Koronavirusi| Rama: Transporti urban ndërpritet në mesditë. Transport i dedikuar për mjekët dhe infermierët

Pas publikimit në Ora News të pamjeve ku shiheshin autobusët e transportit urban në Tiranë që vijonin punën, kur duhet të mos kishin punuar prej orës 05:00 të mëngjesit referuar urdhrit të Veliajt, reagoi Kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverisë thotë se transporti urban do të ndërpritet duke filluar nga mesdita e të enjtes.
“Nga sot në mesditë nuk ka transport urban në Tiranë dhe Durrës”, shkruan Rama. Ndërkohë, shefi i Qeverisë shprehet se “po bëjmë gati transportin e dedikuar për mjekët dhe infermierët”.

Duket një mos rakordim mes kryetarit të bashkisë dhe atij të Qeverisë, pasi i pari mori vendimin që transporti urban të mos niste punën duke nisur prej mëngjesit.

Mirëpo e kundërt ndodhi, shumica e linjave urbane vijuan normalisht punën, teksa kreu i qeverisë lajmëroi se do të ndalen duke nisur prej mesditës.