re me ndjenjat atdhetare nga përfaqësuesit e njohur të Rilindjes Kombëtare. Pas përfundimit të studimeve për mjekësi në Universitetin e Stambollit deri në vitin 1898 ai punoi në spitalin ushtarak të Shkodrës. Falë përkushtimit dhe arritjeve në fushën profesionale Prof.Dr.Refat Frashëri arriti të emërohej drejtor i Institutit Bakterologjik të Stambollit. Gjatë kësaj periudhe, krahas veprimtarisë pedagogjike, ai shquhet gjithashtu si autorë i disa publikimeve shkencore, të cilat e afirmuan atë në katedrat e mjekësisë botërore. Megjithë propozimet për ta vazhduar karrierën në këto institucione, e sidomos në Paris, Prof.Dr.Refat Frashëri nuk pranoi, por u rikthye në atdhe për të kontribuar për ngritjen e sistemit shëndetësorë shqiptar. Në këtë drejtim, ai dha një kontribut tepër të rëndësishëm, që ka lënë gjurmë edhe në dokumentacionin e kohës.

Studimet e profesorit për sëmundjen e tërbimit etj janë të botuara në gjuhën franceze dhe përbënin një kontribut me vlerë botërore për shkencën e mjeksisë.

Ai ndërroi jetë më 14 nëntor 1934, duke shënuar siparin e mjekëve idealistë që sakrifikuan katedrat dhe famën botërore për t`i shërbyer popullit shqiptar në ditët më të vështira.

(Për më tepër info për sistemin shëndetësorë shqiptar shikoni vëllimet I,II, të botuara dhe vëllimin III, IV,V që do të botohen Historia e shqiptarëve gjatë shek.XX, pjesë që janë përgatitur dhe do të përgatiten nga autori)