Pse skemi edhe ne shtretër e respiratorë?

Nga Indrit Vokshi

Kaq të vështirë e paskemi pasur si shtet për të siguruar 15.000 shtretër me respiratorë?! Vetëm çantat firmato dhe udhëtimet 900 euro nata me para taksash po tua kishim ndaluar disa zyrtarëve, mund të ishin blerë gjysma. Se 1800 euro kushton respiratori, pra kushton sa dy net hotel të Arbjan Maznikut në Spanjë dhe sa dy net e gjysë të ministres Etilda Gjonaj. Pra shtretërit e këtyre i paguajmë nga 900 euro e 700 euro nata, ndërsa në spitale nuk kemi shtretër. Po marr këta si shembuj meqë janë publikuar, se pa dyshim ka abuzues më të mëdhenj. E kuptoni që për mend e kokës që disa nuk i kanë, skemi spitale dhe as mjete. Duhet të marrë fund epoka katunareske e bërjes qejf me paratë e shqiptarëve nëpër hotele dhe duke i paguar vetes dieta. Doni luks, blijeni me paratë personale. E dyta, duhet të marrë fund epoka e njerëzve me komplekse luksi. Nuk mbahet shteti e as qeveriset vendi me njerëz të frustruar të cilët mendojnë se hajt, meqë kemi në dorë pushtetin, po bëjmë qejf, po shëtisim e po shpenzojmë se ndoshta sna vjen më kjo mundësi. Pushteti nuk është qejf, është përgjegjësi. Kush e sheh si qejf, është njeri kot. Njeri pa lidhje. Për tiu bindur se është përgjegjësi, po u jap një situatë: ke për të mbajtur dhe ke përgjegjësi për një familje dhe është e vështirë. Përfytyro kur ke përgjegjësi për 700 000 familje! Sa e vështirë është, sa përgjegjësi duhet të kesh e sa i pjekur duhet të jesh! Prandaj, kjo e keqe pastë të mirën e vet: një ndërgjegjësim. Kush do luks, shpenzime e qejf, le të bëhet këngëtar, biznesmen, bloger, le të shpenzojë paratë e veta. Luks e qejf me paratë e shqiptarëve dhe me postin e shtetit, smund të ketë. Shteti është për ata që janë pjekur mjaftueshëm e nuk i impresionon as luks as qejfi, sepse kanë vuajtur mjaftueshëm sa për ta parashikuar se mbas qejfi të shfrenuar vjen halli. Të tjerët, para marsh, nëpër party, pube, pini shisha nargjile, bëni gara.. por jo në shtet. Shteti është punë e rëndë për aventurierë.