Mjaft! Mjaft fajësuat njerëzit në radha

Nga Admir Malaj

Mjaft! Mjaft fajësuat njerëzit në radha.
Ka dy arsye kryesore që krijon radhë të çrregullta që kthehen në Corona Party:
1. E para, mungesa e sigurisë që do ja dalësh të marrësh produktin ose shërbimin. Me dritare kohore kaq të vogla shërbimi dhe radha të gjata, pasiguria bëhet jashtëzakonisht e madhe. – Zgjidhja: Orare të zgjatura dhe takime të planifikuara. Teknologjia ndihmon;
2. E dyta, përqëndrimi i sporteleve (ose pikave të shitjes/pagesës) në hapësira të vogla. Le të marrim shembullin e Pazarit të Ri që po del këto ditë në mediat sociale. Të gjithë drejtojnë fajin nga njerëzit, se pse ata rrinë aq afër njëri-tjetrit. Po askush nuk shpjegon se si mundet të ndodhë ndryshe, kur vetë pikat e shitjes janë një metër larg njëra-tjetrës, mos them ngjitur. Kur vetë njerëzit (në radhë) duhet të distancohen 1,5 m, atëherë pikat e shitjes (sportele shërbimi, arkëtare, tregtarë ambulantë apo dhe fshatarë) duhet të distancohen së paku 5 m, deri në 10 m kur janë në ambjente të jashtme. A është projekuar Pazari i Ri për këtë gjë? Jo! – Zgjidhja: Bashkia dhe Inspektorati Shëndetësor të mbyllë Pazarin e Ri për ambulantët dhe ta zhvendosë tek Sheshi Skënderbej ose në Bulevard, ku ka distancë dhe siguri.

Shteti është për të dhënë zgjidhje të zbatueshme, që nuk krijojnë ankth dhe dekurajim, sepse njerëzit, ushtria jonë në këtë “luftë”, nuk janë automatë, ata kanë ndjenja dhe dinjitet.
Kjo “luftë” nuk mund të fitohet pa një ushtri të motivuar dhe me besim tek leadershipi i saj!