Është ekonomia, o budalla! Pak llogari ku po shkon Shqipëria me masat e Ramës për COVID 19

REDAKSIONALE

Me këtë togfjalësh Bill Clinton mposhti në zgjedhjet e vitit 1992 presidentin që kish parë me sytë e tij rrënimin e Bashkimit Sovjetik dhe komunizmit, George H. Bush. Fjalët e tij jehuan në veshët e amerikanëve të goditur nga një krizë ekonomike. Zëri i tij u bë shtysa e tyre për të votuar atë.

Njëzetë e tetë vjet më pas, në Shqipërinë e vogël dhe të vjedhur një pandemi me përmasa globale ka goditur vendin. Po të dalësh në Shqipërinë e këtyre ditëve sheh dyqane, shitore, lokale, bare, restorante dhe kioska të mbyllura. Janë mbi 160 mijë biznese që janë mbyllur dhe 5 mijë të tjera punojnë me hope. Mbi 500 mijë shqiptarë që rrinë në shtëpi dhe shpenzojnë kursimet e tyre pa e ditur nëse do të marrin apo jo rrogën në fundin e muajit. E nëse po sa do të marrin?

Përballë një katastrofe të tille ekonomike kryeministri Rama hapi thesin, nxorri nga aty 65 mln USD për bizneset e vogla dhe shtresat në nevojë. Pastaj nga krahu tjetër i dha pagesa mbi 70 mln euro dhjetë bizneseve pranë tij. Ndërsa shtretërit po mbushen me të sëmurë nga COVID-19, ku parashikohet mangësi në mjetet e shëndetësisë qeveria lëvron 25 mln USD ndërkohë që vetëm dy oligarkë do të marrin nga buxheti i shtetit 39 mln euro (inceneratorët dhe Rruga e Arbërit).

Tani është e qartë se qeveria kur vinte fjala për ideuar koncesione dhe PPP kishte një fantazi dhe liri të shfrenuar. Përllogaritjet e reja e nxjerrin se vlera totale e PPP-ve është sa 14% e GDP-së të vitit 2019. Mirëpo kur vjen fjala për jetët e qytetarëve dhe xhepat e tyre qeveria ngre supet dhe thotë që buxheti i shtetit nuk i përballon dot kërkesat e tyre dhe këtë krizë.

Ju e patë vetë fytyrën e paditur të kryeministrit që shfrynte dhe nëmte më shumë opozitën se sa të tijët për gjendjen e buxhetit. A thua se ka qenë opozita ajo që ka manaxhuar për shtatë vite buxhetin e koncesioneve dhe PPP-së. Ai nuk kishte më asnjë fije besimi në atë që e konsideroi paketa e shpëtimit A, pasi e kishte të qartë se e gjitha qe një farsë.

Ajo që u ofroi shqiptarëve si paketë shpëtimi; çfarë u ofroi bizneseve dhe sipërmarrjeve si paketë shpëtimi nuk qe asgjë më shumë se thërimet. Ai i siguroi edhe një herë shqiptarët se 120 milion euro që do t’u japë oligarkëve si dhe 240 milion eurot shtesë si pasojë e kontratave të shkruara për së prapthi nuk do t’i prekë. Duket se kontrata e tij me djallin e PPP-ve është më e rëndësishme se sa ekonomia e çdo shqiptari.

Rama me vetëdije dështon të kuptojë se e gjitha kjo është ekonomia. Ai mendon dhe madje është i bindur se shqiptarët nëse i bombardon me vdekje do t’i shtysh të harrojnë që duhet të mendojnë për ekonominë. Prandaj ai vazhdon të shapolsë me seriozitetin e një kllouni urdhëra rastësor herë nga shtëpia e më rrallë nga zyra e tij. Ai nuk do të flasë kurrë për ekonominë dhe pandeminë në të pasi e ka të qartë që është më mirë të refuzojë të paguajë për shqiptarët por të mos i kursejë kurrgjë oligarkëve qoftë edhe me rriskun e rrënimit të ekonomisë.