Era Dushi – Qëndro në karantinim thanë ata!

Nga Era Dushi

-Mos dil, mos u dëshpëro, mos ki frikë, mos shko në punë, qëndro në karantinim thanë ata!
-Hap dritaret, mbyll derën, mos prit vizita, mos i prek njerëzit, mos i puth, mos i përqafo, kujdesu për veten, kujdesu për të tjerët, qëndro në karantinim thanë ata!
-Mbaj distancë, laj duart shpesh, lexo libra, lundro në internet, bëj punët e shtëpisë, gatuaj, fshihe frigoriferin, ndihmo të moshuarit, jep kontributin tënd, bindju autoriteteve, ndërgjegjësohu, por qëndro në karantinim thanë ata!
-Luaj murlan, shah, domino, mos u nxeh, zihu me motrën/vëllain, burrin/gruan në distancë, qëndro në katantinim thanë ata!
-Dil për gjërat e nevojshme, pajisu me doreza, maskë, respekto oraret, mos i neglizho detyrimet, telefono 127, por qëndro në karantinim thanë ata!
-Nuk kemi tamponë, nuk kemi maska, nuk kemi staf mjekësor mjaftueshëm, nuk kemi shtretër mjaftueshëm, nuk kemi dezinfektues për të gjithë qytetet, nuk kemi transport, shko në punë, nuk mbajmë përgjegjësi, nuk mbajmë radhë në markete, nuk respektojmë distancat, nuk ruajmë veten, nuk e bëjmë dot diçka të mirë pa i bërë foto për rrjetet sociale, nuk kemi kapacitet për ta përballuar këtë situatë, kështu që…më mirë po qëndroj në karantinim thashë unë!