Edi Dingu, magjistari i dritave në Teatrin Kombëtar

Kështu e quan Edi Dingu atë që mundi të realizojë me dritat në mbrëmjen e djeshme që pati për protagonist prezantuesin e gazetarin e mirënjohur Adi Krasta, veshur me një aureolë, gati-gati hyjnore, në qendër të skenës së Teatrit Kombëtar.

Disa dhjetra orë përgatitje skenike, pa skuadër ndriçimi, vetëm me Gentin, ndihmësin e përkushtuar.

“Adi meriton përkushtim maksimal. Kërkon gjëra specifike dhe unë do t’ia realizoj të gjitha çfarë i duhet që fjala e tij të transmetohet e lirë dhe e pastër”, u shpreh Edi, me kokën ulur mbi kutinë e veglave, nëpër shkallët që ngjiten mbi skenë.

Zëri i lirë që mbushi sallën gati 600 vendëshe, kumboi në lozhat e sipërme të mbushura me njerëz e të dekoruara me punimet artistike të dhjetra studentëve, pjesë e eskpozitës së universitetit Polis, shtrirë në dy godinat 80 vjeçare, që u instalua në 72 orë dhe u çel më 6 mars. 56 vepra artistike, video projeksione, piktura, fotografi, efekte ndriçimi, instalacione, performanca. Qindra metra kabllo korrenti u shtrinë në dy hollet e teatrit Kombëtar, u ngjitën në llozhat e sallës, kapërcyen oborrin për të ndriçuar hollin e Teatrit Eksperimental dhe Sallën Goethe. Çdo gjë u realizua në kohë, sepse Edi i përkushtoi kohë çdo gjëje.

Edi na lë gjithmonë pa fjalë. Një njeri i kudogjendur. Një inxhinier me të gjithë arsenalin e dijes dhe mjetet e punës të sjella nga shtëpia. Një qëndrestar e një nga heronjtë e heshtur të teatrit, ai brenda një dite, me vetëm një ndihmës, arriti të realizojë tri shfaqje, të shtrira në 2 godina. U mor me durim me orë të tëra me dhjetra studentë. Iu përkushtua zonjave me aktivitetin e 7 marsit në sallën Goethe. Ngjiti në skenë një personalitet shqiptar duke dizenjuar ndriçimin dhe foninë, deri në detaj. Nuk shpenzoi as edhe një lek dhe as nuk kërkoi të shpenzohej.

“Lekët shkojnë të gjitha për naftën që na siguron energjinë. Një pjesë për pjesët e gjeneratorit. Çfarë është e mundur do ta sigurojmë pa para… atë që nuk e huazojmë dot, do detyrohemi ta blejmë.” Kjo është motoja e Edit, teknikut, inxhinierit, artistit të ndriçimit skenik të Festivalit për mbrojtjen e Teatrit. Mirënjohje për të!

Fotot: Edi Dingu